Është e shtunë dhe unë në makinë tek jam në udhëtim që herët ma prishën ditën tek më dalin njëra pas tjerës lloj lloj këngësh që më ngjajnë si karamele që të thyejnë dhëmbët…që mezi pret të mbarojë ose do ta kafshosh ose ta pështysh…
Ti këndon siç këndoj dhe unë në dush…
Lere pastaj tekstet, beterr… të turpshme, të lodhshëm, pa pikë emocioni, pa pikë përmbajtje…
Unë nuk jam kritike e kësaj pune, por ama jam dëgjuese dhe shpirti ma do muzikën dhe zërin e mirë, aq më shumë kur ka dhe një tekst të bukur, nga ato që autori “ ia ka qarë”
“ Eshte finesemana”, me ty sabato domenica”… apo “ bejbi kështu apo ashtu” hajde tekste këngësh hajde…
Pale pastaj kur bëjnë sikur këndojnë me dialektin verios e sidos me atë të Kosovës: “ Bejbi unë kaj” pshm ose “ deka për ty” ! Sa qejf e kanë foljen “ qaj” apo “ vdes” me dialekt që e fëlliqin fare muhabetin se ju del shumë shëmtuar … Gegnishtja është art më vete, është e embël si mjaltë, por ti ua shëmton….Jo mi vajza jo, nuk bëni për këtë punë! Ushtrohuni pak më shumë dhe gjeni nje autor tekstesh të mirë, që nëse ti nuk ngjit me zërin, të të ngelet teksti të paktën…
A ka njeri që u thotë këtyre vajzave që përveç se bëhen qesharake, përveç se çirren si sorra, fyejnë termin” këngëtar”
Ej, ti nuk më ngjall asnjë emocion, më sjell zorrët tek goja kur bënë sikur këndon, kur menjëherë pas “ artit” të madh që gjoja ke bërë, fap, i vesh vetes fjalën ”artiste”… Tani hidhi një sy çfarë do të thotë kjo fjalë në fjalor se jam e bindur që as nuk e ke haberin! Aman të lutem lere një sekond bitin e ri që po bën dhe lexoje çfarë do të thotë:
ARTIST m. sh.
1. Ai që luan me mjeshtëri një vepër arti (si aktori i teatrit, këngëtari, muzikanti etj.). Artist lirik. Artist i merituar. Artist i teatrit (i operës). Artist filmash (kinemaje). Bëhem artist.
2. Ai që krijon vepra arti në fushën e skulpturës, të pikturës, të muzikës etj., ai që merret me artet e bukura.
3. fig. Mjeshtër në një punë, ai që shquhet në mjeshtërinë e vet. Artist në punë (në lojë).
E more vesh?! Ai/ Ajo që luan me mjeshtri, me mjeshtri pra..: dhe ti je shuuumë larg, ndërsa për të qeshur po, më bën….
Nëse do të ekspozosh trupin e format e bukura, ka vende e variante pa fund, por muzikën e këndimin lerja të lutem me dorën në zemër, atyre qe dinë ta bëjnë, atyre qe vërtet të rrënqethin kur këndojnë, atyre që kanë zërin, që e bëjnë me mjeshtri këtë punë, atyre, artistave të vërtetë… se jo për gjë, por u prish dhe punë…