Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Jeta ime me një të verbër


Në moshë shumë të vogël u martova me një burrë nga fshati im. Ishim moshatarë. Ai ishtë një njeri i urtë e punonte murator, por muratorët paguheshim pak, kështu që gjendja jonë ekonomike nuk ishte e mirë. Zoti na dha dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Dy vjet pas lindjes, vajza m’u sëmur rëndë. Kishte vetëm grip dhe meqenëse isha larg nga qyteti dhe nuk e çova në kohë te doktori, nga temperatura e lartë, kaloi në meningjit dhe më vdiq. U mërzita shumë e nuk kishte asgjë që të më bënte ta kaloja dhimbjen. Djali ishte 5 vjeç. E doja shumë, por mendja më rrinte vetëm te vdekja e vajzës. Burri filloi të pinte e të vinte në shtëpi i dehur. Në fillim nuk bënte zhurmë, vetëm flinte, por më vonë, ai filloi të më rrihte dhe unë zihesha shumë me të. Pak se më kishte vdekur vajza e ishim të varfër, por të duroja dhe të pirët e të rrahurat e tij! Isha në një gjendje mjaft të vështirë. Një natë, ai kishte pirë si asnjëherë tjetër, më rrahu aq shumë sa nuk e dija ku isha dhe ç’po bëja. Mora vrull dhe e qëllova në kraharor. Atij iu zu fryma dhe m’u duk sikur vdiq, por siç thotë edhe populli, “të keqin, s’e gjen gjë e keqe”. E keqja do të më gjente mua pastaj. Ai u ngrit me gjysmë fryme, hapi derën e më tha:

– Jashtë nga shtëpia ime e mos u kthe më kurrë!

Advertisement

– Jo, – i thashë, – nuk dal.

Ai më kapi nga flokët e më nxori jashtë. Ishte një ditë e freskët vere dhe unë fjeta gjithë natën jashtë. Të nesërmen, trokita në derë. Ai doli.

– Më lër të futem brenda – i thashë. Mendova se i kishte dalë pija dhe nuk mbante mend gjë nga nata e mëparshme.

– Jo! Ti nuk ke më vend në këtë shtëpi.

– Mirë, – i thashë, – por më nxirr djalin jashtë, bashkë me pak rroba sa për ta ndërruar. Me zor nuk hyj brenda.

– As djalin nuk do ta marrësh e as brenda nuk do të hysh. Ti, të më rrahësh mua?! Ik me të mirë sa nuk më kanë hipur nervat e mbrëmshme.

Iu luta e iu përgjërova, por ai nuk më dëgjoi. U nisa për te shtëpia e prindërve të mi. Kaluan ditë, javë e muaj e me gjithë përpjekjet e shumta, unë e njerëzit e mi nuk arritëm të merrnim djalin e asgjë tjetër. Koha kalonte e për mua çdo ditë që vinte ishte më e keqe se ajo e mëparshmja. Pas disa kohësh, ai u nis për Itali së bashku me djalin dhe mua s`më mbetej gjë tjetër veçse të dëgjoja ç’flitej për ta nga gojët e njerëzve. Pas 5 vjetësh më vdiq nëna dhe unë e babi u bashkuam me vëllain e nusen e tij, por vështirë të rrish së bashku, kështu që mua më prezantuan me një djalë. Ai ishte shumë i bukur dhe i pasur, por ishte i verbër. Ai në fakt nuk kishte lindur i tillë, por kur po luante me shokët rreth moshës 15 vjeçare afër repartit ushtarak, kishin gjetur një bombë dhe i kishte shpërthyer në dorë. Në fytyrë nuk kishte shumë shenja, ama sytë nuk i kishin ardhur më. Nuk u mendova gjatë sepse doja të ikja nga shtëpia e vëllait, kështu që pranova. Ai banonte në një qytet tjetër dhe për mua, ky nuk ishte problem, madje ishte një gjë shumë e mirë se në qytetin tim kisha më shumë kujtime të hidhura sesa të gëzuara.

Që atëhere e deri tani, ne jetojmë bashkë. Jeta jonë nuk është aq e thjeshtë sa e çdo njeriu tjetër. Kur u njoha mirë me të, doli se ishte tre vjet më i vogël se unë, nuk ishte martuar asnjëherë dhe nuk kishte patur femër tjetër. U habita nga njohuritë e atij njeriu. Ai në fillim nuk kishte asnjë kërkesë të veçantë. Ai kënaqej me mua dhe sidomos me gatimin tim. Edhe unë ndjehesha mirë. Atij ia treguar të gjithë historinë time të trishtë. Kur ia tregova, ai më shtrëngoi dhe më tha:

– Tashmë, të gjitha të këqijat kaluan. Tani e tutje nuk do të ketë asnjë re të zezë në qiellin tënd.

Këto fjalë prej shkrimtari ishin të ngrohta sepse dilnin nga thellësia e shpirtit të tij. Atëhere u binda se nuk kisha vepruar gabim që isha martuar me këtë njeri. Pas njëfarë kohe, ai më tha:

– Nesër vjen vëllai im që banon në Itali. Do të dalësh ti ta presësh.

– Do të dalim bashkë! – i thashë.

