Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Babai e tradhëtoi në shtratin e vdekjes

Unë që po ju shkruaj jam një vajzë rreth të tridhjetave.

Kam pak kohë që kam humbur mamin dhe ende nuk më është zvogëluar dhimbja.

Ndoshta kjo është një dhimbje që nuk shuhet asnjëherë për të gjithë, por unë mendoj se për mua është pak ndryshe.

Advertisement

Mamaja ime vdiq nga kanceri. Përveç kësaj, ajo, vitet e fundit të jetës i kaloi nëpër spitale, duke mbartur sëmundjen dhe tradhtinë e babit tim.

Mund të habiteni teksa lexoni këta rreshta të historisë sime, por ja që çdo gjë mund të ndodhë. Unë tani që po ju flas nuk është se nuk flas me babain tim, flas vetëm sa për sy e faqe, siç i thonë. Po ju tregoj se si ndodhi.

Nëna ime u sëmur në moshën 45 vjeçare. Ishte një femër e fortë dhe askush nuk mendonte se do të vdiste ndonjëherë, jo më aq shpejt sa vdiq ajo. Asnjëherë nuk e kisha parë të rrinte shtrirë as nga ndonjë grip e as nga ndonjë sëmundje tjetër. Në fillim, ajo nuk na tha ne fëmijëve. Unë dhe vëllai, i cili është më i vogël, pak a shumë dyshonim, sepse ajo nuk ishte aq aktive sa më parë, la punën dhe punët e shtëpisë i bënte me hope. Derisa u sëmur ajo, ne nuk kishim patur nevojë të bënim as gjërat elementare të përkujdesjes për veten, mirëpo ajo po lodhej çdo ditë e më shumë dhe kur i bënte të gjitha punët, rrinte dy ditë shtrirë, kështu që ne filluam të bënim çdo punë shtëpie dhe kujdeseshim shumë për të. Për çdo gjë, ajo na falënderonte dhe na thoshte se sa të përmirësohej çdo gjë do të ishte si më parë.

Në fakt, këto ishin vetëm fjalë, sepse ajo sa vinte e bëhej më keq. Në shtëpi, gjendja ishte shumë e rënduar. Ne ishim mësuar me “shërbëtore” dhe nuk arrinim të punonim e të ishim të qetë. Nëna vetëm na vështronte, mbyllte sytë e dukej sikur lutej që të shërohej sa më shpejt e të na vinte në ndihmë. E di se edhe në momentet më të vështira ajo mendonte për ne dhe jo për vete. E tillë ishte ajo!

Për fat, nënës i doli jashtë shtetit një kushëri i cili do ta ndihmonte të bënte një kurë shumë të shtrenjtë që nuk do ta zhdukte sëmundjen, por do ta ngadalësonte atë. Të gjithë ishim të gëzuar dhe sidomos, nëna. I kujtoj gjithmonë fjalët që tha në atë moment:

– Faleminderit o Zot që më solle edhe një shanc për mua e familjen time!

Kura zgjati disa muaj. Gjatë kësaj kohe që nëna ishte jashtë shtetit, pashë një ndryshim të madh te babai im. Ai dukej si më i rinuar dhe me shumë energji. Mendoja se ishte ashtu për faktin që mamaja kishte ndoshta edhe një shanc për të jetuar dhe me këtë mendim në kokë isha gjatë gjithë kohës. Edhe kur ai dilte e vonohej të vinte në shtëpi, mendoja se ishte një gjë e zakonshme, pas gjithë asaj torture që kishte hequr me nënën. Nëna u kthye dhe dukej shumë mirë. Ajo nuk ishte aq e fuqishme sa kishte qenë para sëmundjes, por ishte më mirë sesa kur u nis për kurim. Të gjithë ishim të lumtur. Jeta vazhdoi gati normalisht, sepse nëna kishte një thes me ilaçe e gjilpëra për të bërë, por ajo mund të dilte, bënte ndonjë punë shtëpie, gatuante dhe këto ishin mjaft me ato që kishte hequr. Nganjëherë e shikoja se ngrihej me sy të enjtur, por kisha pyetur doktoreshën dhe ajo më tha se mund ta kishte nga ilaçet.

Një ditë, kur u ktheva në shtëpi, e pashë ulur në divan dhe sapo më pa mua, fshiu lotët. U tremba dhe e pyeta se mos ishte e sëmurë. Ajo më pa të trembur dhe më tha se nuk kishte gjë, vetëm ishte mërzitur në shtëpi e nganjëherë i vinte vetvetiu të qante. E kuptova se po më gënjente. U mendova shumë dhe mendja më shkonte vetëm te sëmundja e saj. Ndoshta mjekët i kishin thënë ndonjë gjë që ne s’e dinim.

I pari të cilit më shkoi ndërmend t’ia thoja këtë gjë ishte babai. Ai u habit dhe tha se doktorët, nëse do të kishte patur ndonjë gjë, do na e thoshin. Ai më qetësoi duke më thënë se ajo ishte një grua e fortë dhe çdo gjë do ta kalonte vetë, si gjithmonë. Në fakt, kur e mendoj tani bisedën time me babanë, kujtoj se në sytë e tij atë çast nuk kishte as shqetësimin më të vogël.

