Unë që po ju shkruaj quhem Miranda dhe jam një grua 45 vjeçare. Jam martuar kur sapo kisha mbushur 24 vjeçe. Djali me të cilin u martova banonte në pallatin përballë dhe ne duheshim shumë. Në atë kohë, të gjithë kryenin detyrimin ushtarak. Edhe ai e bëri dhe meqenëse sillej mirë dhe kishte dhënë rezultate, e mbajtën në punë në garnizon. Ai ishte 27 vjeç kur ne u martuam dhe më donte shumë. Dashuria jonë u bekua nga një djalë i bukur dhe shumë i shëndetshëm. Akoma nuk kishim një shtëpi tonën sepse nuk na kishte ardhur radha. Atëherë, me strehimin merrej shteti dhe për këtë duhej të prisje pak, por ndërkohë na kishin dhënë një dhomë në një hotel. Çdo gjë shkonte për mrekulli, si në përralla, por kur djali mbushi dy vjeç, na ndodhi një fatkeqësi. Burri u nis për në punë si çdo mëngjes. Nga ora 10, trokiti dera. Ishin dy shokët e tij më të mirë. Ata më dhanë lajmin e kobshëm. Burri im ndodhej në spital në gjendje mjaft të rëndë. Duke u shpjeguar armën disa të rinjve, nuk e dinte që kishte një fishek brenda dhe arma ishte shkrehur e ai ishte plagosur.
Shkova me një frymë në spital, por ai ishte në koma. Jeta e tij mbahej vetëm nga aparati. Një tub lidhte jetën me vdekjen e cila nuk vonoi dhe erdhi dy ditë më pas. Ishte një tmerr për mua! Nuk arrija ta mblidhja veten. Në funeral nuk e përmbajta veten, por në ditët më pas fillova të forcohesha. Ishte djali ynë që me tekat e tij ma largonte vellon e zisë. Çdo ditë shkoja te vjehrra ime dhe të dyja qanim pa pushim. Pastaj, ishte vogëlushi që ulej në prehrin e vjehrrës dhe i thoshte:
– O nëna pse qan? Ke frikë? Tani unë jam i madh dhe më ke mua.
Ai sa kishte filluar të fliste mirë dhe mendimet e tij ishin të thella. E vështronim të dyja dhe e kuptonim se im shoq na kishte lënë një trashëgim; djalin e tij, për të na fshirë lotët. Ai i ngjante shumë atij, si dy pika loti.
Koha eci dhe ne, së bashku me të. Djali u rrit dhe unë u shpërngula nga ajo dhomë hoteli në shtëpinë e vjehrrës. Ajo vetëm atë djalë kishte patur dhe tashmë kishte vend për ne. Djali mbushi 6 vjeç dhe do të shkonte në klasë të parë. Ishte i vogël kur mbeti pa baba, por mungesa e tij ishte e pranishme gjithmonë, sidomos në ditë të veçanta, siç ishte dita e parë e shkollës. E kaluam edhe këtë dhe djali rritej pak e nga pak. Po ashtu, po tretej vjehrra ime. Dhimbjen e zemrës së saj mos e provoftë askush! Ajo kishte një zemër të fikur, të ftohtë, që ngrohej vetëm nga një zjarr i vogël në cep të saj, dashuria për nipin. Ajo u tret plotësisht dhe në ditët e fundit, më tha:
– Faleminderit për të gjitha ato që ke bërë për mua. Zoti më dha vajzën që nuk e kisha në rini, ma dha në pleqëri.
Dhe vdiq. U mërzita si të ishte nëna ime. Tashmë, jeta ime ishte bërë e vështirë. Nuk e përballoja dot. Me demokracinë që erdhi, më hoqën nga puna dhe djali po rritej e duhet t’i plotësoja të paktën disa nga dëshirat dhe gjërat e nevojshme. Kisha një vëlla në Itali dhe ai duke parë gjendjen time, më ofroi të shkoja atje. Më dukej se po bëja ndonjë tradhti duke ikur nga burri dhe vjehrra ime, por ata tashmë ishin të vdekur dhe ne, të gjallët, duhet të jetonim. U nisa për Itali me kokën pas. Atje, për çudi, më eci mirë. Edhe djali po ecte shumë mirë në shkollë. U ambientua shpejt dhe unë, gjithashtu. Gjeta një punë të mirë si pastruese në një hotel.
Me kalimin e viteve, djali arriti në moshën delikate të adoleshencës. Megjithëse punën e kisha të mirë, kishte një gjë që çalonte. Punoja mbasdite dhe deri në orët e vona të natës. Kur djali ishte i vogël, e lija gjithmonë me nusen e vëllait tim, por kur filloi të rritej, përtonte të shkonte. Kishte dëshirë të rrinte në shtëpi vetëm. Rrija tërë merak te puna dhe këtë e kishte vënë re dhe shefi im, ndaj një ditë më pyeti:
– Të shoh shumë të shqetësuar, çfarë ke? Mund të të ndihmoj?
Mendova se do të më hiqte fare nga puna, kështu që nuk i thashë gjë. Na është bërë fiksim se këta pronarët, për pak gjë, të heqin nga puna. Ai nuk u bind nga fjala ime dhe kishte pyetur një shoqen time italiane. Ajo, siç janë të gjithë italianët, nuk kishte ngurruar aspak dhe i kishte thënë se kisha merak për djalin i cili rrinte vetëm në shtëpi. Ai, të nesërmen, në orën 7 të darkës, më tha:
– Mund të shkosh në shtëpi tani. Që sot e tutje, ti do të punosh 6 orë.
U kënaqa aq shumë dhe mendova që t’ia bëja djalit surprizë dhe nuk i telefonova. Kur u afrova pranë shtëpisë, dritat e saj ishin të fikura. Futem brenda dhe asgjë. Marr në telefon djalin dhe e pyes se ku është. Ai më gënjeu dhe më tha se ishte në shtëpi. Nuk i thashë asgjë dhe u ula në divan e po prisja. Ku nuk më shkonte mendja. Nga ora 10, ai u kthye. Kur më pa, nuk reagoi dhe u fut në dhomën e tij pa më folur fare.
I shkova nga pas. Hapa derën dhe e kuptova. Ai ishte i droguar. Po unë, ku isha? Pse nuk hapja sytë të shikoja e të merresha me djalin tim? Isha zhytur në punë dhe mendoja se ai tashmë prapë ishte i vogël. E neglizhova adoleshencën dhe ja ç`më doli. U ula përsëri në të njëjtin divan, por tashmë mendimet që kisha kur isha ulur më parë aty, nuk ishin më. Tani unë dija gjithçka. Po a ishte vonë tani? Çdo natë kur vija nga puna, e gjeja djalin në gjumë dhe në mëngjes ngrihej normal. Mua as që më kishte shkuar mendja se pse ai flinte aq shumë. Unë nuk kisha qenë aty. Ja ç`më ndodhi. Ç`do të bëja tani? As vetë s’e dija, vetën dija që nuk do të vija dot gjumë në sytë e mi. Të nesërmen po e prisja në të njëjtin divan, por prapë kisha ndryshuar. Herën e parë isha e pushtuar nga mendimet, herën e dytë nga ankthi e tashmë kisha një plan në kokë. Unë isha ajo që kisha përballuar shumë gjëra të këqija që më kishin ndodhur dhe, pa dyshim, do ta kaloja edhe këtë, duhej ta kaloja.
– Mirëmëngjes! Si u gdhive sot?
– Mirë – më tha – si gjithmonë.
– Ti je si gjithmonë, por jo unë.
Ai nuk mbante mend se unë kisha qenë në shtëpi kur ai kishte ardhur. Më pa me habi.
– Mos më shih ashtu se i di të gjitha!
Ai ishte një djalë me edukatë, sepse edhe vjehrra ime dhe unë, të tillë e kishim edukuar, prandaj uli sytë dhe më tha:
– Nuk është ashtu siç mendon ti.
– Po si është? Si na qenka droga tani, që unë të mendoj më mirë?
– Nuk kisha pirë drogë, por hashash. Është si cigarja dhe e lehtë, nuk ka asnjë pasojë.
– Po pas saj, çfarë na vjen? E di ti se si kalon nga njëra te tjetra deri te më e forta?
Debatuam të dy, por tashmë planet ishin bërë në kokën time. Ishte djali im dhe e kisha dy herë amanet nga burri dhe vjehrra. Të nesërmen lajmërova shefin se nuk do të shkoja më në punë dhe shkollën, se ai ishte sëmurë e nuk shkonte dot. E mbajta pas meje për më shumë se dy javë dhe më pas, e lashë të shkonte në shkollë. Ai shkonte në shkollë e unë pas tij, duke e përgjuar. Kisha shumë frikë se mos pinte prapë. Kjo gjë zgjati për rreth 4 muaj. Ai e kishte kuptuar se e ndiqja që në fillim, kështu që i shkoja drejt e në klasë në çdo pushim. Ai, në fakt, mund ta pinte sa herë të donte edhe pse unë i isha bërë roje, por si duket e kishte kuptuar edhe vetë. Një ditë ai më tha disa fjalë të cilat më mirë të kisha vdekur e të mos i kisha dëgjuar.
Kishim dalë për pazar dhe më tha:
– Mami, tani nuk ke pse të më ndjekësh më. Unë tani e kam kuptuar se si shkojnë shkallë- shkallë nga një drogë e lehtë te më e forta. E di se nuk më beson, por për shpirtin e babit, nuk do të pi më as duhan e jo më gjë tjetër.
Nuk kisha ç`t’i thosha, kështu që heshta. Që nga ajo ditë, unë besova tek ai dhe ai sot e kësaj dite është një djalë shembullor, ashtu si donin ta shihnin vjehrra, burri im dhe sidomos unë. Ai është gjëja më e çmuar që kam, prandaj e ruaj si dritën e syrit.