– Doktor Evi, unë që ju shkruaj jam një djalë nga Fieri, që kam një problem intim.
Kam lidhje të rregullt prej më shumë se dy vjetësh me një vajzë të cilën e dua shumë. Që në fillimet e lidhjes, kemi patur dhe kemi marrëdhënie seksuale të rregullta, por muajt e fundit unë po kaloj më shpejt në orgazëm.
Nuk dua të ndodhë kjo gjë, pasi dëshiroj që edhe partnerja ime të kënaqet, por eksitimi dhe nxehtësia e saj e tepërt, më bëjnë të kaloj shpejt. Ju lutem, më thoni, çfarë duhet të bëj, pasi unë dua që aktet tona të zgjasin më tepër? Pse më ndodh kjo gjë sipas jush dhe si mund të rregullohet?
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog, Poliklinika Qendrore, 0682213329:- Letra të kësaj natyre na vijnë shpesh në redaksinë tonë dhe ne, jemi të “detyruar” në njëfarë mënyre, të ripërsërisim përgjigjen. Ejakulacioni i parakohshëm ose imatur, është një dukuri shumë e shpeshtë te meshkujt (në 30% të tyre) kryesisht të moshave të reja, por edhe në moshat më të avancuara. Kjo dukuri është e shpeshtë dhe e kemi trajtuar edhe herë të tjera, por meqenëse na kërkohet vazhdimisht ta diskutojmë, po e trajtojmë përsëri, duke shpresuar t’ju informojmë për gjëra për të cilat nuk keni informacion. Ejakulacioni i parakohshëm është problem i shumë meshkujve në të gjithë botën. Në një nga kongreset ku unë kam marrë pjesë e ku flitej për këtë problem, është diskutuar shumë për shkaqet dhe zgjidhjen e ejakulacionit të parakohshëm. Veç këtyre, u diskutuan edhe skemat e reja të mjekimit, më të suksesshme se ato të mëparshmet.
– Shqetësimi juaj është i drejtë dhe me këtë, nënkuptoj që akti juaj seksual lë shumë për të dëshiruar në cilësi. Kjo mund të bëhet shkak për ftohjen e marrëdhënieve, ndoshta deri në një moment të dhimbshëm, siç është ndarja. Ka çifte që mund ta pranojnë këtë gjendje dhe në praktikën klinike kemi patur raste jo të pakta ku çifte për 25-30 vjet aktivë në jetën seksuale, kanë vuajtur nga ejakulacioni i parakohshëm që në fillimet e aktivitetit të tyre seksual. Çdokush që do ta dëgjonte një gjë të tillë, do të ndjente keqardhje apo habi, por ja që një gjë e tillë ndodh dhe e gjitha kjo sepse njerëzit e konsiderojnë akoma tabu trajtimin e kësaj patologjie e cila për fat të mirë, është një nga më të suksesshmet në mjekim.
– Ejakulacioni i parakohshëm, siç e tregoni edhe ju, është ai moment kur mashkulli arrin në orgazëm pa e kontrolluar atë, shumë më përpara se partnerja e tij. Një gjendje e tillë sigurisht që e bën mashkullin të ndihet keq, e zhvleftëson para pratneres, por njëkohësisht, sjell shqetësime edhe te femra, si: Dhimbje në fund të barkut, nervozizëm, zhgënjim etj. Në qoftë se kjo gjendje bëhet e shpeshtë, mund të ndodhin gjëra të padëshiruara. Mjekimi bëhet me pomada të ndryshme, teknika shtrënguese, si edhe me ilaçe nga goja. Ju këshilloj juve, apo të gjithë ata meshkuj që kanë probleme të tilla, që të kontaktojnë me mjekun specialist dhe të mos vuajnë më tepër për një gjë e cila tashmë është tërësisht e kurueshme.