Unë që po ju shkruaj jam një burrë që besoj se fati e ka rrahur shumë me dallgët e veta. Fati më ka bërë shumë surpriza, si të mira, ashtu edhe të këqija. Të gjithë paraardhësit e mi janë martuar herët, kështu që edhe unë ashtu veprova. U martova i ri dhe gruan e doja shumë. Ishim të rinj dhe argëtoheshim shumë së bashku mbasdite kur mbaronim punë dhe në ditët e pushimit. Ishim të lumtur. Ajo ishte një grua e mrekullueshme dhe më përshtatej. Kësaj lumturie iu bashkuan edhe dy fëmijë, dy vajza të bukura dhe të shëndetshme. Ishte një mrekulli e Zotit dhe unë i isha shumë mirënjohës. E ndihmoja gruan dhe kujdesesha shumë për fëmijët e për familjen. Kur dilnim bashkë, të gjithë na kishin zili sepse ishim një çift i bukur. Vitet kaluan dhe me ardhjen e demokracisë, unë emigrova në Itali. Atje nuk u përshtata shpejt. Ndjeja një mall të madh për vendlindjen dhe sidomos, për familjen time. Me letrat nuk i kisha punët në rregull. Qëndrova tre vjet atje dhe nuk arrita të merrja asnjë dokument me të cilin të kthehesha e të çmallesha me familjen time e të shkoja përsëri në Itali. Mërzia më kishte pushtuar. Një ditë i thashë shokut tim të dhomës se do të kthehesha përfundimisht në Shqipëri. Ai m`u lut të mos e bëja një gjë të tillë, se do të pendohesha e nuk do të arrija të shkoja më në Itali, por ishte tepër vonë; unë tashmë e kisha vendosur.
U ktheva. Ishte një ndjenjë aq e bukur të përqafoje të dashurit e zemrës. Vajzat ishin rritur dhe të dyja ishin shumë të bukura. Gruaja nuk kishte ndryshuar fare. Kisha kohë pa i parë dhe nuk arrija të ngopesha duke i puthur e duke u treguar për peripecitë që kisha kaluar. Edhe ato kishin shumë për të treguar. Ishim përsëri bashkë dhe të lumtur. Megjithëse jetesa në Itali ishte më e mirë dhe shumë e ndryshme nga ajo që gjeta në Shqipëri, nuk më bëhej vonë fare. Isha bërë gjysmak në mërgim, më mungonte gjysma ime, familja. Arrita të gjeja një punë dhe çdo gjë u stabilizua. Tashmë, kisha dhe eksperiencën e jashtë shtetit dhe pronarët ishin më të gatshëm për të më marrë në punë. Pas gjithë kësaj kohe të mirë, e kishte radhën rrebeshi. Gruaja ishte gjithmonë si e përhumbur dhe disa herë, e gjeja duke qarë veçmas. E pyesja dhe ajo më thoshte se kishte dhimbje koke dhe, para pak kohe, kishte dalë me migrenë. E besova.
Kjo gjë vazhdoi për një kohë të gjatë. Një ditë pyeta vajzën për gjendjen e gruas:
– Sa kohë ka mami kështu?
– Qëkur erdhe ti, babi. Ajo nuk përmbahet dot nga qejfi i madh që erdhe ti dhe shfren duke qarë.
– Po më parë, a kishte dhimbje koke?- i thashë.
– Po ajo nuk qan nga koka – më tha. – Kur e kam pyetur, më tha: “Qaj se më kishte marrë malli shumë për babin”.
Hajde merre vesh këtë punë. Unë kisha disa muaj që kisha ardhur dhe lotët tashmë do të ishin tharë e do të ishin kthyer në buzëqeshje e përqafime. Në darkë, kur vajzat u shtrinë për të fjetur, u ula afër saj, ia mora dorën e ia vendosa sipër dorës sime dhe, duke ia përkëdhelur, i thashë:
– A ka ndonjë gjë që duhet të ma thuash?
Ajo nuk i ngriti sytë për një moment, por pastaj, më pa në sy e më tha:
– Jo, unë jam shumë mirë. Tashmë, ti je në shtëpi. Ç’mund të kem?
– Unë të pyeta e ti duhet të më përgjigjesh dhe jo të më pyesësh. Pyetja kërkon përgjigje e jo pyetje. Më thuaj ç’të mundon. Jashtë shtetit jam përpjekur me shumë gjëra të tmerrshme e kështu, pak gjëra mund të më bëjnë përshtypje. Pastaj, bota është e hapur dhe pranon çdo gjë. Ata e shohin jetën me sy tjetër. Çdo njeri ka të drejtën të jetë i lumtur e jo të ngryset kështu si je ngrysur ti. Të lutem!
Ajo më dëgjonte me vëmendje dhe tha:
– E di se ti je shumë i mirë dhe kam besim se çdo gjë mund ta rregullojmë bashkë, por unë nuk kam asgjë. Migrena i ka fajet, ajo më mundon shumë. Mos u bëj merak, do të kalojë.
Ajo ishte shumë e qetë kur më thoshte këto fjalë. U qetësova dhe bëra gjumë të qetë. Tashmë, nuk kisha pse të rrija natën pa gjumë si kur isha në Itali e të mendoja se si i kishin hallet pjesëtarët e familjes sime. Tani isha pranë tyre.
Të nesërmen u ngrita dhe shkova në punë. Nga ora 12, më merr në telefon gruaja dhe më thotë se do të shkonte te një shoqe për vizitë pas pune e do të vonohej, kështu që më kërkoi të mos vonohesha për të ndenjur me vajzat pasdite. Mbarova punën dhe u ktheva në shtëpi. Vajzat ishin shumë të mbara dhe rrinin për mrekulli, edhe kur ishin vetëm. Hëngra drekë dhe shkova në dhomë të shtrihesha pak. Sipër komodinës, ishte një zarf mbi të cilin shkruhej emri im. E hapa zarfin dhe fillova të lexoja:
“Më fal që këto që po të shkruaj në letër nuk t’i thashë me fjalë, por nuk e gjeta guximin ta bëja një gjë të tillë. E di se nuk do të më falësh kurrë, por unë do të ruaj nga ti imazhin e njeriut të përsosur të cilin e dëshiron çdo femër; princin e kaltër. Kur ti nuk ishe këtu, u ndjeva shumë keq dhe kisha nevojë për dashuri. Kam njohur një burrë tjetër, i cili nuk është aq i përkryer sa ti, por unë e dua dhe ai më do. Edhe ty të kam dashur, por dashuria ime e vërtetë është kjo dashuri që kam me këtë njeri. Jemi bërë për njëri-tjetrin. Si ndëshkim që po të bëj këtë, po iki pa vajzat dhe mendoj se ky është ndëshkimi më i egër që mund t`i bëhet një njeriu e sidomos një nëne. Faleminderit për gjithçka ke bërë për mua!”.
Ç’ishte kjo? Edhe më falënderonte? Mos duhet ta falënderoja edhe unë? Sa më mirë të sillesh, aq më keq është. Isha në dhomë, i ulur mbi krevatin dopio që e kisha ëndërruar çdo natë kur isha emigrant dhe tashmë, isha vetëm; gruaja më kishte lënë dhe në dhomën tjetër ishin dy vajzat e mia tashmë jetime, me mama gjallë. Po kjo është e pabesueshme! Ajo, shumë mirë, mund të kërkonte divorcin dhe ta bënim çdo gjë sipas rregullave, nuk kishte pse të ikte ashtu. Unë nuk do ta mbaja kurrë me zor as më parë se të shkoja në kurbet e jo më tani që kisha parë lloj-lloj çiftesh e nuk kishte pse të më vinte keq e të jetoja me dikë që nuk më donte më.
Në fakt, u trondita shumë. Ishte një gjë që uroj të mos i ndodhë kujt. Vajzave në fillim u thashë se mami kishte ikur me shërbim, por se nga e morën vesh dhe atë ditë nuk do të kisha dashur të jetoja e të shihja fëmijët e mi ashtu. Mora forcë dhe vendosa ta kaloja këtë gjëmë. Vajzave ua plotësoja të gjitha dëshirat dhe jetuam për një vit shumë mirë, por jeta është e gjatë dhe ne burrave nuk na jepet shumë për punët e shtëpisë, kështu që kishte lindur nevoja të gjeja një grua tjetër. Të them të drejtën, isha afruar në punë me një vajzë shumë të mirë, në moshë pak më e vogël se unë, që nuk ishte martuar asnjëherë. Ishte një vajzë e thjeshtë dhe ndjehesha mirë kur më takonte të punoja afër saj. Ajo e dinte historinë time dhe më kishte thënë një fjalë që ia vlen ta them sepse është një fjalë e mençur: “Nuk ka pse mërzitet njeriu kur e lënë. Kaq ishte, duhet thënë. Në këtë botë të madhe do të ketë një njeri që të pret, shenjën duhet ta japësh vetë.”.
Të gjitha kushtet ishin pjekur që vajzat të bëheshin me nënë dhe unë me grua. Edhe njeriun e kisha gjetur dhe kishim njohur njeri-tjetrin e mendonim se në të shumtat e gjërave, përputheshim së bashku. Duhej vetëm vendimi final. Dhe kjo gjë, arriti! E mora në shtëpi dhe që atëhere, ajo jeton me ne. Pas një viti, Zoti na gëzoi me një djalë. Si duket, ai i mungonte familjes sonë sepse tashmë ishim një familje. Marrëdhëniet në familjen tonë janë të mrekullueshme dhe çdo gjë shkon për mrekulli. Nganjëherë më shkon mendja te gruaja e parë dhe më dhimbset se si ajo i vuri shkelmin lumturisë. Ndoshta ka gjetur dashurinë e vërtetë, siç thoshte ajo, por humbi dashurinë hyjnore, dashurinë e fëmijës; dashuri që vetëm fëmija ta jep dhe është e parekuperueshme; kur e humb atë, vështirë ta kthesh pas. Vetëm atëhere kur ke dashurinë e fëmijëve, mund ta plotësosh me degë të tjera këtë dashuri. Ajo është trungu!