Përshëndetje!
Unë quhem Adrian. Kjo që po ju shkruaj është historia e jetës sime, më saktë, e dashurisë sime të çmendur për një vajzë që quhet Tamara.
Unë jam një nga ata që shumë vajza i quajnë çuna lagjesh. Nuk kam bërë shumë shkollë.
E lashë një tetëvjeçaren një vit përpara se ta mbaroja.
Babai më ka vdekur kur unë isha shumë i vogël, ndaj dhe më duhej të përvishja mëngët dhe të punoja, për të mbajtur familjen. Kjo gjë më ka bërë shumë të shkathët. Ndoshta fëmijët e tjerë ishin me universitet, por unë isha i mprehtë dhe gjithnjë i zoti i vetes.
Por ka diçka që asnjëherë nuk e kam lënë: Librat. Leximin e kisha pasion. Shkoja në bibliotekën e qytetit që e kisha afër punës dhe merrja librat që mendoja se ishin të bukur, apo që u kisha dëgjuar titullin në ndonjë bisedë.
Ky pasion i imi më dha një fuqi shumë të madhe. Mund të udhëtoja pa qenë nevoja që të lëvizja. Me mendjen time vizitoja çdo vend për të cilin lexoja. Përfytyroja vendet, njerëzit, atmosferën. Natën, kur nuk kisha punë dhe gjumë, rrija me sytë në tavan, duke imagjnuar sikur edhe mua më ndodhnin të njëjtat gjëra si personazheve që lexoja.
Por ama, askush nuk e dinte këtë anë timen. Nuk mund të flisja për të, ndryshe do të humbisja besimin te shokët dhe ata që më njihnin. Për të gjithë, unë isha një djalë i fortë dhe pothuajse i egër. Ata të cilëve nuk u flisja, më kishin frikë, ndërsa miqtë, më respektonin. Nëse do ta merrnin vesh që lexoja libra, kjo gjë do t’i bënte të shkriheshin përtokë nga të qeshurat. Nuk mund ta duroja dot këtë gjë.
Pjesën më të madhe të fitimeve e merrja nga puna e përditshme. Ndonjëherë, bëja edhe ndonjë gjë shtesë, çfarë të më vinte në dorë. Pasdite, zakonisht rrija me çunat e lagjes në një lokal poshtë shtëpisë. Me ata rrija sepse në radhë të parë nuk kisha çfarë të bëja dhe, në radhë të dytë, ishin njerëz me pozitë. Nga kjo përfitoja edhe unë, ama asnjëherë nuk jam përzier në punët e tyre, që nuk më dukeshin fort të pastra. Merreshin me gjëra të tjera. Duke qenë se kishin besim, flisnin edhe në sytë e mi për atë që bënin, por unë gjithnjë kam bërë një sy qorr e një vesh shurdh. Nuk ishin djem të këqinj, por mua thjesht nuk më pëlqente mënyra e tyre e jetesës. Ndonjëherë bëheshin edhe nevrikë dhe inatçorë të mëdhenj, aq sa ishte mirë të mos u dilje përpara.
Çuditërisht, qenë ata që më ndihmuan të njihja vajzën e ëndrrave të mia, ndonëse në një mënyrë jo të drejtpërdrejtë. Një pasdite po qëndronim si zakonisht te lokali i lagjes. Aty kaloi një djalë i ri, i veshur shumë mirë dhe me shije. Njëri prej djemve nisi ta tallte, duke e thirrur “çun mami”. Ai ktheu kokën, por nuk u përgjigj. Ndoshta kjo gjë i ofendoi çunat, se nisën ta ngacmonin sërish. Dukej sikur donin medoemos ta bënin me merva, që ai të reagonte. Shkurt, donin sherr. Këtë e vërtetova disa sekonda më vonë, kur iu hodhën përsipër.
