Syarta atraktive, elegante dhe paksa çapkëne në skenë, ndërsa mjaft e thjeshtë në jetën e përditshme. Është një nga këngëtaret që sa herë që realizon një këngë të re, vjen origjinale dhe spikat me tendencat e reja, jo vetëm në muzikë por edhe në performancë e forma fizike fantastike.Ajo ka filluar të këndojë që kur ishte e vogël dhe në ndërtimin e karrierës si artiste, e ka ndihmuar vullneti dhe pasioni për muzikën. Syarta është ndër këngëtaret më të dashura dhe më të pëlqyera të skenës shqiptare. Me zërin e saj karakteristik dhe paraqitjen skenike, bën për vete rininë dhe jo vetëm, kudo ku shfaqet. Është një ndër të paktat artiste që theksin e vë tek puna dhe jo tek pamja fizike, edhe pse ajo është një bukuroshe e lindur…! “Excusez-Moi” është klipi i saj më I fundit dhe ajo priti që kënga të kishte gjtihçka që duhej për të qenë e plotësuar tërësisht.
-Po përgatitesh për dy projekte të reja. Motivi kryesor që të shtyu që pas “Excusez-Moi” të jesh në përgatitje për risi?
-Ishtë vetë publiku. Shpesh më shkruajnë: Kur do sjellësh një këngë të re? Ndërkohë që unë në punët e mia mbaj disa këngë, të cilat i rishikoj dhe i punoj me veten.
– Në përgjithësi, këngët ngjajnë me njëra-tjetrën. Klipet, po ashtu! Çfarë beson se ke bërë ndryshe në këtë këngë? Diçka që s’e kanë bërë të tjerët…?
– Këngët nuk kanë për detyrë të ngjajnë me njëra-tjetrën, përkundrazi! Duhet të jenë unike, sikur dhe artisti është me formimin dhe jetën unike që ka. Puna është që kur fillon e nuk ekziston më një larmi creative nga krijues të ndryshëm në muzikë, ndjekja e një modeli të vetëm, ndjekur në ritme, tekste dhe look, ndodh fenomeni i ngjashmërisë, që bota jashtë e refuzon për industrinë muzikore! Por ne, nuk kemi një treg dhe menaxhime të rangut botëror. Mbase rregullat e botës duam t’ua vendosim artistëve, por s’ua japim kurrë dot të merituarën apo lirinë e të zgjedhurit, pasi trrgu kaq ka e mban. Kështu që, merret me muzikë kush ka forcën e mundet. “Ndryshe” fillon atëherë kur je vetja. Nuk ka shpikje, as receta!
– Kur ke qenë gati, ose e ke ndjerë veten gati të bëhesh personazh publik?
– Kam qenë gjithmonë gati me muzikën. Të qenurit publik nuk është cilësi. Ajo vjen vetë si rrjedhojë. S’e gjen dot fiks momentin kur dhe ku.
– Kush nga femrat shqiptare që kanë bërë emër të pëlqen?
– Femra shqiptare të bukura që kanë bërë emër ka shumë, sa nuk veçoj dot! Te artistet, po që ndryshon puna!
– Me kë mendon se ke ngjashmëri në stilin e të interpretuarit apo nuk do të kesh ngjashmëri me askënd?
– Mendoj se s’kam ngjashmëri, e këtë ma kanë thënë në kohë njerëz që merren me art. Mbase dhe për këtë, e ruaj me fanatizëm punën e të ngjashmes.
– Nëse do ishe në një skenë me një këngëtar/e të skenave botërore, çfarë do kishte ndodhur në skenë?
– Nëse do isha në skenë me një këngëtar/e të skenave botërore duke kënduar, do të thotë që do më ketë mbërritur fati në derë, e ti faleminderit që ma ndjell! (qesh)
– Një bashkëpunim me kë këngëtar do ishte me vlerë?
– Mjafton të jetë një artist i mirëfilltë, e çdo gjë do merrte vlerë.
– Çfarë të josh më tepër nga bota e spektaklit?
– Vëmendja që të duhet për t’u përçuar e për t’u dashur masivisht nga publiku.
– Do doje të ndryshoje diçka në pamjen tënde?
– Akoma jo. Do t’i mbaj flokët e gjatë e bjond dhe për pak. Aty jam tunduar, me raste për ngjyrën.(Buzëqesh)
– Po në karakterin tënd, çfarë nuk të pëlqen?
– Edhe nëse ka diçka që mund ta mendoj si minus, ka plusin e vetë nga pas! Ndaj, jam mirë kështu si jam. Në kohë, karakteret gdhenden vetvetiu, gjithnjë e më mire!
– Për çfarë mendon më shumë një këngëtare si Syarta?
– Të jetojë e lumtur!
– Sa herë e shikon veten në pasqyrë?
– Nuk i kam numëruar. Mjaftueshëm, besoj.
– Ëndërron vetëm në gjumë, apo dhe me sy hapur?
– Varet!(Qesh)
– Kujt ia tregon gjërat e tua?
– Nuk jam natyrë që hapem përveçse me mamin. Gjërat e mija mbeten të mijat. I ruaj! Por, te njerëzit që më krijojnë besueshmëri, e mbi të gjitha respekt, gjendem rehatshëm.
– Çfarë tjetër duhet të dimë për ty?
– Asgjë më shumë nga sa thashë.
– Të ardhmes, çfarë do t’i kërkoje?
– Që e ardhmja të vazhdojë me mundësi, fat e buzëqeshje!