Burak Ozçivit është vetëm 32 vjeç dhe është kthyer në një nga aktorët më të njohur jo vetëm në Turqi, por edhe në vendet e tjera ku shfaqen telenovelat turke.
Para disa kohësh ai është parë edhe në aeroportin e Prishtinës, ku nuk ka kaluar pa u vënë re nga fansat e tij të shumtë.
Mësojmë se po kthehej nga qyteti i Novi Pazarit, ku kishte shkuar të promovonte serialin e tij të fundit, me titull “Vëllai im” (Kardesim Benim). Ai ka rënë në sy jo vetëm për pamjen e jashtme, por edhe për aftësitë e tij aktoriale. Ajo që fansat nuk dinë për të është se ai edhe këndon.
Buraku ka lindur në 24 dhjetor 1984 në Stamboll dhe është diplomuar për fotografi. Më pas pati një karrierë të shkëlqyer si model dhe në vitin 2005 mori jo vetëm titullin Modeli më i Mirë i Turqisë, por edhe vendin e dytë si “Modeli më i mirë i botës”.
Në Shqipëri u bë i njohur nëpërmjet serialit “Sulejmani i Madhërishëm”, në të cilën luante rolin e Bali Beut, një oficeri të besuar të sulltanit. Vështrimi depërtues, shtati, e ecura dhe shumë karakteristika të tjera të tij janë ato që e kanë bërë një seks simbol. Që të kuptoni se çfarë bëhet…në disa intervista ka thënë se i është dashur të ndërrojë dy herë shtëpi, sepse fanset e tij i kishin zbuluar se ku jetonte dhe nuk pushonin së rëni ziles së derës…vetëm për një autograf! Për fat të keq zemra e tij i përket tashmë një vajze, bile thuhet se së shpejti ata do të martohen. Bëhet fjalë për aktoren Fahrie Evcen, me të cilën u lidh gjatë 9 muajve të xhirimit të filmit “Trumcaku”, në vitin 2013. Burakut i pëlqen të luajë futboll, e tërheqin makinat e bukura dhe di të flasë shumë mirë anglisht. Në vitin 2014 ka hapur restorantin e tij, “Balibej Doner”, në Stamboll.
– Ku ke lindur?
– Kam lindur në vitin 1084, në Stamboll, qytet ku kam kaluar gjithë fëmijërinë time.
– Cilat janë pasionet e tua?
– Më pëlqen të shkoj në palestër, të luaj futboll, të lexoj libra, të dëgjoj muzikë dhe t’i jap makinës.
– Cilat lloje makinash të pëlqejnë?
– Më pëlqejnë ato klasike, sepse mendoj se kanë shpirt.
– Si iu fute karrierës së modelit?
– Ishte im atë që më shtyu t’i futesha, unë nuk e mendoja shumë këtë gjë atëherë. Ai kishte dashur vetë t’i futej asaj, por nuk ia arriti qëllimit, kështu që më inkurajoi mua. Ishte ai që ma çoi fotografinë në konkursin e “Modelit më të mirë”. Ime më nuk ishte dakort, ajo donte që unë të mbaroja njëherë shkollën.
– Po ti vetë çfarë doje të bëheshe?
– Nuk kisha bërë plane për të ardhmen, sepse isha shumë i ri. Pastaj hyra në universitetin e Marmarasë, dega fotografi. Në këtë kohë më erdhi ftesa për të marrë pjesë në konkursin e Modelit më të Mirë dhe m’u desh ta shtyja një vit shkollën.
– Si t’u duk karriera e modelit?
– Pasi e provova mjedisin e modelizmit më pëlqeu. Kisha dëshirë të vazhdoja të punoja aty.
– U befasove kur u bëre i famshëm menjëherë?
– Jo edhe aq. Pastaj prindërit më kanë rritur me idenë që të mos i jap shumë rëndësi famës, as faktit që revistat shkruanin për mua, apo që më vinin rrotull shumë fanse.
– E quan veten aktor të mirë?
– Në fakt ende jo, sepse nuk kam mbaruar shkollën për këtë gjë, por përpiqem çdo ditë të jem i tillë.
– Ka që thonë se nuk mund të jesh edhe model, edhe aktor, edhe këngëtar i mirë. Çfarë mendoni ju?
– Nuk mund të bësh përgjithësime. Nëse je i aftë, përse jo? Aktrimi kërkon zotësi dhe inteligjencë, ndërsa të kënduarit kërkon shumë zotësi, kështu që unë nuk mund të jem këngëtar duke përdorur vetëm inteligjencën.
– Si e more ftesën për të marrë pjesë tek “Sulejmani i madhërishëm”?
– Unë nuk kam marrë pjesë që në fillimin e telenovelës, pasi në atë kohë po punoja për një projekt tjetër. Kishim folur për të marrë pjesë në të, por nuk e prisja të më ftonin kaq shpejt. Më pas dhe gjërat rrodhën shumë shpejt dhe unë nuk pata shumë kohë të përgatitesha. Malkoçoglu (Bali Beu) është një lloj padroni, një njeri që ka ekzistuar vërtet, prandaj më pëlqeu si personazh. Ai u pëlqeu edhe shikuesve. Në këtë rast unë dhe shikuesit reaguam njëlloj, krijuam një lloj lidhjeje me të. Prandaj është ndër personazhet më të preferuar që kam dhe ndjehem me fat që e kam interpretuar.
– Në Greqi dhe Kosovë po transmetohet aktualisht një serial që quhet “Dashuri e verbër” (Kara sevda- fjalë për fjalë, dashuri e zezë). Ç’mund të na thoni për këtë serial?
– Është një telenovelë e re, që filloi të transmetohet në Star Tv (kanal televiziv turk), në 15 tetor 2015, në të cilën luaj rolin e Kemalit, një djali të varfër, që bie në dashuri me Nihanin, një vajzë të pasur. Seriali kishte 35 seri dhe transmetimi i tij në Turqi përfundoi në qershor. E veçanta është se në këtë serial unë këndoj një këngë së bashku me mikun tim, Zehir (që interpretohet nga Ugur Arslan). Kënga titullohet “E dashur, më jep dhimbjen tënde” (Yarim Derdini Ver Bana).
– Cili është filmi yt i fundit?
– Ai quhet “Dashuria ngjan me ty” (Ask sana benzer), ku jam protagonist bashkë me Fahrie Evcen. Jam gjithashtu edhe producent i filmit. Bëhet fjalë për një histori dashurie, atë të Aliut, jeta e të cilit ndryshon kur një vajzë e re dhe e bukur, që quhet Deniz, vjen në qytetin e vogël ku ai jeton. Të dy bien në dashuri me shikim të parë, megjithatë, e shkuara e Denizës nuk do t’i lërë ata ta përjetojnë të qetë dashurinë e tyre.
– Të urojmë suksese të mëtejshme!
– Faleminderit.