Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Ia nxiu jetën nënës sime!
Ju rrjedhin e ju bllokohen hundët? Ja, arsyet dhe zgjidhja e duhur!
Sekretet e njerëzve më të shëndetshëm në botë

Ju rrjedhin e ju bllokohen hundët? Ja, arsyet dhe zgjidhja e duhur!

“Shfryji hundët!”. Sa herë e keni dëgjuar këtë frazë kur ishit fëmijë?

Është e vërtetë se nuk ka fëmijë në botë që të mos i kenë rrjedhur ndonjëherë hundët, por hundët u zihen edhe të rriturve, për shkak të alergjive, sëmundjeve, etj. Cilat janë arsyet?

Alergjitë, viruset, bakteriet… ose thjesht një brishtësi e enëve të gjakut? Lexoni shkrimin e mëposhtëm, për të mësuar arsyet pse rrjedhin e zihen hundët dhe si trajtohen rastet e ndryshme…

Advertisement

Shkaqet

Megjithëse të gjithë e dimë se për çfarë bëhet fjalë, rrjedhja e hundës, në gjuhën shkencore, ka një emër dhe quhet rinorre. Kjo rrjedhje mund të jetë e përparme, ose themi hundët kullojnë dhe është e bezdishme ose e brendshme, kur sekrecionet kalojnë në fyt. Në këtë rast, mund të ndodhin ndërlikime te njerëzit që kanë probleme me mushkëritë. Në shumicën e rasteve, kullimi i hundëve është një simptomë beninje dhe shumë e përhapur, që mund të shkaktohet nga dy arsye kryesore: Rinitet akute dhe rinitet kronike. Bëhet fjalë gjithmonë për një lloj rrufe që bëhet rinit kronik kur zgjat më shumë se tre muaj…

1. Riniti akut. Rrufa shkaktohet nga një virus (rinovirus) mbi të cilin antibiotikët nuk veprojnë. Simptomat janë rrjedhje dhe zënie e hundës, teshtima, etj., që zgjatin për një periudhë 3-7 ditore.

2. Riniti alergjik. Ai është shpesh stinor dhe shkaktohet nga një alergji ndaj polenit ose qimeve të maceve, puplave, akarieve ose produkteve ushqimore. Sekrecionet janë pa ngjyrë dhe shoqërohen me teshtima të përsëritura.

3. Riniti vasomotor. Hunda është e zënë dhe rrjedh. Kjo u ndodh nganjëherë grave shtatzëna, të moshuarve ose në darkë, kur shtriheni në shtrat. Janë enët e vogla të gjakut të hundës që zgjerohen dhe pengojnë hyrjen e ajrit, si dhe një enjtje e kanaleve të brendshme të hundës (që bëjnë ngrohjen, lagështimin dhe filtrimin e ajrit që thithim).

Në fund, kemi edhe një rast tjetër, që është i rrallë, por duhet përmendur gjithsesi. Pas një traumatizmi të kafkës së kokës, sidomos pas një frakture, mund të ndodhë te kemi rrjedhje hunde, pa ngjyrë. Në këtë rast, këto nuk janë sekrecione të hundës, por lëng i trurit, gjë që mund të jetë e rëndë. Nëse nuk ka më një pengesë mes pjesës së brendshme dhe të jashtme të kafkës, kjo është portë e hapur ndaj infeksioneve, sidomos infeksioneve meningjite.

4. Riniti kronik. Nëse riniti alergjik nuk kalon pas tre muajsh, ai hyn në kategorinë e riniteve kronikë. Në këtë rast, duhet gjetur dhe eliminuar shkaku. Nëse e keni nga qimet e maces, duhet lënë macja jashtë; nuk ka zgjidhje tjetër!

NARES. Ky term mjekësor ka domethënien “Non Allergic rhinitis vvhith eosinophilia syndrom” dhe përfaqëson 15-20% të riniteve kronike. Ajo paraqitet si një rinit alergjik, me teshtima dhe rrjedhje hundësh të jashtme apo të brendshme. Për më tepër, shoqërohet me probleme të nuhatjes. Shkak është prodhimi i qelizave eosinofile (të familjes së rruazave të bardha) në sekrecionet e hundës. NARES mund të shoqërohet me astmë dhe të jetë shkak për krijimin e një polipoze në hundë, prandaj duhet marrë seriozisht.

