Pas rastit të bërë publik
të 4 fëmijëve të prekur me Koronavirus,
mjeku epidemiolog Dritan Ulqinaku
u shpreh se ata mund ta kenë marrë viruësin në spital. Në një lidhje skype për emisionin “Vizioni i Pasdites” në Vizion Plus ai sqaroi gjithashtu edhe probabilitetin që një fëmijë të kalojë në gjendje të rëndë.
“Simptomat janë njëlloj, probabiliteti që një fëmijë të kalojë në gjendje të rëndë apo të ndërrojë jetë është shumë i vogël në krahasim me një qytetar, në moshë më të madhe, 0.01% për një fëmijë. Janë bërë tamponët patjetër. Mundësia më e madhe është ta kenë marrë në spital . Është pak e vështirë ta vendosim gishtin se ku e kanë marrë por besoj në ambientet e spitalit”, u shpreh Dritan Ulqinaku.
I pyetur sa do të zgjasë java e “zjarrit” epidemiologu Ulqinaku dha një lajm të mirë. Sipas tij nëse vijojmë me këtë trend, situata është e menaxhueshmë. Epidemiologu sqaroi gjithashtu edhe ekspozimin e të rinjve karshi këtij virusi.
“Të gjithë janë të prekur dhe të infektueshëm. Situata agravon me moshën dhe me sëmundje të tjera. COVID e ka vdekshmërinë 3-4%. Kjo nuk e përjashton rastin që nuk ka edhe të rinj që humbim jetën. Shance nuk ka që virusi të përsëritet. Virusi duhet të bëj një mutacion të dytë, që ne e quajmë dritë. Për momentin ai që e kalon për një vit nuk kthehet.”
Përsa i përket hetimit epidemiologjik doktori tha që është i domosdoshëm bashkëpunimi i qytetarëve.
“ Është thembra e Akilit prandaj kërkoj bashkëpunimin e qytetarëve. Qe nga qëndrimi në shtëpi dhe adresat e sakta të çdo qytetari. Janë mjekët që shkojnë në shtëpi për të marrë kontakte me pacientët, shenjat etj. Bashkëpunimi me mjekët duhet të jetë i plotë. Nëse fshehim diçka rrezikojmë jetë.”