Unë quhem Era dhe jam 34 vjeçe. Punoj si menaxhere marketingu në një kompani të madhe. Për shtatë vjet me radhë kam pasur një mardhënie me Sazanin, një kolegun tim të punës.

Kur nisa lidhjen me të, sapo i kisha dhënë fund një marrëdhënieje shumë të lodhshme për mua, asaj me ish-bashkëshortin tim, Edin. Ai në fillim ishte jashtëzakonisht i dashur dhe i ëmbël me mua, ndaj edhe pas gjashtë muajsh lidhjeje, vendosëm të fejoheshim. Për fiset tona, ne ishim çifti perfekt. Ai punonte si avokat, ndërsa unë isha menaxhere në firmë. Kishim marrë shtëpi të re me kursimet e tij dhe e kishim mobiluar në mënyrë shumë moderne. Ishim të këndshëm, visheshim bukur dhe në dukje, i kishim të gjitha. Në të vërtetë, fillimisht kështu ishte. Ne ftonim miqtë tanë për dreka e darka dhe po bënim një jetë-mrekulli.

Pas një viti, u martuam. Kjo qe edhe koha kur Edi nisi të nxirrte kokën. Vonohej dhe asnjëherë nuk e gjeja në zyrë. Sa herë që e pyesja ku shkonte, më bërtiste dhe më kthehej duke më thënë se po e mbysja, se po tregohesha shumë kontrolluese në jetën e tij. Në fakt ai ishte një maskara që e kalonte ditën duke më tradhtuar dhe nuk kishte asnjë lidhje të qëndrueshme. E shihje gjithnjë me femra të ndryshme. Doja ta ndryshoja këtë situatë, duke i kërkuar një fëmijë, por as që bëhej fjalë. Për të, atësia ishte si një dënim me vdekje. Sipas tij, duhet të prisnim edhe disa vjet…

Nga ana tjetër, ishte shumë xheloz dhe analizonte çdo gjë në jetën time, që nga çizmet e këpucët që vishja për në punë e deri te miqtë dhe shoqet me të cilat pija kafenë. Për këto dhe shumë gjëra të tjera, vendosa që të divorcohesha prej tij. Megjithatë, m’u desh pak kohë për ta konceptuar veten time si një grua të ndarë nga burri.

Sazani ishte e kundërta e Edit. Ai ishte miqësor dhe shumë i dashur. Në punë e donin që të gjithë. Në atë kohë, m’u duk sikur Sazani ishte zgjedhja më e mirë që mund të bëja. Ne ishim gjithë kohës në lëvizje, së bashku. Shkonim në firma të ndryshme të cilave u ofronim shërbimet tona, ndaj dhe u miqësuam dhe e njohëm me njeri-tjetrin në një kohë të shkurtër.

Shumë shpejt kuptova se ai kishte nisur të më pëlqente. Më pëlqente shikimi i tij dhe fakti që fliste pa problem për jetën e tij. Një pasdite, ndërsa ecnim rrugës për të më përcjellë në shtëpinë time, më tha se mendonte se ai dhe gruaja e tij mund të ndaheshin. Më tha se nuk e shtynte dot me të. Papritmas, mendova se mund të kisha një mundësi me të. Kur makina ndaloi, ai u afrua dhe më puthi. Aty nisi gjithçka…

Kur kujtoj çfarë mendoja më parë, më vjen në mendje imazhi që kisha për një dashnore. Nuk e di pse gjithnjë i imagjinoja të shëndosha, me flokët shumë të verdhë dhe me mustaqe të pahequra. Kur ia thashë këtë Sazanit, ai duke qeshur, më tha se unë për të nuk isha thjesht një dashnore. Ndoshta dëshironte të justifikonte lidhjen tonë…

Në fillim, gjithçka ishte e bukur. Unë isha shumë e dhënë pas punës dhe karrierës. Kisha nisur ta doja lirinë time. Me Sazanin ia kaloja shumë mirë, qeshja shumë dhe marrëdhëniet seksuale ishin shumë të fuqishme. Tani, kur e kthej kokën prapa, mendoj se sa budallaqe kam qenë kur e prisja atë në lulishte me orë të tëra, apo kur vonohesha vetëm që të qëndronim në zyrë të dy. Ama, kjo lidhje ishte edhe shumë eksituese. Mendoj se në të pandërgjegjshmen time, po mundohesha t’i provoja atij se nuk isha si gruaja që kishte në shtëpi.