Te gratë shtatzëna

Riniti te gratë shtatzëna është mjaft i shpeshtë dhe lidhet me çrregullimin hormonal të shtatzanisë. Hunda fillon të rrjedhë si gjatë një riniti alergjik ose stinor. Në fakt, bëhet fjalë për një problem të enëve të gjakut, që mund të shfaqet edhe me shqetësime të tjera, si dalja e variçeve dhe e hemorroideve. Është e njëjta gjë në nivelin e hundës; enët e gjakut zgjerohen e bllokojnë hundën dhe, për pasojë, ajo fillon të rrjedhë.

Te fëmijët

Nëse te fëmija, rrjedhja është vetëm nga njëra vrimë e hundës, duhet menduar gjithmonë për mundësinë e ekzistencës së një trupi të huaj në hundë. Dihet si janë fëmijët; një rruazë, një lodër e vogël… Rrjedhja e hundës mund të vijë edhe nga një reaksion inflamator ose reaksion infektiv i mukozës, kur ka këtë trup të huaj. Shumë prindër shprehin shqetësimin e tyre, kur fëmija është shpesh me rrufë. Është e vërtetë që, sapo hyjnë në kolektiv, në çerdhe, kopësht apo shkollë, rinitet shfaqen më dendur. Kjo është diçka normale, pasi duke qenë me të tjerë, fëmija përballet me shumë lloje mikrobesh: Viruse, bakterie, antitrupa. Është normale që ai të krijojë imunitetin e vet nëpërmjet reagimeve të tilla, si rinitet. Fëmija juaj sekreton antitrupa dhe është pikërisht reagimi i trupit ndaj sëmundjes, ai që shkakton simptoma si rrjedhja e hundës.

Mendoni për dhëmbët

Kur hunda rrjedh vetëm nga njëra vrimë, duhet të mendoni edhe për një problem dhëmbësh. Mbase e keni parë si ngjan skeleti i kokës, me gjithë ato kanale të vogla që lidhin zonat e ndryshme të kafkës: Sytë, sinuset, kanalet dentare, etj. Një infeksion dhëmbësh mund të provokojë një reaksion inflamator, duke sjellë rrjedhjen e hundës. Në këtë rast, duhet shkuar te dentisti dhe, sapo problemi i dhëmbit të jetë zgjidhur, do të pushojë edhe rrjedhja e hundës.

Ngjyra e sekrecioneve

Ju e keni vënë re që nganjëherë sekrecionet nuk kanë ngjyrë e nganjëherë janë të verdha, si në jeshile. Kur sekrecionet nuk kanë ngjyrë, janë si ujë, bëhet fjalë për një reaksion inflamator për shkak të një alergjie ose trupi të huaj. Në këtë rast, nuk ka infeksion. Përkundrazi, kur sekrecionet kanë ngjyrë dhe trashen, ka infeksion. Mbrojtja juaj imunitare është duke luftuar dhe rruazat e bardha, duke sulmuar agjentin infektiv. Në këtë kohë mbase mund të keni temperaturë dhe mbase duhet të merrni antibiotikë, por këtë e vendos mjeku.

Te mjeku

Kur ju rrjedh hunda, në radhë të parë duhet ta shfryni dhe më pas të mos shqetësoheni shumë. Në shumicën e rasteve, rrjedhja e hundës nuk është problem i rëndë. Nëse simptomat vazhdojnë dhe bëhen shumë të bezdisshme, mund të kërkohen analiza nga mjeku ORL.

– Së pari, mjeku bën një ekzaminim klinik. Ai mund të eliminojë kështu një numër të mirë të patologjive specifike.

– Më pas ai mund t’ju kërkojë të shkoni te një alergolog, për të bërë disa teste alergjie.

– Në fund, mund t’ju bëjë një endoskopi hundore. Bëhet fjalë për një ekzaminim të vrimave të hundës dhe, nëse duhet, marrja e sekrecioneve, të cilat analizohen më pas në laborator, për të përcaktuar shkakun e rinitit. Në disa raste të rralla, kërkohet edhe bërja e skanerit.

Trajtimi varet nga lloji i rinitit

– Nëse bëhet fjalë për një rrufë, bëhet trajtimi i simptomave: Ilaçe kundër temperaturës, pika në hundë, ujë fiziologjik, etj.

