Unë që po ju shkruaj jam Manushaqja dhe jetoj në një qytet të vogël në Jug të Shqipërisë.
Të parët tanë thonë një fjalë të urtë popullore, se peri këputet atje ku është më i dobët dhe në fakt, kjo qenka e vërtetë.
Qëkur kam lindur, kam patur probleme në ecje dhe çaloj nga të dyja këmbët.
Isha vajzë e vetme mbas katër vëllezërve dhe jetoja në një fshat shumë të varfër. Prindërit nuk donin që unë të rrija beqare në shtëpi, pasi kur të vinin nuset e vëllezërve do kishim probleme dhe kështu, vendosën e më martuan me të parin burrë që erdhi më kërkoi në shtëpi. Petriti, bashkëshorti im, ishte një njeri i pashëm, që më bëri për vete që në momentin e parë. Ai kishte pësuar një aksident kur punonte në fushën e druve dhe doktorët ishin të detyruar që t’i prisnin këmbën. Më vonë, ai kishte vendosur këmbë prej druri. Ashtu si të gjithë njerëzit e tjerë, pavarësisht nga defektet fizike që kishim, edhe ne kishim nevojë që të jetonim si gjithë të tjerët, të kishim familjen tonë dhe kështu, vendosëm të martoheshim. Bashkëshorti im, Petriti, u fut në kurs për rrobaqepës dhe u punësua në qytetin ku ne jetojmë sot. Edhe unë, po ashtu, punoja në një fabrikë të prodhimit të turshive. Martesa jonë u finalizua në një moshë të madhe, megjithatë, Zoti e bekoi me lindjen e një fëmije, i cili ishte edhe gëzimi ynë. Bashkë me Petritin vendosëm që djalin ta quanim Fatjon sepse ishte fati ynë që në atë moshë u bëmë me fëmijë. Lindja e djalit u bë një motiv më shumë që ne të punonim dhe t’i krijonim kushte të mira jetese që ai të rritej sa më i lumtur. Fatjoni na e kishte bërë jetën aq të lumtur sa nuk mund ta përshkruaj dot; çdo ditë e mbulonim me përkëdhelje dhe puthje të pafundme. Ishte një fëmijë që gëzonte shëndet të plotë dhe ishte shumë i bukur. Të gjithë që e shikonin e përkëdhelnin dhe i jepnin ndonjë lek për të blerë akullore ose çokollata. Edhe kur vinin njerëzit e mi apo të Petritit, nuk e linin asnjëherë pa i dhënë lekë. Si të thuash, ai në shkollë ishte fëmija më i llastuar dhe më i mirëmbajtur nga ana ekonomike, dallonte nga fëmijët e tjerë se të gjithë njerëzit e mësuan duke i dhënë lekë në dorë. Kjo, sepse u vinte keq që unë dhe Petriti nuk kishim mundësi për t’i krijuar kushte më të mira jetese, mirëpo e gjithë kjo ashtu si pa kuptuar ndikoi për keq në formimin e djalit tonë. Këtë gjë ne e kuptuam kur vendi ynë ndryshoi në sistemin politik ku u mbyllën ndërmarrjet dhe fabrikat dhe si të gjithë shqiptarët e tjerë, edhe ne e gjetëm veten të papunë. Jetonim me asistencë, mirëpo djali kishte filluar të rritej, ai ishte në klasën e shtatë dhe kërkonte të tjera kushte. Prindërit e fëmijëve te tjerë shkonin jashtë shtetit dhe u dërgonin rroba e i mbanin fëmijët e tyre me gjëra të jashtme, kurse ne ishim të dy të pamundur për të emigruar dhe aq më keq, ngelëm edhe pa punë. Ana ekonomike na detyronte që të mos ishim si gjithë të tjerët dhe djali, që kishte hyrë në moshën e adoleshencës, kishte filluar ta përjetonte shumë keq këtë fakt. Ai nuk donte që të shoqërohej më me ne siç bënte kur ishte i vogël që unë ose Petriti e merrnim përdore dhe e çonim në shkollë. Djali ishte drita e syve tanë dhe na dhembte në shpirt që nuk e ndihmonim dot që edhe ai të ishte i barabartë me shoqërinë e tij. Gjithmonë, kur gatuanim gjëra të mira në ndonjë rast feste, ne e hiqnim nga goja jonë dhe ia ruanim Fatjonit. Mendonim se kjo gjë do të ndikonte për mirë tek ai duke na dashur dhe respektuar më shumë, mirëpo përkëdheljet e tepërta e tërbojnë fëmijën, këtë nuk e thoshin kot të parët. Kjo gjë ndodhi edhe me Fatjonin. E mbanim në pëllëmbë të dorës, por ai filloi ta nëpërkëmbte dashurinë tonë. Tashmë, ai kishte hyrë në shkollë të mesme dhe në mësime nuk ishte më i pari, siç ishte në tetëvjeçare. Jo vetëm kaq. Mësuesit vinin në shtëpi dhe ankoheshin për sjelljen