Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Mos bëj fizkulturë!

ditët e sotme, të gjithë mundohen të jenë në formë, ta kenë zemrën të shëndetshme e kolesterolin e ulët dhe nganjëherë e harrojnë se ka raste kur nuk duhet të bësh fizkulturë. Përveç justifikimeve të zakonshme që përdorin njerëzit, këtu ju mund të gjeni arsyet e vërteta pse duhet ta ndaloni fizkulturën për pak kohë dhe të mos e fajësoni veten për këtë…

 

1. Kur jeni sëmurë

Advertisement

Mos bëni fizkulturë kur nuk ndjeheni mirë, edhe sikur të jetë një rrufë e thjeshtë. Stërvitja mund ta lodhë sistemin tuaj imunitar dhe ta zgjasë sëmundjen. Si rezultat, do të kaloni më shumë kohë pa bërë aktivitete fizike. Stërvitja, kur je sëmurë, është edhe një nga shkaqet kryesore të dëmtimeve të ndryshme, sepse është më e vështirë të përqendrohesh në atë që je duke bërë. Nuk keni parë ndonjëherë dikë që t’i bjerë të fikët sepse po bën aerobi, ndërkohë që është i sëmurë?

 

2. Kur nuk e ke marrë veten siç duhet pas sëmundjes

Mos u ktheni menjëherë në sallën e palestrës pasi keni qenë sëmurë. Fillimi i parakohshëm i stërvitjes mund të çojë në rishfaqjen e simptomave. Kur vendos të rifillosh fizkulturën, bëje këtë gradualisht dhe me kujdes. Edhe sikur të kesh munguar një javë, pa qenë sëmurë, prapë nuk mund ta rifillosh fizkulturën aty ku e ke lënë. Në rastin e konvaleshencës, rikthehuni në formë duke bërë vetëm gjysmën e ngarkesës së stërvitjes dhe dalëngadalë, shtojeni ritmin, nëse ndjeheni mirë.

 

3. Kur ndjeheni të stresuar dhe të lodhur

Ka ditë që nuk ndjeheni në formë për të shkuar në palestër, por nganjëherë është trupi juaj që ju kërkon një pushim. Do t’ju bënte mirë të bënit një ditë pushimi nga stërvitja. Shkoni në shtëpi, hani shëndetshëm dhe mos e dënoni veten që nuk keni vajtur në palestër. Kini parasysh se stërvitja përfshin edhe mirëqenien shpirtërore. Megjithëse fizkultura ju shton nivelin e endorfinave dhe ju pakëson stresin, nganjëherë, ke nevojë thjesht për relaksim.

 

4. Kur je i/e dëmtuar

Çfarëdo dëmtimi të keni pësuar, sigurohuni që jeni shëruar plotësisht, para se t’i riktheheni aktivitetit fizik. Edhe një dëmtim i thjeshtë mund të përkeqësohet nëse këmbëngulni të vazhdoni stërvitjen; pra, mund të dëmtoheni edhe më shumë. Kërkoni këshillën profesionale të doktorit tuaj për çdo lloj sporti që do të zhvilloni dhe nëse keni ndonjë dëmtim pas stërvitjes, dhimbja e të cilit zgjat më shumë se një ditë.

 

5. Kur nuk keni pajisjet e duhura për sport

Çfarëdolloj sporti të ushtroni, sigurohuni të blini pajisjet më të mira që keni mundësi (financiarisht) të blini. Mos ndiqni vetëm modën e fundit në veshje dhe atlete, sepse mund të pësoni dëmtime nga mungesa e pajisjeve të duhura. Merreni seriozisht blerjen e atleteve. Një dyqan i mirë pajisjesh sportive ka stafin e duhur për t’ju këshilluar në zgjedhjen e këpucëve që ju nevojiten. Për shembull ekzistojnë tipe të ndryshme atletesh për të vrapuar, në varësi të hapit tuaj. Pajisjet për sporte të veçanta, si për shembull, për kalërim, duhen blerë në dyqanet e specializuara.

 

6. Pasi ke pirë shumë një natë më parë

Nëse natën e kaluar keni pirë shumë dhe jeni dehur, mendojeni me kujdes para se të merrni pjesë në seancën e aerobisë. Alkooli të lë të dehidratuar, kështu që sigurohuni të keni pirë sasinë e duhur të ujit për të balancuar këtë efekt. Pyeteni veten nëse jeni ende nën ndikimin e alkoolit. Trupit i duhet njëfarë kohe para se të eliminojë alkoolin, për shembull, i duhen 11 orë që t’i eliminojë afro 2 kg birrë. Mos bëni stërvitje nëse ekziston një mundësi e vogël që të jeni ende i dehur. Mendoni edhe kur ka qenë hera e fundit që keni ngrënë. Nganjëherë, të hash mëngjes kur sapo të ka dalë pija, është gjëja e fundit që të shkon nëpër mend, por nëse nuk keni energjitë e duhura për të bërë fizkulturë, atëhere mos e filloni fare.

 

7. Kur je shtatzënë

Ekzistojnë libra të tërë për ushtrimet që mund të bëjnë ose jo gratë shtatzëna, ndaj këtu thjesht po e prekim këtë temë. Gjëja kryesore që mund të mbani mend është se mund të bëni fizkulturë edhe kur jeni shtatzënë, për sa kohë e ndjeni që ju pëlqen dhe keni marrë lejen nga gjinekologu juaj. Këshillohet të jeni në formë gjatë shtatzanisë, ama qëllimi nuk është përmirësimi, por ruajtja e formës. Vetë shtatzania është një lloj stërvitjeje 9 mujore. Nëse vendosni të bëni ushtrime gjatë shtatzanisë, merrni këshillën e mjekut pas muajit të tretë, se çfarë mund të bëni dhe çfarë jo.

 

8. Pasi keni lindur fëmijën

Sa VIP-a keni dëgjuar të mburren se kanë filluar të bëjnë 400 ulje-ngritje një ditë pasi kanë lindur fëmijën? Së pari, nuk duhet të besoni as një fjalë të vetme nga ato që thonë dhe së dyti, nëse do ta bënin këtë, do të thyenin të gjitha rregullat shëndetësore. Sado e dëshpëruar të jeni për t’iu rikthyer formës së mëparshme, duhet të prisni 6 javë para se të filloni stërvitjen dhe 11 javë, nëse keni lindur me operacion. Pas kësaj kohe, ju mund të filloni një stërvitje të lehtë dhe gradualisht, të shkoni tek ajo që bëni zakonisht. Ndiqni këshillën e profesionistëve para se të filloni ushtrimet për barkun, pas lindjes. Një zonë që shkakton mjaft probleme është ajo e poshtme pelvike. Nëse e keni stërvitur atë gjatë këtyre 9 muajve, nuk do të keni shumë probleme, por mësoni se cilat ushtrime janë të mira për të parandaluar mosmbajtjen e urinës.

 

9. Mungesa e motivimit

Këshilla kryesore para se të filloni stërvitjen është të mendoni për motivet që ju shtyjnë të bëni fizkulturë. Tregohuni i/e sinqertë me veten. Nëse nuk ju pëlqen stërvitja që bëni, mbase rutina e saj ju duket e mërzitshme. Në këtë rast, është mirë ta ndryshoni pak. Përpiquni të shtoni forma të reja stërvitjeje që ju interesojnë më shumë, si: Kurse kërcimi apo aerobi në ujë. Në fund, kujtoni sa herë i keni thënë vetes që nuk ju pëlqente dhe më pas keni pranuar se keni vepruar mirë, që e keni bërë.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Qeshë dashnorja e tij për vite me radhë

Next Post

Lulzim Basha: Me një buzëqeshje, i bëj njerëzit të më vijnë nga pas

Advertisement