– Nëse është rinit alergjik, duhet evituar alergjeni (ai që e shkakton). Nganjëherë duhet të hiqni dorë nga kafshët shtëpiake. Gjithashtu, mund të jepet një trajtim antialergjik oral ose lokal. Në fund, mund të propozohen trajtime desensibilizuese.

– Nëse është rinit që varet nga zgjerimi i enëve të gjakut: Në fazat akute, mund të përdorni një spraj për ngushtimin e tyre, të cilat janë shumë efikase për të zhbllokuar hundët. Por kujdes, këto ilaçe kanë atë që quhet efekti bumerang. Pas përdorimit të sprajit, zgjerimi i enëve të gjakut do të bëhet edhe më i madh. Gjithashtu, nuk duhen përdorur kur vuani nga zemra, pasi ai do të ngushtojë edhe enët e gjakut të saj.

Trajtimi te fëmijët

Kur një fëmije i rrjedhin hundët, duhet t’ia fshini. Kjo nuk ka vetëm veti estetike; ajo pengon qëndrimin e sekrecioneve në hundë dhe, për pasojë, infektimin e tyre. Mund t’ia lani hundën fëmijës edhe me ujë fiziologjik. Nuk ëshët nevoja ta bëni këtë çdo 5 minuta, por vetëm kur e ka hundën të bllokuar. Larja e hundës është parandalimi më i mirë i otiteve. Siç e thamë, kavitetet e kokës kanë lidhje me njëra-tjetrën; sinuset dhe veshët, gjithashtu.

Trajtimi i riniteve kronike

Glikokortizoidet (kortizoni) kanë veprim anti-inflamator. Ato preferohen më shumë sesa sprajet që ngushtojnë enët e gjakut, sepse kanë më pak efekte dytësore. Nëse kjo është e pamjaftueshme, mund të përdoren ilaçe anti-histaminike (ka apo jo alergji).

Trajtimi me kirurgji

Për hundën që rrjedh dhe bllokohet, mjeku nuk do t’ju japë menjëherë një trajtim kirurgjikal. Kjo bëhet vetëm pasi trajtimet e tjera të kenë dështuar. Nëse vuani nga një zënie e përhershme e vrimave të hundës, për shkak të një devijimi të kërcit të hundës, ose një hipertrofi e korneteve (kanaleve të hundës), atëhere mund të bëhet një ndërhyrje kirurgjikale. Kështu mund të eliminohet vëllimi i korneteve, që ajri të hyjë më lehtësisht. Mund të bëhet një tkurrje e korneteve me radio-frekuencë, ose lazer (turbinoplasti), ose heqja e një pjese të tyre (turbinektomi). Teknika e radio-frekuencës konsiston në dërgimin e një rryme elektrike brenda kornetit, gjë që shkakton tkurrjen e tij. Ndërhyrja praktikohet me anestezi lokale. Dhemb pak gjatë dhe pas ndërhyrjes. Pas ndërhyrjes duhet bërë shpesh larje e hundës me serum fiziologjik, për të eliminuar koret. Teknika e lazerit ndjek të njëjtin parim, vetëm se bëhet me rreze lazer. Megjithatë, heqja e korneteve duhet bërë e pjesshme, që të mos ndryshohet roli i tyre (filtrimi, ngrohja dhe lagështimi i ajrit të thithur). Këto ndërhyrje bëhen nën kontrollin e videos endoskopike (nga rrugët natyrale).

Ndërlikimet

Kur ju rrjedh hunda, shpesh mjafton të tregosh pak durim e të trajtosh simptomat, duke pritur të kalojë vetë. Megjithatë, mund të ndodhin edhe ndërlikime. Nëse sekrecionet qëndrojnë gjatë, mund të ngarkohen me bakterie dhe të shkaktojnë otite, sidomos te fëmijët. Te personat që kanë probleme me mushërinë, rrjedhjet nga brenda mund të shkaktojnë infeksione të bronkeve, por këto, në përgjithësi, janë të rralla. Atëhere, kur ju rrjedhin hundët, shfryjini, lajini e duroni dhe, nëse zgjat shumë, shkoni te mjeku.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Ia nxiu jetën nënës sime!

Next Post

Sekretet e njerëzve më të shëndetshëm në botë

Advertisement