jo të mirë të djalit tonë. E merrnim në darkë dhe e këshillonim, por ai prapë nuk na e vinte veshin, derisa një ditë na erdhi njoftimi se Fatjonin e kishin përzënë nga shkolla. Kjo ishte dita më e keqe për mua dhe bashkëshortin tim. Në qytetin tonë të vogël ne njiheshim si një familje shumë e mirë dhe që të gjithë na nderonin e respektonin, por nga mënyra se si na trajtonte djali, kishim vënë re se e gjithë kjo sjellja e tij ndikohej nga fiziku im dhe i bashkëshortit tim. Ai hynte në shtëpi i nevrikosur, ne nuk mund të flisnim dot me të, ai nuk na kryente asnjë porosi, detyroheshim që t’i thoshim ndonjë fëmije të komshiut sesa djalit tonë. Kjo gjë ishte shumë e dhimbshme. Fatjoni kishte filluar të bëhej edhe shumë nevrik sepse kur ishte i vogël të gjithë e kishin mësuar duke i dhënë lekë në dorë, por mbasi e la shkollën në mes, asnjë njeri nuk e përkrahte më atë, duke i dhënë lek. Ata donin t’i tregonin se tani u rrit dhe duhet të bëhej zot i vetes, por ishte tepër vonë. Fatjoni ishte rritur si një fëmijë tekanjoz e i llastuar dhe ky ishte një gabim që nuk ndreqej më. Muajt e vitet kalonin shpejt dhe ai, në vend që të përmirësohej, bëhej akoma më keq. Shokët e tij të shkollës e kishin ftuar në mbrëmjen e maturës dhe ne, të detyruar prej tij, u futëm në borxhe e i gjetëm lekët që ai të blinte veshjen dhe të paguante darkën. Përveç kësaj, ai çdo ditë në mëngjes bënte sherr me të atin duke i kërkuar lek për duhan dhe për kafe. Sherri ishte bërë i pranishëm në familjen tonë dhe asnjë prej nesh nuk mund ta shmangte. Të gjithë njerëzit tani ishin angazhuar që Fajtoni të punonte, mirëpo si djalë i përkëdhelur që ishte, ai nuk e kishte qejf fare punën, madje fillonte një ditë ose dy dhe ditën e tretë e linte. Ai ishte djalë simpatik dhe shumë vajza linin kokën për të, por unë isha e sigurtë se ai nuk lidhej me asnjërën prej tyre për faktin se prindërit e tij ishin sakatë. Sa shumë që mërziteshim ne për këtë fakt! Dukej sikur sytë e Fajtonit na e thoshin një gjë të tillë, derisa një ditë në gjendje të dehur na e deklaroi me gojën e tij: “Më vjen turp që jam djali juaj”.
Neve sa nuk na ra tavani mbi kokë. Unë fillova të qaja, ndërsa Petriti nuk e përmbajti dot veten dhe e qëlloi me shkopin që e përdorte për të ecur. Ishte hera e parë që ngriti dorën ndaj Fatjonit dhe kjo bëri që ai të ikte nga shtëpia. Unë bashkë me Petritin e gdhimë pa gjumë, duke pritur që ai të kthehej. Që mbas asaj dite, me Fatjonin kishim vetëm sherre dhe ofendime të pafundme. Ai kishte arritur deri aty sa na kishte thënë: “Do t’ju vras, nuk kam çfarë ju dua”. Na bënte të ndjeheshim fajtorë që e kishim sjellë në jetë. Më tepër ai e kishte inatin me mua dhe këtë e vërtetova një ditë kur më tha se kur të vdiste Petriti, do të më mbyllte në një dhomë si qeni. Ajo ditë ka qenë kulmi i të gjitha sherreve. Petriti nga nervat mori thikën të gjuante djalin, por unë i dola përpara dhe i thashë: “Më mirë më vrit mua”. Ajo ka qenë dita e zisë në familjen tonë. Që atë ditë ne i deklaruam Fatjonit se ai nuk ishte më djali ynë. Nuk paska më keq sesa të të përbuzë fëmija, ai që ti i ke dhënë jetë dhe për të cilin ke bërë një mal me sakrifica. Çdo gjë u fshi si me gomë, ne kemi mbetur pa djalë, Fatjoni sot është 35 vjeç dhe punon e jeton në Itali, ka shtatë vjet që nuk na ka folur dhe me sa duket, as që ka ndërmend ta bëjë, vetëm ndonjë informacion e marrim nga shokët e tij të ngushtë. Petriti e shan dhe e mallkon çdo ditë, ndërsa unë si nënë, i lutem Zotit vetëm t’i japë shëndet dhe një ditë të ndërgjegjësohet. Ndoshta kur të bëhet vetë prind, do të na kujtojë dhe do t’i kuptojë vuajtjet që na ka shkaktuar papjekuria e tij. Tashmë i vetmi motiv i jetës sonë është që një ditë Fatjoni të kthehet dhe të na kërkojë të falur për të gjitha dhimbjet dhe vuajtjet që na ka shkaktuar.