I ke parë gjithmonë me admirim prindërit e tu, duke dëshiruar që edhe ti të kishe një martesë dhe një mirëkuptim si i tyri?
Si mund t’ia arrish kësaj?
Si mund të jetosh me një njeri 50 vjet apo më shumë? Cili është sekreti i një martese jetëgjatë?
Ju, që jeni të fejuar, sa shpesh keni dëgjuar fraza të tipit: “Mos u marto, je ende në kohë!”, “Je i/e çmendur që do të martohesh?”, ose “Shpëto sa je në kohë!”? Mbase jua kanë thënë si me shaka, por janë afirmime të shpeshta nga ata që kanë vite të martuar, tashmë. Kjo ndodh sepse jeta në çift nuk është trëndelinë e këngë. Një moment je duke u puthur dhe momentin tjetër grindesh për programin e televizorit që do të shikoni, apo pse i ka hedhur rrobat sa andej-këndej. Mjafton pak gjë dhe ekuilibri prishet. Atëhere, si ta bësh një martesë që të funksionojë? Cilat janë rregullat bazë për të pasur jetëgjatësi? Ne i kemi kërkuar seksologes dhe terapeutes së çiftit, Françeska Romana Tiberi, të na tregojë 10 rregullat bazë që të funksionojë një lidhje bashkëshortore dhe ja në cilat përfundime kemi arritur…
1. Partneri është familja jote e re
Nuk duhet të ekzistojë askush tjetër përveç tij; partneri/ja ka prioritetin absolut. Me një fjalë, lini në plan të dytë prindërit, vjehrrën dhe vjehrrin, motrat, vëllezërit dhe kunetërit. Mos i sillni ndërmend mësimet dhe fjalët e tyre as brenda, as jashtë shtratit. Që tani e tutje, ekzistoni vetëm ju të dy, me interesat tuaja, idetë dhe mënyrën tuaj për të menaxhuar çiftin.
2. Mos e mbani televizorin në dhomën e gjumit
Mund të duket këshillë e pazakontë, por është më mirë të evitoni shqetësimet e jashtme në këtë dhomë. Duket banale, por televizori është shpesh arsye grindjeje, për shkak se çfarë doni të shihni, volumit, etj. Dhoma e gjumit është dhoma e komunikimit, e dialogut dhe e intimitetit. Shfrytëzojeni atë pak kohë që ju ngelet para gjumit për të biseduar, për t’u afruar apo për të bërë dashuri. Intimiteti do të shtohet edhe jashtë kësaj dhome.
3. Mos u grindni në dhomën e gjumit
Mos i lini zënkat për në shtrat. Meqë është dhoma e intimitetit, ajo nuk duhet të përdhoset me mërira dhe fjalë të këqija. Nëse duhet të grindeni, më mirë bëjeni në një dhomë tjetër të shtëpisë dhe pastaj, bëni paqe në dhomën e gjumit. Sekreti thelbësor që një lidhje të zgjasë, është që të mos shkoni në shtrat të zemëruar me njëri-tjetrin. Me kalimin e kohës, kjo dëmton lidhjen dhe e transformon zemërimin e momentit në mëri.
4. Krijoni momente vetëm për çiftin
Në një jetë të shëndetshme në çift, duhet të jeni të aftë të keni momente vetëm për ju të dy, raste të shenjta, në të cilat duhet të përpiqeni të merrni pjesë, për shembull, të hani mëngjesin e së dielës së bashku, picën të premten në darkë, etj. Krijimi i një rituali ndihmon për t’i dhënë një identitet çiftit, për të mos e lënë pas dore në rutinën e jetës së përditshme.
5. Respektoni hapësirat e tjetrit
Siç është e shenjtë të kaloni momente të bashku, po aq e rëndësishme është që secili të ruajë interesat dhe pasionet e veta, hapësira në të cilat tjetri mund të marrë pjesë dhe t’i ndajë me ty, por ku nuk duhet të ndërhyjë. Kujtohu që martesa nuk i ndryshon njerëzit. Nëse je dashuruar me të kur ishte tifoz i tmerrshëm i Tiranës dhe shkonte në stadium, nuk është e drejtë t’i kërkosh të heqë dorë vetëm se tani mban në gisht një unazë. Martesa nuk i ndryshon e as i rregullon njerëzit.
6. Mos u martoni për arsye të tjera, përveç dëshirës për t’u martuar
Një martesë e bërë nga nevoja, për të kënaqur të tjerët sepse ke mbetur shtatzënë, për t’i dhënë një kuptim lidhjes apo sepse “tani ka adhur momenti!”, nuk do të ketë jetë të gjatë. Martohesh sepse ke dëshirë të martohesh, se e do tjetrin dhe sepse beson në hapin që ke për të hedhur; nuk ekzistojnë arsye të tjera.
7. Respektoni gjithmonë rolet në çift
Përtej aspektit ekonomik, mendoj se duhet të rikthehet në modë thënia: “Burri duhet të mbajë veshur pantallonat”. Ekzistojnë detyra dhe funksione që i takojnë së pari burrit dhe të tjera, që i takojnë gruas. Në këtë drejtim, baballarët tanë kanë shumë për të na mësuar. Është shumë e bezdisshme për burrin nëse ka në krah një grua që vendos vetë dhe komandon për gjithçka. Kjo, me kalimin e kohës, mund të shkaktojë çarje të pariparueshme për çiftin.
8. Fëmijët bëhen me vendim të përbashkët
Fëmijët duhet të bëhen me vendim të përbashkët, jo për të kënaqur tjetrin. Pastaj, nuk mund t’i programosh kur do vetë, nuk dihet se kur mund të mbetesh shtatzënë.
9. Kini të njëjtat parime, vlera dhe ideale në jetë
Këto përbëjnë bazën e një individi dhe, që një çift të funksionojë, duhet të keni të njëjtat parime: Besnikëri, ndershmëri, respekt i tjetrit… Këto janë vlera që bashkojnë një çift, aq më tepër nëse keni vendosur të bëni fëmijë, për të cilët nevojitet medoemos të vendoset një metodë edukimi e përbashkët dhe pa keqkuptime, për të mos krijuar vështirësi në mësimin e fëmijëve.
10. Seksualiteti nuk është thjesht një aksesor
Në shtrat, matet afërsia e një çifti dhe mund të parashikohet edhe e ardhmja. Pakënaqësia e zhgënjimi, shkaktojnë ndarjen në 90% të çifteve të divorcuara. Edhe këtu nuk mendojmë se martesa ka shkopin magjik për të rregulluar moskuptimin e mirë në shtrat. Nëse në fillim të lidhjes ky ka qenë jo i mirë, me kalimin e kohës, mund të përkeqësohet. Një rregull tjetër: Mos i nënvlerësoni problemet e lidhura me seksin. Rënia e dëshirës, problemet me ereksionin dhe ejakulimi i parakohshëm, duhen përballuar menjëherë me ndihmën e një specialisti, për të rigjetur mirëkuptimin në shtrat dhe qetësinë në çift.