Autoritetet britanike
po zhvillojnë një vaksinë imunizuese
ndaj koronavirusit të ri,
provat për të cilën do të fillojnë të enjten nga shkencëtarët e Universitetit të Oxford-it. Qeveria britanike do të investojë vetëm për provat klinike të kësaj vaksine 20 milionë paund. Ndërkaq në vend u rrit sërish numri i viktimave, krahasuar me të dhënat e fundjavës. Provat tek njeriu për një vaksinë imunizuese ndaj Covid-19 do të fillojnë ditën e enjte nga shkencëtarët e Universitetit të Oxford-it, njoftoi sekretari i Shëndetësisë Matt Hancock. “Unë jam i sigurt se ne do të vendosim në dispozion çdo gjë për të zhvilluar një vaksinë. Mbretëria e Bashkuar ka investuar më shumë para se çdo vend tjetër në këtë fushë,” tha Hancock, ndërsa shtoi se projektet në këtë drejtim janë shpresëdhënëse dhe po përparojnë shpejt, si në Universitetin e Oxford-it ashtu edhe në Kolegjin e Londrës. Qeveria britanike do të investojë 20 milionë paund në projektin e Universitetit të Oxford-it për të financuar provat klinike. Britania synon që të ketë gati deri në muajin shtator rreth një milion doza vaksinash, pavarësisht rezultatit përfundimtar. Autoritetet raportuan sërish rritje të numrit të vdekjeve nga koronavirusi. Në 24 orë u raportuan 823 viktima më shumë, ndërsa lajme pozitive vijnë nga Londra ku epidemia kaloi pikun javën e kaluar dhe tani ka filluar rënien.