Të jesh e divorcuar,
nënë dhe të rrisësh e vetme një fëmijë në Shqipëri
është shumë e vështirë. Kjo bëhet edhe më e vështirë kur nuk ke shtëpi, kur nuk ke punë dhe as një profesion…
Në dhjetor të vitit 2018, *Klara, 26-vjeçarja nga Shkodra i dha fund martesës së saj. La pas ëndrrat e thyera dhe vijoi të jetë e fortë për veten dhe për fëmijën e saj 2-vjeçar… Pa punë, pa profesion dhe me një jetë për t’ia rinisur nga e para, ajo bashkë me djalin e vogël u transferuan në një shtëpi me qira, falë dhe ndihmës së familjes së saj.
Të rifillosh…
Mes frikës për të ardhmen, të një procesi për divorc që nuk mund ta vijonte, sepse nuk e kishte të mundur të përballonte shpenzimet e gjyqit, ajo po përjetonte ditët e saj më të vështira…
“Ende i kujtoj ato ditë, atë situatë të vështrirë veçanërisht nga ana ekonomike dhe morale, por për fat kam pasur mbështetjen e familjes sime. Fëmija është dy vjeç dhe nuk mundem të them se e kupton situatën, por unë po mundohem me mish dhe me shpirt që t’i krijoj mundësi për një jetë të mirë, duke siguruar shtëpi, çerdhe, ushqim dhe veshmbathje. Prioritet për mua është fëmija im dhe do të mundohem që t’ia krijoj mundësitë me çfarë të mundem.”- pranon ajo.
Ajo nisi të kërkojë punë duke pyetur të njohur e të panjohur. Ato pak raste që arriti të gjente diçka, kërkonin punëtore me turne dhe në disa raste edhe pa të dielën pushim.
“Për të gjetur punë më pengonte orari i çerdhes së djalit, që mbyllej në orën 17:00. Kjo gjë s’më lejonte punë me turne dhe të dielën çerdhja është e mbyllur. Në ato vende ku kam pyetur, e diela nuk ishte pushim”- na thotë ajo.
Sfidat e Klarës nuk ishin vetëm gjetja e një pune që të siguronte jetesën e saj dhe të birit, pasi bashkëshorti nuk kontribuonte më, por dhe të ecte para me procesin e divorcit, i cili gjithashtu kërkonte shpenzime dhe tarifa që ajo nuk mund t’i përballonte.
“Unë kisha nevojë për këshillim ligjor, kudo që pyesja me kërkonin para dhe shifrat ishin të papërballueshme, avokatët vetëm për kërkesë-padinë kërkonin 15.000 lekë, psikologu kërkonte 40.000 lekë, si dhe tarifat për shpenzimet gjyqësore… “ – tregon ajo
Gjatë kërkimeve të saj, ajo ndeshi në Zyrën Ligjore që ofronte shërbime Falas në Shkodër, iniciativë e “Raise YOUR Voice for Human Rights”, në kuadër të projektit “Youth Standing Up for Human Rights in Albania” (Të rinjtë për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri) zbatuar World Vision dhe SEEYN me financim të Bashkimit Evropian.
“Ndihma e zyrës fillimisht ka qenë për të më shpjeguar të gjitha procedurat dhe pasojat e zgjidhjes se martesës. Kam zhvilluar disa takime në Zyrën e Shërbimeve ligjore dhe më kanë kushtuar gjithmonë kohë për të dëgjuar problemet që unë kisha. Me një fëmijë të vogël për të rritur, procedurat e divorcit i kam lënë pak mbrapa, por tani kam nisur kërkesë-padinë dhe kërkesën për përjashtim nga tarifat gjyqësore, të cilën e kanë përgatitur punonjësit e zyrës dhe në vazhdim do pres edhe thirrjen për në gjykatë.”- na shpjegon Klara.
Në Zyrën Ligjore Falas, Klara gjeti përkrahje jo vetëm në aspektin juridik, por dhe atë njerëzor.
“Shkova në zyrën që kisha dëgjuar. Kur hyra më pritën stafi dhe të rinjtë vullnetarë, më lanë takim një ditë tjetër që të dorëzoja dokumentat mbi procesin e divorcit. Më shoqëruan në Zyrën e Punës, ku u takova me ndërmjetësen për punë, e cila më sugjeroi punën që kam aktualisht.”– thotë 26 vjeçarja.
Aktualisht, Klara është e punësuar në një kompani fasonerie, në procesin e paketimit të veshjeve. Gjendja ekonomike është përmirësuar dhe arritur të përmbushë disa nevoja të fëmijës.
“Tani ndihem më fortë, edhe pse pa mbështjen e bashkëshortit, kam besim që mund t’ia dal”- pranon ajo.
Gjatë këshillimeve në Zyrën e Shërbimeve Ligjore falas në Shkodër
Një zyrë ligjore falas
Zyra e Shërbimeve Ligjore Falas është një stacion, i krijuar për të pritur raste konkrete që kanë nevojë për ndihme juridike parësore. Kjo zyrë është ideuar nga të rinjtë në Shkodër, pjesë e “Raise YOUR Voice for Human Rights”, me qëllim që të ofrohet ndihmë personave me pamundësi ekonomike dhe që t’i shërbejë studentëve të fakultetit të drejtësisë për të bërë praktikën. Fuqizimi ekonomiko-social i Klarës, nëpërmjet punësimit pas ndërmjetësimit me zyrën e Punës dhe përpilimi i kërkesë-padisë dhe Kërkesës për Përjashtim Tarifash Gjyqesore, është një ndër sukseset që Zyra e Ligjore falas ka arritur.
Të rinjtë dhe të drejtat e njerit
Prej muajit Prill 2019 ka nisur iniciativa “Raise YOUR Voice for Human Rights”, pjesë e projektit “Youth Standing Up for Human Rights in Albania” (Të rinjtë për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri”) zbatuar nga World Vision dhe SEEYN, i bashkëfiancuar Bashkimi Evropian. Ky projekt ka në fokus të rinjtë dhe fuqizimin e tyre në çështjet e të Drejtave te Njeriut, por dhe duke i dhënë studentëve të drejtësisë në Shkodër, një hapësirë ku mund të njohin dhe të prekin më nga afër çështjet ligjore.
*Emri i personazhit është ndryshuar për të mbrojtur identitetin e vërtetë.
#YouthStandingUpforHumanRightsinAlbania
#Ecimrritemisebashku
#youthempowerment
#humanrights #ruleoflaw #childparticipation