Nga Kimberli Kadriu
Kultura, në kuptimin e antropologjisë bashkëkohore
paraqet bashkësinë e trashëgimisë shoqërore dhe jo vetëm pjesëmarrjen në disa vlera të elitës.
Kultura është art, gjuhë, fe, mendësi, trashëgimi, vlerë. Në mënyrë definitive është rruga më e shpejtë drejt integrimit Europian. Që të shkrihesh brenda një uniteti, së pari duhet të zotërosh një esencë vetjake, të patjetërsuar. Është pikërisht esenca kulturore ajo që skalit vlerat dhe i fal identitet një kombi.
Paulo Coelho shprehet: “Kultura i bën njerëzit ta kuptojnë më mirë njëri-tjetrin. Dhe në qoftë se ata e kuptojnë më mirë njëri-tjetrin në shpirt, është më e lehtë të kapërcesh barrierat politike dhe ekonomike.” Ato duhet të kuptojnë se në fund të fundit fqinji i tyre është njësoj si ata, me të njëjtat probleme e me të njëjtat pyetje.
Historia ka provuar se nëse një komb zotëron kulturë, kultura kthehet në motorrin ekonomik të një vendi. Ndoshta shembulli më i thjeshtë për tu përqafuar është ai i Romës apo Greqisë së lashtë. Vende që u cilësuan djepe të qytetërimit dhe shërbyen si modele qeverisje për gjithë botën. Ato u shquan për revolucionin në art, pikturë, letërsi, skulpturë, arkitekturë etj. Gjuhët e tyre u bënë themeli i studimit të historisë, zakonet dhe ritet e tyre u përqafuan nga popujt përreth. E kur analizon me vëmendje, kupton se këto vende nuk bënë gjë tjetër veçse zhvilluan dhe promovuan kulturën e tyre.
Jam në një mendje me Part Buchanon kur thotë se: “Demokracia nuk mjafton. Nëse kultura vdes, edhe kombi vdes. Çfarë na bëri ne shqiptarëve një komb të afirmuar? Qeverisja demokratike? Zhvillimi ekonomik? Nëse kthehemi në kohë vite pas, përgjigjja është lehtësisht e gjetshme. Në vitet kur popujt e tjerë na cilësonin barbarë, nuk qe qeverisja ajo që mbrojti tezën e vazhdimësisë pellazgo- ilire. As zhvillimi ekonomik. Ishte gjuha e shkruar dhe e folur, ishin zakonet autoktone, ritet e mendësia që provuan se ne jemi një komb vendas, me vlerat dhe kulturën tonë unike. Është pikërisht kjo gjuhë e veçantë që dhe sot cilësohet si degë e veçantë e familjes indo-evropiane. Në qoftë se kultura është arsyeja pse ende sot jemi shqiptarë, flasim shqip dhe rrojmë në këtë komb që quhet Shqipëri, do të jetë po kjo kulturë që nesër do të na emërojë pjesëtarë të Unionit Europian. Kultura shqiptare është vlerësuar gjithmonë për veçoritë e saj, për kostumet e veçanta, për gjuhën unike, për talentet e shumta në të gjitha fushat e artit, për bashkëjetesën fetare në mënyrën më paqësore të mundshme, e shumë e shumë vlera të tjera që mbart. Mbetet për t’u realizuar vetëm promovimi i këtyre vlerave dhe për t’i dhënë rëndësinë e duhur që meriton kësaj kulture që na ka mbajtur gjallë. Të jetë kaq e vështirë vallë?
E vështirë ose jo, kjo nuk ka fare rëndësi. Është një nevojë e domosdoshme për të qenë plotësisht të realizuar si komb. Imre Kërtezës shprehet se: “Një civilizim që vlerat e tij nuk i ka të qarta, apo vlerat e tij i lë në baltë është i destinuar të marrë rrokullimën e t’i dridhen gjunjët.” Nëse ne s’jemi të aftë të ecim me këmbët tona, ju siguroj se as BE-ja nuk do të pranojë një komb që zvarritet në një karrocë me rrota. Teksa presim me lutje që politikanët të sjellin ndryshimin, Europa fillon në pragun e derës së shtëpisë sime, tëndes, në derën e shtëpisë së të gjithëve ne!