Ai ka dëshirë për përkëdhelje, unë jo. Ai do të bëjë dashuri në mëngjes, unë jam më e predispozuar në darkë. Dëshirat e burrave dhe grave nuk janë gjithmonë në diapazon. Si shpjegohet kjo? Dëshira është motorri i seksualitetit. Një marrëdhënie pa dëshirë rrezikon shumë shpejt të kthehet në miqësi. Faktorë të ndryshëm, njëkohësisht fizikë dhe psikologjikë, hyjnë në lojë në aktivizimin e dëshirës: Mënyra e jetesës, edukimi, hormonet, fantazitë, ndjenjat…
Ndikimi i hormoneve
Hormoni i dëshirës është testosteroni, si te burrat, ashtu edhe te gratë. Ai prodhohet nga testikujt e gjendrrat mbiveshkore te burrat dhe vezoret, te gratë. Niveli i testosteronit është më i ulët te gratë sesa te burrat, por kjo nuk do të thotë se gratë kanë më pak dëshirë për seks. Në fakt, trupi i femrës është shumë më i ndjeshëm ndaj testosteronit sesa trupi i mashkullit dhe kështu, diferenca kompensohet.
Ndryshimet hormonale, veçanërisht gjatë ciklit menstrual, ndikojnë veçanërisht në intensitetin e dëshirës femërore. Në ditët para ovulimit, trupi i grave regjistron një pik estrogjenesh dhe dëshira e tyre është në kulmin e saj (me përjashtim të atyre që përdorin kontraceptivë hormonalë). Përkundrazi, pas lindjes së një fëmije, gratë sekretojnë prolaktinë, hormonin që pengon dëshirën.
Faktorët psikologjikë
Edukimi, kultura, pengesat shoqërore dhe fetare, të trashëguara nga shekujt e kaluar, ushtrojnë akoma një presion moral të madh mbi gratë që i shprehin më me droje dëshirat e tyre, në krahasim me burrat. Kjo mbase shpjegon edhe faktin pse burrat e ndajnë shumë më lehtë dëshirën seksuale nga ndjenjat. Ata mund të kenë dëshirë të bëjnë dashuri me një person, me të cilin nuk janë të dashuruar. Megjithatë, sa më të lidhur të jenë me partneren e tyre, aq më e fuqishme bëhet libidoja e tyre.
Gjithashtu, dëshira mashkullore ka tendencë të jetë impulsive, domethënë, vjen së brendshmi, ndërkohë që ajo e femrës provokohet më shumë nga dëshira dhe eksitimi i tjetrit, nga një mjedis i favorshëm, një situatë relaksuese, e favorshme për përkëdhelje.
Mosha dhe dëshira seksuale
– Te burrat, dëshira seksuale shfaqet në pubertet, që me masturbimet e para. Ajo është shumë e zhvilluar deri në moshën 50 vjeçare, por mund të fillojë të bjerë më pas. Në fakt, me kalimin e moshës, disa burra kalojnë andropauzën, një pakësim të testosteronit, që shkakton ulje të libidos.
– Megjithëse dëshira shfaqet më vonë te gruaja, ajo rritet me kalimin e kohës dhe sidomos, me eksperiencën. Pjekuria seksuale vendoset aty te 35 vjetët. Në menopauzë, niveli i estrogjeneve pakësohet dhe vezoret sekretojnë më pak testosteron. Megjithatë, hyjnë në lojë faktorët psikologjikë dhe kjo nuk do të thotë se dëshira duhet të ulet medoemos. Gratë kanë më shumë kohë për të menduar për veten e çiftin dhe i lënë më shumë vend jetës së tyre seksuale. Kjo periudhë e jetës së një gruaje, shënon shpesh edhe rilindjen e dëshirës.
Momentet më të mira për gruan dhe burrin
Pse ai do të bëjë seks në mëngjes, ndërkohë që ju e keni me nxitim dhe nuk ju ka dalë ende gjumi? Përgjigjja qëndron në faktin se niveli i testosteroneve të burrave shtohet me 30% në mëngjes! Përkundrazi, gratë, për të pasur dëshirë, kanë nevojë të ndjehet të relaksuara, zen dhe të lira. Momenti i duhur është pra, në darkë, kur fëmijët të kenë fjetur dhe kur problemet e punës të jenë harruar. Vështirë të përputhësh kohët! Në lojë, futen edhe bioritmet. Gratë e shohin dëshirën e tyre të shumëfishohet që me ardhjen e pranverës, për shkak të një piku estrogjenesh. Te burrat, kjo ndodh më vonë, andej nga fillimi i verës.
Si të akordoheni? Kur tjetri nuk ka dëshirë, ai që kërkon të bëjë seks ndjehet i refuzuar, jo i dëshiruar dhe i dashur nga tjetri. Për të evituar këto lloj situatash të pakëndshme si për njërin, ashtu edhe për tjetrin, filloni dialogun. Secili duhet të shprehë ndjenjat e zhgënjimet e tij, për të rilidhur urat me tjetrin. Në fund, ashtu si thotë proverbi i famshëm, “oreksi vjen duke ngrënë”, mos hezitoni të përpiqeni pak në fillim, sepse duke bërë përkëdhelje dhe prekje, dëshira zgjohet në mënyrë të natyrshme.