Intervistë me doktor Mishel Galobard, studiues i Pedagogjisë në Universitetin e Tuluzës, Francë.
– Pse disa njerëz përdorin dorën e majtë?
– Para së gjithash, kujtojmë se të qenit mëngjarash nuk është as handikap, as një anomali, por një karakteristikë fiziologjike, një ndryshim që duhet marrë parasysh. Në Evropë ka rreth 13% sallaksë, afro 10 vajza për 15 djem. Fakti i të qenit sallak është gjenetik, por dimë gjithashtu se testosteroni (hormoni mashkullor) luan rolin e vet. Mund të jesh sallak nga dora, por të përdorësh këmbën e djathtë. Ka
mëngjarashë homogjenë dhe heterogjenë. Në realitet, ne vëmë re vetëm sallakët nga dora, sepse kjo mund të shkaktojë probleme në të shkruar.
– Thuhet se shumë mëngjarashë probleme për shkak të një edukimi jo të përshtatshëm. Është e vërtetë?
Një mëngjarash mbetet gjithë jetën i tillë. Për këtë arsye, është e rëndësishme që kjo të merret parasysh në pedagogji, duke u kujtuar se nëse përpiqeni ta ndryshoni, kjo mund të shkaktojë patologji të ndryshme (belbëzim, urinim natën, probleme të sjelljes, fobi ndaj shkollës, ngrënie thonjsh dhe më vonë, ulçera stomaku, migrenë…). Në Francë, për shembull, në 1 milion e gjysmë fëmijë sallakë, mendohet se të paktën 500 mijë prej tyre kanë probleme psikologjike. Për këtë arsye duhet që mësuesit t’i ndihmojnë.
– Shpesh, prindërit e fëmijëve mëngjarash pyesin veten, në momentin kur fëmija mëson të shkruajë, nëse do të ketë probleme në të shkruar dhe mësuar? Do të jetë ai më i talentuar për lëndët artistike apo sport?
– Fëmija mëngjarash , megjithëse ka të njëjtat aftësi si ai që përdor të djathtën, nuk është në pozita të barabarta përsa i përket shkollës, leximit dhe shkrimit. Një sallak mund të ketë vështirësi, sepse shkruan kundër drejtimit të natyrshëm të të shkruarit dhe lexuarit, por, nëse e kupton dhe e ndihmon, ai do të arrijë të përshtatet. Për disa mjafton një javë, kurse të tjerëve u duhen disa muaj. Gjithçka duhet bërë me durim, edhe sikur ai të ngatërrojë drejtimin.
– Me një fjalë, është mirë ta lësh fëmijën t’ia dalë mbanë vetë?
– Jo. Ta lësh vetëm, të mos e kundërshtosh, është e pamjaftueshme sepse fëmija që përshtatet vetë, nganjëherë e bën keq: Mund të përkulet shumë mbi fletore, të përdredhë kyçin dhe më vonë, të ketë probleme me shtyllën kurrizore. Për të evituar pasojat e një pozicioni të keq, është mirë ta vësh në rreshtin majtas, që të shikojë djathtas. Një mëngjarash në një pozicion të mirë, nuk do të shkruajë keq. Duhet imagjinuar se ai që shkruan me të djathtën, e largon bërrylin nga trupi, ndërsa sallaku, e afron. Është një gjest shtrëngues, një vështirësi më shumë.
– Si ta evitosh përdredhjen e kyçit të dorës?
– Për të evituar përdredhjen e kyçit të dorës, duke ta shtysh fletoren majtas 4-5 cm dhe ta kthesh 15-30 gradë djathtas, në zgjatimin e parakrahut. Duhet përdorur kjo metodë që në kopësht, sepse përdredhja do shumë kohë që të bëhet e dukshme, megjithëse shpesh, ekziston që në moshë të hershme.