– Përshëndetje redaksi! Jam një vajzë nga një qytet i vogël… Jam në një gjendje shumë të keqe shpirtërore. Jam fejuar me një emigrant në Angli dhe ai vetëm në shtator mund të vijë të më marrë, kështu që kemi ndarë ditën e dasmës, kemi prenotuar lokalin e kemi përgatitur gjithçka që ka të bëjë me dasmën. Unë prej kohësh e kam babin sëmurë, por ditët e fundit mësuam se kanceri kishte përparuar shumë dhe atij i kanë mbetur vetëm pak javë jetë, ndoshta edhe vetëm disa ditë… Jam shumë keq shpirtërisht. Në këtë gjendje, as që dua të mendoj për dasmën, por babai më thotë se do që të më shohë nuse dhe unë nuk e di a do t’ia arrijë ai asaj dite… Si t’ia bëj, të anulloj gjithçka dhe t’i kushtohem atij në ditët e tij të fundit, apo të vazhdoj me përgatitjet e dasmës, që, nëse ai do të jetë gjallë deri atëhere, të arrijë të më shohë nuse? Nuk e ndjej të vishem nuse kur e di se atij i kanë mbetur edhe pak ditë jetë… Jam shumë, shumë keq… Si do të vepronit ju po të ishit në vendin tim?
Advertisement