– Përshëndetje redaksia. Unë jam Anxhela, 20 vjeçe, nga Tirana. I vlerësoj shumë përgjigjet tuaja dhe do të doja të më jepnit mendimin tuaj për diçka që po ndodh në jetën time. Kam 2 vjet e lidhur me një djalë 5 vjet më të madh se unë. Gjithçka shkonte shumë mirë deri para një muaji kur patëm një zënkë jo shumë të madhe në telefon dhe ajo telefonatë u mbyll me fjalinë: “Do flasim”. Që para 4 javësh e deri tani, i dashuri im nuk më ka marrë në telefon. Kur i bie telefonit të tij, ma mbyll dhe nuk u është përgjigjur mesazheve të mia. Ajo që dua të kuptoj unë është: Ç’do të thotë me këtë sjellje? A mund të mbarojë një lidhje 2 vjeçare pa dhënë asnjë shpjegim? A duhet të insistoj më unë për të marrë një shpjegim? Si duhet të sillem se s’po e duroj dot më këtë situatë? Pres me padurim përgjigjen tuaj sa më shpejt. Faleminderit.
Redaksia: – E dashur Anxhela, e kuptoj shqetësimin tuaj dhe egoizmin e tepruar të të dashurit tuaj. Ndoshta mund t’ju dukem e ashpër në këtë përgjigje, por po e marr “lejen” ta bëj, përderisa na kërkoni një mendim. E ashpër, jo për të të gjykuar, sepse te ju nuk ka asgjë të gabuar, por në drejtim të të dashurit tuaj. Nuk është aspak korrekte dhe shenjë dashurie sjellja e të dashurit tuaj ndaj jush. I dashuri juaj, vetëm për hir të atyre 2 vjetëve që keni kaluar bashkë, ju detyrohej të paktën një shpjegim. Duke e lënë mënjanë këtë, pavarësisht rëndësisë së madhe që ka, të paktën duhet t’ju përgjigjet në telefon ose, minimalisht, t’ju shkruajë një mesazh, por as këtë s’e ka bërë. Kjo tregon se ai është njeri pa karakter dhe nuk po tregohet burrë që të përballet me ju e t’jua thotë hapur problemin që ka. Sjelljen e tij ne e kuptojmë si dëshirë për t’u ndarë nga ju. E di që mund të mërziteni nga kjo, por indiferenca e tij tregon ftohtësi dhe dëshirë për t’u ndarë. Dhe, nëse është vërtet kështu, nga këndvështrimi jonë, me beso, ju ka bërë shumë nder që është larguar. Ç’mund të presësh më shumë nga një person që nuk di t’ju përgjigjet në telefon, që nuk tregon pak respekt për t’ju sqaruar? Janë pikërisht këto “vogëlsira” nëse mund të quhen kështu, që tregojnë karakterin e vërtetë të një personi. Kjo do të thotë se ai ka një karakter shumë të dobët dhe aspak të denjë për ju.
– Nëse sot, për vogëlsira, sillet kështu dhe ju braktis, po nesër pasnesër po të martoheni bashkë dhe të keni fëmijë? Në problemin e parë që mund të hasni, ai është i aftë t’ju lërë në mes të rrugës. Çdo çift ka problemet e tij gjatë bashkëjetesës dhe ata që duhen vërtet, dinë si t’i kapërcejnë dhe të jetojnë përsëri në harmoni me njëri-tjetrin. Shpeshherë femrat i neglizhojnë këto vogëlsira, si mospërgjigjja në telefon, mospërballja e tij dhe e justifikojnë të dashurin vetëm e vetëm që të mos e humbasin. Të jeni e bindur se po veproni gabim! Mos toleroni as gabimin më të vogël, aq më tepër të kësaj natyre, siç është sjellë ai me ju.
– Unë ju këshilloj të mos insistoni më në këtë lidhje. Mos i telefononi dhe mos tentoni të kontaktoni më me të në asnjë mënyrë. Dhe, nëse ndodh që të vijë ai te ju, pavarësisht justifikimeve që mund t’ju japë, mendoj se nuk duhet të bashkoheni me të. Kjo është në të mirën tuaj. Nuk është se ai heshti për punë 2-3 ditësh që dhe mund t’ia falësh. 4 javë janë më se të mjaftueshme për t’u bindur që ai është një person egoist e pa karakter dhe që në thelb, nuk ju do vërtet.
– E dashur Anxhela, mos u stresoni për diçka që nuk ka vlerë dhe për faktin që ai ju braktisi në problemin më të vogël që patët. Përkundrazi, duhet të gëzoheni që e kuptuat se kush ishte në të vërtetë. Në qoftë se e toleroni atë person, ai do të sillet akoma më keq me ju. Jeni e re dhe keni gjithë jetën përpara për të njohur një person që ju vlerëson dhe që ju do me të vërtetë. Duajeni dhe respektojeni veten në radhë të parë, në mënyrë që t’ju duan edhe të tjerët. Çdo gjë që ndodh, për një arsye apo një tjetër, më beso, sjell një të mirë me vete. Ju uroj fat!