Humbja e bujshme e peshës së Adele u ndihmua nga një trajner fitness-i që stërviti Lady Gaga-n. Ajo punësoi një kuzhinier personal me rekomandimin e yllit të Hollivudit, Cameron Diaz.
Të gjithë reaguan në lidhje me paraqitjen e Adele në postimin e publikuar në 32-vjetorin e saj, javën e kaluar. Miqtë e këngëtares zbuluan se si mori ndihmë nga specialisti. Ajo bën seanca trajnimi 35-minutëshe pesë herë në javë me ushtrime për barkun dhe për krahët. Më parë ishte raportuar se Adele ndiqte dietën Sirtfood, e cila përfshinte tre lëngje jeshilë dhe një vakt në ditë, për tre ditë në javë dhe më pas, 1.200 kalori në ditë për katër ditë në javë.
Adele, e cila u rrit në Tottenham, në Londrën e Veriut, tani jeton në Los Anxhelos, e fiksuar pas shëndetit pasi bëri kërkesë për divorc nga bashkëshorti Simon Konecki, 46 vjeç, babai i djalit të saj 7-vjeçar Angelo, vitin e kaluar.
Shpesh ajo është akuzuar për operacione që e kanë bërë të bjerë në peshë, por ish-trajneri i saj personal ka hedhur poshtë të gjitha spekulimet.
“Kur Adele dhe unë filluam udhëtimin tonë së bashku, kurrë nuk ishte për t’u bërë kockë e lëkurë. Bëhej fjalë për shëndetin e saj. Sidomos pas shtatzanisë. Është e natyrshme që me ndryshimin të lind një ndjenjë e re dhe dëshiron të jesh versioni yt më i mirë i mundshëm. Kjo metamorfozë nuk është për shitje të albumeve, për publicitet ose për të qenë një modele. Shpresa ime është që njerëzit të vlerësojnë punën e palodhur që Adele ka bërë për të përmirësuar veten. .”- tha ai.
Adele u nda nga bashkëshorti Konecki prillin e kaluar, pas tetë vitesh dhe divorci nuk është bërë publik.