Unë nuk isha zënë ndonjëherë, por ai djalë duhej hequr nga duart e tyre. Në radhë të parë sepse nuk kishte faj dhe në radhë të dytë, sepse dukej qartë që nuk dinte të qëllonte. Pa u menduar gjatë, iu hodha djemve përsipër dhe nisa të ulërisja. Ia dola. Ata ndaluan dhe po më shihnin si të çmendur. U thashë se ai ishte miku im, ndaj nuk doja që ta preknin me dorë. Në fillim ata qeshën dhe pastaj i drejtuan sytë nga shefi i tyre. Ai bëri me kokë dhe ata u larguan. Njëri prej tyre madje iu afrua djalit dhe i kërkoi falje. Pasi ikën të gjithë, i zgjata dorën dhe iu prezantova. Ai, që quhej Ernis, nisi të më falënderonte, duke më thënë se më ishte shumë mirënjohës, ndaj mund të kërkoja çfarë të doja. Qesha dhe i thashë që nuk doja asgjë. Pas shumë këmbënguljesh nga ana e tij, pranova që të paktën të shkoja në shtëpinë e tij për darkë. Më pas u largua.
Të nesërmen, erdhi në orën e sakte kur e kishim lënë për të më marrë. Më shoqëroi deri në shtëpinë e tij, një apartament në një zonë shumë të mirë. Kur u futa brenda pashë vetëm lluks, gjëra të bukura, suvenire nga jashtë. Çdo gjë dukej që ishte cilësore dhe e shtrenjtë. Ndihesha si në gjemba, por nuk kisha çfarë të bëja. Ernisi më prezantoi me mamanë dhe vëllain e tij. Babai i kishte ikur jashtë. Ai ishte biznesmen. Ndërsa motra e tij do të vinte më vonë. Ne u ulëm në tavolinë dhe nisëm të hanim, kur papritmas ra dera dhe Ernisi tha: “Duhet të jetë Tamara”. Shkoi që ta hapte. Dëgjova hapat e tyre në korridor dhe më pas, pashë të futej në kuzhinë vajza më e bukur që më kishin zënë sytë. Ajo ishte e bardhë si trëndafil, me dy sy që mund të të hidhnin përtokë në çast, më shumë se mijëra grushte. Kur e pashë të veshur aq bukur, aq delikate, aq të pastër, m’u shpif vetja. Ajo i përkiste një tjetër planeti dhe ishte e pamundur që të më shihte si një njeri normal. Sado që isha munduar të vishja rrobat e mia më të mira për atë rast, dukej qartë që ajo familje ishte shumë herë larg times.
Tamara u prezantua me mua dhe pastaj u ul në tavolinë për të ngrënë. Zgjodhi vendin afër meje. Në fillim të darkës më tha vetëm se sa mirënjohëse më ishte që unë i kisha shpëtuar vëllain. Më pas ndërroi temë dhe nisi të fliste për librat dhe shkrimtarin e saj të preferuar. U drodha. U hodha përpjetë dhe i thashë që i kisha lexuar librat e tij. Në atë moment, m’u duk sikur ky fakt i rastësishëm na solli edhe më afër. Doja t’i zgjasja orët dhe minutat për të qëndruar më afër saj, por ora për t’u larguar erdhi shumë shpejt. Mundohesha të lexoja në sytë e saj ndonjë ftesë, dëshirë apo pëlqim, por Tamara e mbante veten më së miri. Dola nga ajo shtëpi vetëm me një gjë në kokë. Unë do të punoj që një ditë të jem i denjë për t’i kërkuar dorën. E di që ajo shkon në universitet, që është shumë herë më e bukur dhe i përket një klase tjetër, por mua nuk më intereson asgjë përveç asaj. Nuk do të gjej paqe derisa ta bëj për vete atë. E di, është faji im që u dashurova me vajzën e gabuar, por edhe të ndiesh për një njeri me kaq pastërti, nuk është mëkat. Unë do të përpiqem, derisa të mund ta bëj për vete, nëse do të arrij…