Që nga ajo ditë, mamaja ndryshoi. Ia shihja shpesh sytë me lot dhe ai entuziazmi që kishte kur erdhi nga jashtë pas mjekimit, i kishte rënë. Më vuri shumë në dyshime. Një ditë e takova mamanë te lokali poshtë pallatit. Ajo nuk dilte pa ne dhe kjo më bëri shumë përshtypje, por më tha se po më priste mua sepse kishte qenë te tezja dhe kishte dëshirë që të shkonim bashkë në shtëpi. Të nesërmen, pronari i lokalit më pyeti se si ishte bërë nëna. I thashë se pas kurës ishte më mirë, por ai më tha se po më pyeste se si u bë pas ditës së djeshme që ishte ndier keq dhe më kishte pritur mua, se nuk ngjitej dot. Menjëherë u ngjita lart dhe i thashë:

– Nënë, të lutem, më trego si është puna se po çmendem.

– Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, zemra ime. Është stresi i sëmundjes.

– Jo, nuk është e vërtetë, ty të mundon diçka, por nuk do të ma thuash sepse nuk do të më mërzitësh.

– Jo, bijë, nuk kam asgjë!

Në fakt, e mora si të vërtetë, por që nga ajo ditë, nëna sa vinte e bëhej më keq. E shtruam në spital dhe e bënim me radhë për të ndenjur me të. Atë ditë kisha një provim dhe babai duhej të vinte më herët nga puna e të rrinte me mamanë, por ai po vonohej. E mora në telefon dhe ai ma mbylli. E mora përsëri, por ai e fiku telefonin dhe unë menjëherë u ktheva nga mamaja dhe e pyeta se ç’mund të kishte ngjarë. Ajo më tha se e dinte ku mund ta gjeja. Më dha një adresë dhe shkova me vrap. Unë mendova se mos ishte ndonjë punë e dytë e babait, por kur e gjeta se ku ishte adresa, u zhgënjeva totalisht. Ajo ishte shtëpia e një gruaje që nuk kishte emër të mirë në atë lagje. Doja vetëm të shkoja e të trokisja që të përballesha me të dy, por nuk kisha guxim. Prita derisa ai doli në rrugicë dhe i dola përpara. Ai u turpërua dhe nuk më shihte dot në sy, mirëpo edhe unë e kisha të vështirë t’i flisja keq sepse mamaja na ka rritur me një edukatë të mirë familjare. Asnjëri nuk foli asnjë fjalë. Heshtja ishte forma më e mirë e shpjegimit. Të dy, ashtu, pa folur, u drejtuam për nga spitali. Nëna ishte shumë rëndë. Doktori na tha se nuk kishin çfarë t’i bënin më. E çuam për herë të fundit në shtëpi. Çdo ditë e më shumë ajo po tretej. Ajo më tha se nuk kisha pse të mbaja mëri me babain sepse çdokush mund ta kishte bërë një gjë të tillë. Sipas saj, ai kishte shkuar me një tjetër sepse ishte ndier shumë i vetmuar dhe kërkonte një vend ku të qetësohej. Nëna ime ishte e mrekullueshme, edhe pse e dinte mirë se nëse babai do të kishte qenë i sëmurë, ajo nuk do ta tradhtonte kurrë, prapë se prapë mundohej ta justifikonte veprimin e tij. Shumica e njerëzve nuk e morën vesh tradhtinë e babait, por disa të tjerë, e dinin. Nëna vdiq dhe në fund, kur u mblodhëm të gjithë afër saj, ajo na kërkoi ta falnim njëri-tjetrin për të gjitha ato gabime që kishim bërë, sepse i kishim bërë nga dëshpërimi. Vëllai nuk e kuptonte çfarë po thoshte nëna, ndërsa unë dhe babai e dinim mirë se përse e kishte fjalën. Ajo vetë, edhe pse nuk e shprehte, e kishte vuajtur shumë këtë tradhti dhe për shkak të saj u përkeqësua, por ajo kishte një shpirt të mirë dhe dinte të falte.

Pas vdekjes së saj shkova të takoja gruan me të cilën kishte patur lidhje babai. Ajo, kur hapi derën, u habit, megjithatë më ftoi brenda. U ula në një divan të vjetër në sallon dhe mora fjalën e para:

– Ju më njihni kush jam, prandaj besoj nuk kam nevojë për prezantim. – Ajo tundi kokën. Unë vazhdova me një zë tepër të ashpër dhe qortues: – Edhe pse mamaja ime ju ka falur si ty ashtu edhe tim atë, unë nuk jua kam faluar. Nuk mund t’ju fal tradhtinë e cila u bë shkak që të shtonte vuajtjet e nënës sime. Ajo ishte mjekuar dhe mjekët ishin të sigurtë se sëmundja ishte ngadalësuar, por mërzia e tradhtisë së babait bëri që kura të mos kishte efekt. Për këtë, gjithë jetën do të të kem halë në sy.

– Unë nuk kam faj, – më ndërpreu ajo. – Babai yt vinte sepse mërzitej shumë në shtëpi dhe kishte nevojë për dashuri, prandaj ki mirësinë të flasësh pak më mirë me mua.

Këto fjalë me nxehën shumë.

– Babai mund të kishte nevojë për dashuri, por atë do ta gjente te gruaja e tij, e cila edhe pse e sëmurë, asnjëherë nuk ia mohoi dashurinë, as atëherë kur e mori vesh për lidhjen tuaj. Duhet ta kishe njohur nënën time që të kuptoje se ç’mëkat të madh ke bërë!

Ajo përsëri mundohej ta justifikonte lidhjen e tyre. Nejse, tani çdo gjë ishte e kotë. Nëna ime nuk jeton më dhe asgjë nuk e kthen më atë. Vëllait nuk ia tregova sepse nëna ma la amanet. Ajo edhe në shtratin e vdekjes ishte përsëri njeriu ideal…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Çfarë të bëj për t'a rifituar?

Next Post

Bëjnë seks me mua dhe largohen

Advertisement