Që në fillim, i kisha thënë vetes se nuk do të mendoja për gruan e tij. Sazi më kishte thënë se ata nuk bënim më seks bashkë, gjë që unë e besoja. Me sa dukej, kryesorja për të ishin fëmijët. Unë kënaqesha me të për aq herë sa e takoja, por pas një viti që rrinim së bashku, nisa të isha shumë në ankth. Mendoja se kur do ta takoja herën tjetër. Nëse ishte vonë, merresha me idiotësira, për shembull, i thosha vetes se pasi të numëroja njëzet makina, ai do të shfaqej në fund të rrugës. Nëse ai vonohej më shumë, bija shumë moralisht. E kuptova që kisha rënë në dashuri me të.

Të them të drejtën, Sazi më parë nuk më kishte dhënë asnjë shenjë për angazhimin e tij ndaj meje, por tani unë e doja diçka të tillë. Një ditë shpërtheva në lot dhe e pyeta nëse do të kishte më shumë se kaq mes ne të dyve. Ai më tha që unë isha një pjesë shumë e madhe e planeve për të ardhmen e tij. U gëzova shumë sepse kur do dikë, nuk mund të mos e besosh dhe të mos shpresosh tek ato që thotë, ndoshta edhe sepse nuk u kisha thënë asgjë miqve të mi, nuk kisha askënd që të më sillte në rrugë të drejtë. Radari im që kapte atë që ishte e logjikshme apo jo, ishte prishur me kohë.

Ndërkohë, në atë periudhë Sazi shkoi me shërbim jashtë shtetit për dy javë. Ka qenë një periudhë e tmerrshme. Ai më mungonte jashtë mase. Kur u kthye, nuk ndryshoi asgjë. Sipas tij, ajo ishte një periudhë shumë e keqe për t’i braktisur fëmijët. Në fillim të lidhjes sonë unë isha e sigurtë në vetvete dhe e pavarur, ndërsa tani ndihesha e pafuqishme dhe e nënvlerësoja veten time. Kur ia tregova një shoqes sime, ajo më tha se duhet të merrja në duart e mia, timonin e jetës sime. Mora një qen në shtëpi, duke shpresuar se ndoshta do të ma hiqte mendjen nga ai, por e pamundur. Mezi prisja të hënat, që do të më lejonin ta shihja në zyrë. Ndërkohë, justifikimet e tij për të mos e lënë familjen ndryshonin nga dita në ditë. Ne grindeshim, ndaheshim dhe pastaj bashkoheshim prapë. E dija që dashnoret asnjëherë nuk kanë fund të lumtur, por unë shpresoja deri në fund, derisa një ditë më tha se nga fundi i vitit do të jetonim së bashku. Sërish prita, por kur kaloi dhjetori dhe hyri janari, e pashë që ai as që kishte ndërmend ta linte ndonjëherë familjen e tij. E çova në djall dhe pastaj shkova e piva derisa u deha. Të nesërmen më përzihej, por jo vetëm nga pija. Me kalimin e kohës, po merrja sërish veten. Ndërrova ngjyrën e flokëve, lashë duhanin dhe u regjistrova në palestër.

Tani, pasi kanë kaluar muaj, ende ndihem pak e turbullt kur e shoh në zyrë, por pastaj më kujtohet se sa shumë e kisha lëshuar veten, aq sa mendoja se ai ishte më i rëndësishëm se unë. Nuk e mohoj se e doja shumë Sazanin. Me të shpenzova shtatë vjet të jetës sime, por nuk doja të shpenzoja edhe më… Më vonë ai u mundua të më kërkonte të falur, por unë i kërkova t’i jepte fund fjalimit dhe të harronte gjithçka që kishte ndodhur mes nesh. Tashmë e di se dy janë fjalitë do mund të dëgjosh gjithnjë nga një burrë i martuar: “Të kërkoj falje” dhe “Më duhet të iki”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *