Nuk ekziston një metodë e pagabueshme për të joshur dikë, por disa truke të vogla i kanë dhënë tashmë provat e tyre.
Ne i kemi rishikuar dhe po ju parashtrojmë gjithë sekretet e tyre. Ju takon juve të zgjidhni atë që ju përshtatet më shumë…
Metoda klasike
Merrni qëndrimin e një zonje të vërtetë dhe respektoni traditën. Me një fjalë, mos bëni asnjë lëvizje. Nëse ju pëlqen një burrë, lëreni atë të vijë drejt jush. Shumicës së burrave nuk u parapëlqen që gratë të ndërrojnë rolet.
Kujdes! Nganjëherë burrat mund të jenë pak të ndrojtur apo të hutuar. Ata shpesh kanë frikë të bëjnë hapin e parë, nga frika e refuzimit. Pra, nganjëherë u duhet dhënë një ndihmë e vogël, një shenjë inkurajimi: Një buzëqeshje, një shikim pak i zgjatur dhe sidomos, mos rrini gjithë kohën ngjitur pas shoqeve, pasi grupi mund t’i trembë.
Lëreni trupin tuaj të flasë
Ne nuk e kuptojmë, por gjestet e qëndrimi ynë flasin shumë dhe i dërgojnë sinjale të pandërgjegjshme bashkëbiseduesit tonë. Pse të mos i përdorni për të joshur prenë tuaj?
Fillohet me të famshmin “kontakt vizual”, tre herë. Një shikim i parë vjedhurazi, disa minuta më pas një shikim pak më i gjatë dhe herën e tretë, një shikim i ngulitur për disa sekonda… Nuk mund të jeni më e qartë se kaq, pa e hapur gojën fare.
Mos i kryqëzoni krahët në gjoks, pasi është shenjë mbylljeje, por luani lojën e pasqyrës, duke kopjuar, pa rënë në sy, lëvizjet e djalit. Përkuluni pak para (shenjë hapjeje) dhe, ndërsa ai ju tregon jetën e tij, merrni një pamje të frymëzuar e të pasionuar, duke përkulur lehtë kokën anash e duke pohuar. Burrave u pëlqen shumë t’i dëgjojnë me vëmendje! Me një fjalë, bëjmë një paradë të vogël dashurie, sekretin e së cilës e zotërojnë mirë kafshët!
Kujdes! Kjo metodë nuk është e garantuar dhe ju mund të dërgoni sinjale kontradiktore. Nuk duhet të kënaqeni vetëm duke bërë rolin e memecit; nevojitet edhe një bisedë e lehtë.
Versioni i amazonës
E thonë edhe reklamat: Rregullat e lojës kanë ndryshuar! Sot, femrat, të ndikuara edhe nga seriale si “Seksi dhe qyteti” e këshillat e mediave, nuk kanë më frikë ta hedhin ato hapin e parë. Ato e dinë se ç’duan dhe mundohen të gjejnë mënyrat për ta arritur. Nëse keni caktuar objektivin, përparoni drejt tij pa frikë, filloni bisedën dhe mos hezitoni të vendosni një kontakt fizik: Duke i prekur lehtas krahun, duke bërë sikur ka shumë njerëz rreth e rrotull për t’iu afruar më shumë, duke i folur në vesh.
Kujdes! Burrat janë nganjëherë të brishtë dhe s’dinë si të veprojnë. Disa mund të ndjehen edhe të sulmuar dhe të ndjejnë sikur i kanë prekur në burrëri nëse e bëni të gjithë punën ju! Të tjerë do t’ju marrin për një vajzë që shkon me të parin që i del përpara. Ju takon juve të vendosni se çfarë kërkoni…
Joshja me anë të internetit
Keni gjetur një koleg, një shok të vjetër klase në Facebook apo një të panjohur që ju pëlqen? Edhe gratë më të ndrojtura mund të flirtojnë sa të duan të fshehura pas kompjuterit, pa pasur rrezik se do të dështojnë. Duhet filluar shumë lehtë… Në fillim, kërkoni subjekte të përbashkëta dhe neutrale: Udhëtimet, kinemaja, studimet, aktualiteti (pa hyrë në polemika). Kështu, do të krijohet një afërsi intelektuale. Kalohet në etapën e mëtejshme duke bërë pak si hutaqe: “Kisha kohë pa çatuar me dikë…”, ose: “Është këndshëm të flasësh me dikë që është në të njëjtën gjatësi valësh…”. Ka mundësi që ai të jetë i pari që do t’ju propozojë një takim. Më pas, ju takon juve të vendosni.
Kujdes! Zhgënjimet nuk janë të rralla dhe, për fat të keq, nuk janë virtuale. Ish-shoku i klasës është kthyer në një barkalec pa flokë; ai që pretendonte se i ngjante Xhad Losë, ngjan me aktorin vetëm nga ngjyra e qimeve të hundës, por, të paktën ju do të keni mësuar metodën e veprimit.
Kërkoni ndihmën e një profesionisti
Sot, në epokën e trajnimit për gjithçka, mund të kërkoni ndihmën e një profesionisti joshjeje ose një psikologu. Do të bëni një takim të parë për të përcaktuar personalitetin e nevojat tuaja, këshilla në bazë të kësaj, shpesh një etapë ndryshimi luku dhe përfundon me punë praktike e situata konkrete. Qëllimi i parë është të krijohet besimi në vetvete; hapi i parë i nevojshëm që duhet për të joshur tjetrin.
Kujdes! Nganjëherë këto kurse të heqin gjithë spontaneitetin dhe është për të ardhur keq, pasi kjo është pjesë e sharmit të gjithsecilit prej nesh. Evitoni edhe sharlatanët që mund t’ju kërkojnë një shumë kolosale për hiçmosgjë.