Ka vende në botë, ku njerëzit bëjnë një jetë më të shëndetshme e, për pasojë, jetojnë më gjatë.

Nëse do ta kesh zemrën në gjendje të mirë, bëhu bari dhe përdor vajin e ullirit, si mesdhetarët, evito kancerin e gjoksit duke ngrënë djathë soje (tofu) si japonezët, apo ji i lumtur si norvegjezët, duke gjuajtur drerë e duke ngrënë boronica.

Një grup shkencëtarësh ka studiuar vendet ku njerëzit rrojnë më shumë dhe më pak. Në të parat bëjnë pjesë zona në vende si Italia, Japonia, Greqia, Kalifornia, Kosta Rika, Meksika e Islanda dhe u vu re se kjo kishte të bënte me ushqimin që hanin dhe mënyrën e tyre të jetesës. Ja cilat janë sekretet e tyre. Lexojini me kujdes, në mënyrë që t’i përvetësoni edhe ju…

1. Gratë franceze e ruajnë linjën me racione të vogla

Sipas librit best-seller të shkrimtares amerikane Mirej Xhuliano, që titullohet “Gratë franceze nuk shëndoshen”, gratë franceze konsumojnë gjalpë dhe krem qumështi pa u shëndoshur dhe kjo mund të shpjegohet me dy fjalë të vetme: Racione të vogla. Ato përdorin në sasi të vogël ushqim të freskët e cilësor dhe verë që ka aftësi antioksiduese, duke përdorur një shumëllojshmëri ushqimesh dhe duke shijuar çdo kafshatë. Gratë franceze kanë gjithashtu tendencë të ecin, në vend që të shkojnë në palestër. Në Francë ato ngjisin shkallët, pasi shumë nga ndërtesat janë të vjetra dhe nuk kanë ashensor. Gjithashtu, çmimi i naftës është më i lartë, kështu që njerëzit janë të motivuar të ecin, në vend që t’i japin makinës. Këto janë arsyet pse te gratë franceze, përqindja e obezitetit dhe sëmundjeve të zemrës është e ulët (12% kundrejt 36% të amerikanëve). Sipas ekspertëve, edhe nëse jeni në punë dhe nuk keni kohë, është më mirë të gatuani në shtëpi sesa të hani në fast-food ushqime pa vitamina dhe me shumë kalori.

2. Skandinavët konsumojnë produkte lokale

Filozofia tradicionale e popujve të Evropës veriore i nxit ata të hanë atë që kanë mbledhur ose gjuajtur vetë ose të tjerët, rreth tyre. Fjalët kyç janë: lokale dhe të freskëta. Bimët lokale përfshijnë ato të familjes së lakrës, drithërat integrale dhe frutat e pyllit. Ata gjithashtu konsumojnë peshk të freskët dhe të pasur me acide yndyrore omega-3, si dhe drerë e zogj të egër, që kanë më pak dhjamë se zogjtë e rritur në ferma. Dieta nordike dhe mënyra e jetës së tyre bën që njerëzit të kenë më pak obezitet (8% mesatarisht, në varësi nga vendi). Me gjithë dritën e pakët të diellit, skandinavët dhe islandezët vuajnë nga depresioni më pak se amerikanët, mbase për shkak të omega-3. Në Skandinavi ka edhe një përbërës fizik në prodhimin e ushqimit. Ata harxhojnë energji duke rritur dhe mbledhur bimë e kafshë. Nëse nuk keni një kopësht ku mund të mbillni diçka, mund të organizoni një fundjavë dhe të shkoni për mbledhjen e lakrave të egra, mollëve apo portokalleve.

3. Japonezët kanë lidhje të forta familjare

Okinava, një ishull japonez, është i njohur për përqendrimin më të madh të njerëzve njëqindvjeçarë në botë. Të krahasuar me amerikanët, ata kanë 80% më pak vdekje nga kanceri i gjoksit dhe 50% më pak nga kanceri i vezoreve dhe i zorrës së trashë. Ata gjithashtu kanë më pak raste të Alzhamerit dhe të sëmundjeve të zemrës.