Ai ishte mësuar të dilte pak se nuk kishte kush ta shoqëronte, por unë ia ndryshova mënyrën e jetesës. E merrja kudo me vete dhe nuk më lodhte aspak. Madje, ai, me mençurinë e tij, më kënaqte e ndihesha shumë me fat që jetoja me të. Vëllai i tij erdhi së bashku me nusen. Ai ishte një njeri shumë i mirë dhe më falënderonte çdo minutë për atë që po bëja me vëllain e tij.

– E kam burrë! – i thashë.

– E di që e ke burrë, po kështu si i rri ti atij, as nëna nuk do t`i rrinte po të ishte gjallë.

M’u bë qejfi. Ata ndenjën një javë dhe u kënaqëm. Disa herë i gjeja të dy vëllezërit të flisnin veçmas dhe, sapo futesha unë, ata e linin muhabetin. “Vëllezër, mendoja, pa dyshim kanë të fshehtat e tyre”. Kishin kaluar pak kohë dhe unë duhet të isha shtatzënë, por nuk po ndodhte. Ai kishte dëshirë të kishte një fëmijë dhe unë dojat t’ia plotësoja këtë dëshirë. Ishim të lumtur dhe donim të ishim më shumë. U përpoqëm, mora ilaçe, por asgjë. U lodhëm duke bërë vizita e duke pirë ilaçe. Ai më tha se edhe donte të kishte një fëmijë, por nganjëherë edhe nuk donte. Jo për veten e tij, se do të mërzitej kur të mos e shihte teksa rritej, por për vetë fëmijën, i cili nuk do të kishte një baba si shokët e tij. Ai do ta vuante shumë këtë gjë, por unë e kundërshtoja dhe i thoja se fëmija ynë do të ishte krenar për të. Ai do të ishte një baba një mijë herë më i mirë se ata që shohin sepse ka një zemër që rrallë njeri e ka. Por, përpjekjet tona për të patur një fëmijë shkuan kot. Të paktën kisha provuar ndjesinë që ke kur bëhesh nënë, megjithëse fëmija im ishte larguar nga unë dhe nuk e kishte ndjerë për një kohë të gjatë dashurinë e nënës. Ndoshta më kishte harruar fare.

– Do të vijë vëllai prapë. Do të dalim ta presim. – më tha burri vetëm një muaj pas ikjes së vëllait.

– Po ai tani ishte! – u habita. – Pse po vjen kaq shpesh?

– Po mërzitesh se nuk do që të vijë? – më tha.

– Ç`është ajo fjalë? Unë atë e dua si ta kem vëlla. Ç`më thua kështu?

– E mirë, mirë, bëra shaka! – buzëqeshi ai.

Të nesërmen u nisëm për në aeroport dhe po prisnim se avioni ishte një orë me vonesë. Ne të dy ishim ulur në një kafe e po prisnim. Ai m’u duk pak i tensionuar.

– Çfarë ke? Mos je i sëmurë? Nuk më dukesh mirë.

– Nuk kam asgjë, – më tha – por bëhem merak se pse po vonohet avioni. Kam frikë mos i ndodh ndonjë gjë.

– Mos mendo keq të lutem.

Avioni erdhi dhe unë menjëherë u ktheva nga ai dhe i thashë:

– Tani mund të jesh i qetë. Çdo gjë është në rregull.

Ai pohoi me kokë, por prapë nuk dha ndonjë shenjë. “Një hall e ka ky!”, mendova, por atij nuk i tashë gjë.

Njerëzit kalonin një nga një, kur ja ku u duk dhe kunati, bashkë me një djalë. Mendova se rastësisht do të ishin njohur në avion, por ata të dy u ndalën para nesh. Dy vëllezërit u përqafuan me njëri-tjerin, duheshin shumë. Pastaj, kunati më dha dorën e më puthi dhe pastaj më tha:

– Të njoh me këtë djalin. – dhe u kthye nga ai – Ky është djali yt!

U shtanga. Në moment nuk mbaj mend asgjë. Kur u përmenda, mbi kokën time ishin shumë sy që më shikonin me trishtim. E kuptova se më kishte rënë të fikët. Për disa sekonda, më kaluan para syve ngjarjet e fundit. Ishte e vërtetë? Më ngritën dhe të gjithë njerëzit u larguan, mbetën vetëm ata të tre dhe, mes tyre ai, djali im. E pabesueshme! Iu afrova dhe e shtërngova fort. Edhe ai më përqafoi. Doja t’i jepja përqafimet e gjithë kohës që nuk e kisha parë, por a ishte e mundur? E putha dhe u ktheva nga burri im.

– Ti je njeriu më i mirë në botë! – i thashë dhe e putha fort. Ishte e vërtetë. Ai më kishte bërë dhuratën më të bukur që mund t`i bëje një nënë. Ai më kishte kthyer djalin tim. Ai kishte bërë që kunati im ta gjente në Itali e të ma sillte dritën e syve të mi. Ja pra pse jam njeriu më i lumtur në botë, sepse kam në krah një njeri si ai.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Si të jetosh mirë në menopauzë?

Next Post

Ditari i një prostitute shqiptare në Greqi! (33)

Advertisement