Si ia arrijnë kësaj? Në Okinava ata praktikojnë të ashtuquajturin “hara hachi bu”, ose të hash deri në 80% të ngopjes. Mënyra e jetesës që përfshin lutjet dhe meditimin duket se redukton stresin dhe problemet e shkaktuara nga ai. Niveli i ulët i kancereve mendohet se i detyrohet një diete të pasur me fibra, si oriz, sojë, perime toke dhe alga, fruta, peshk të pasur me omega-3 dhe vetëm pak mish e produkte qumështi. Gjithashtu, atje është thelbësor sensi i komunitetit. Atje ekziston një mbështetje e fuqishme shoqërore, lidhjet familjare dhe vlera të cilat i shtyjnë ata të jenë aktivë në shoqëri edhe kur janë në të 80-tat, 90-tat, bile edhe në të 100-tat. Sensi se je i dobishëm ul stresin, parandalon sëmundjet dhe shton jetëgjatësinë.

3. Mesdhetarët përdorin yndyrna të mira

Të gjithë kemi dëgjuar për të mirat e dietës mesdhetare. Duket se në këto vende ka më pak rrezik për sëmundjet e zemrës, diabetin, obezitetin, kancerin, Parkinsonin, apo Alzhaimerin. Siç e dimë, dieta e mesdhetarëve përfshin yndyrna të mira (vaj ulliri, arra, peshk), mish pa shumë yndyrë, fruta dhe perime, si edhe një sasi e moderuar vere. Sigurisht, gjithçka varet nga sasitë. Të hash si italian, nuk do të thotë të hash një tas të madh me makarona. Në vende si ishulli i Ikarias, në Greqi, ka familje të tëra që jetojnë bashkë dhe gatuajnë për të gjithë. Për më tepër, aktiviteti është pjesë e jetës së përditshme, jo diçka që bëhet vetëm në palestër.

7 gjëra të thjeshta (dhe të përsëritura) që mund të bëni

1. Pakësoni duhanin. Ai është një nga faktorët e rrezikut për shëndetin e mushkërive dhe enëve të gjakut.

2. Pakësoni me 20% sasinë e ushqimit që hani. Në vend që të vendosni pjata të mëdha në qendër të tavolinës, mbushini ato që më parë dhe mos i rimbushni prapë.

3. Përdorni perimet dhe frutat. Ato jo vetëm që kanë substanca antioksiduese, por janë të mira edhe për linjën. Një shenbull: Një pjatë gjellë në Okinava ka 1/5 e kalorive të një pjate gjelle në SHBA. Mund t’ju sugjerojmë të përdorni mishin si plotësues dhe jo si gjellën kryesore dhe ta mbushni pjatën me perime. Mësoni t’i doni bimët që ju bëjnë mirë. Një dietë me fruta pylli, tofu dhe alga mund t’ju duket e çuditshme, por mund të mësoni t’i preferoni ato. Ka shumë njerëz që preferojnë ushqimin me shumë yndyrë, kripë ose sheqer, sepse kështu janë mësuar, por pasi mësohesh me ushqime jo të ngarkuara, fillon t’i preferosh.

4. Gjithashtu, përpiquni të gatuani vetë çdo ditë dhe shtrohuni të gjithë në tavolinë. Kështu, do të evitoni blerjen e ushqimeve fast-food dhe ngrënien e tyre në makinë ose para kompjuterit. Shijojeni çdo kafshatë, si francezët. Dedikojini ushqimit të paktën 20 minuta. Do të hani më pak dhe do të kënaqeni më shumë.

5. Lëvizni. Njerëzit që jetojnë gjatë, nuk e mendojnë levizjen si diçka të rëndë. Lëvizjet e moderuara bëjnë pjesë në jetën e tyre të përditshme. Veproni si gratë franceze dhe bëni një shëtitje pas darke.

6. Shtoni marrëëdhëniet. Njerëzit që jetojnë gjatë, njihen për lidhjet e forta shoqërore dhe familjare. Kalojeni kohën në shtëpi me familjen, rrethohuni nga miq që bëjnë një jetë të shëndetshme, pasi zakonet e mira janë ngjitëse. Përfshihuni në shoqëri, zhvilloni një pasion tuajin, etj. Këto lidhje i shtojnë vite jetës suaj.

7. Evitoni stresin. Edhe njerëzit më të shëndetshëm të botës, stresohen nganjëherë. Atëhere, gjeni strategji për të evituar stresin, meditoni, bëni vrap, hani një darkë me shoqen tuaj më të mirë dhe dilni për shooping, nëse kjo ju pëlqen.

Kështu do të jetoni më gjatë dhe do të bëni një jetë të shëndetshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *