Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Nuk më donin sepse isha shqiptare

Përshëndetje lexues të kësaj rubrike të mrekullueshme, së cilës po i shtoj edhe historinë time. Gjithmonë më kanë pëlqyer historitë me fund të lumtur, por me mua ndodhi ndryshe.  Më ndodhi që të dashurohesha me njeriun e gabuar, në vendin e gabuar. Pasi u njoha me Xhulion, mendova se kisha gjetur lumturinë, por ajo u zhduk me ikjen e tij nga Shqipëria për në vendin e tij të lindjes, në Itali. Xhulio ishte italian, por vinte shpesh në Durrës për pushimet verore. Unë jetoja në Durrës dhe gjithë verën e kaloja aty, në plazh. Ditën që e pashë, ai po dilte nga uji dhe më tërhoqi menjëherë. Ishte shumë simpatik. Nuk e dija që ishte i huaj, por këtë e mësova kur m’u afrua dhe më pyeti nëse mund ta shoqëroja për një kafe. Sigurisht që pranova, me një të tundur të kokës. Ai fliste italisht, por unë e kuptoja dhe mund të bisedoja me të pa asnjë problem. Në takimin e parë, ai më foli shumë për veten, familjen dhe vendin e tij. Gjatë kohës që fliste, unë isha shumë e emocionuar. Më pëlqente shumë ai djalë. Që në atë moment, ndjeja se kjo njohje do të vazhdonte edhe më tutje. Më pëlqente sa herë më bënte komplimente sepse ishte shumë i ëmbël. Më thoshte shpesh që femrat shqiptare janë shumë të bukura dhe se këtë e vërtetoja më së miri unë. Xhulio, që nga ajo ditë, vinte dhe më takonte shpesh. Edhe unë mezi e prisja momentin që ai të vinte. Edhe pse ishim 26 vjeç, na dukej vetja si adoleshentë. Megjithëse ishim nga vende të ndryshme, kuptoheshim shumë mirë me njëri-tjetrin dhe kjo na bënte të mos e ndjenim fare ndryshimin. Kishte kaluar kohë dhe Xhulio kishte mësuar të fliste shqip, të paktën, fjalët kryesore. Ai tashmë vinte gjithnjë e më shpesh në Durrës, madje kishte blerë edhe një shtëpi verore (siç e quante ai) aty, për të qenë sa më pranë meje. Kishte ardhur momenti që unë doja të njihja prindërit e tij, pasi ai ishte njohur me të mitë. Kur ia thashë, e ndryshoi menjëherë shprehjen e fytyrës. Mua nuk më pëlqeu aspak dhe ai e vuri re këtë menjëherë. “Nuk po të pëlqen?”, e pyeta e çuditur. Ai u mundua ta kalonte atë situatë duke e anashkaluar bisedën, por unë insistova. “Epo mirë”, tha ai. “Unë u kam folur prindërve për ty, por atyre nuk e pëlqen që ti je shqiptare. Nuk kanë mendim të mirë për Shqipërinë. Sado që u mundova t’ua shpjegoja se të doja, ata gjithesi nuk pranuan, por rëndësi ka që të dua unë”, mbaroi ai.

Në fakt, nuk e kisha menduar ndonjëherë nëse ai më donte vërtet, pasi isha fokusuar vetëm në dashurinë time ndaj tij. Kisha rënë shumë shpejt në dashuri me Xhulion, pa u interesuar për ndjenjat e tij, pavarësisht se dukej sikur më donte. Shpresoja që kjo e fundit të ishte e vërtetë, në të kundërt, ai që do të më mbetej nga kjo histori, nuk do të ishte tjetër veçse një zhgënjim.

Advertisement

“Egla, kur do të të shohim të veshur nuse?”, më ngacmonte shpesh motra. Ndryshe nga familja e tij, e imja e kishte pranuar lehtësisht faktin që ai ishte i huaj. Kisha fatin që kisha një familje shumë mirëkuptuese, por kur mësuan mendimin që ata kishin për mua, mami u hodh menjëherë: “Ata duhet të jenë krenarë që kanë një nuse shqiptare” dhe ngrysi vetullat. Të njëjtin veprim bëri edhe babai, por ai nuk foli. Unë nuk u ndjeva aspak mirë kur ua thashë, por duhet ta bëja patjetër.

Xhulio dukej shumë ndryshe nga prindërit e tij. Ishte shumë i dashur edhe me familjen time. Mamaj e tij i kishte kërkuar shpesh që ai të kthehej në Milano, në vendin ku banonte, por Xhulio nuk kishte pranuar. Kishte vendosur të qëndronte përgjithmonë këtu dhe një ditë shprehu dëshirën që ne të bashkëjetonim. Kishte momente që isha konfuze se çfarë duhet t’i thoja për këtë, por pasi e mendova mirë, pranova.

“Egla, dua që ta shohësh çdo gjë me optimizëm”, më thoshte ai sa herë më shihte të mërzitur. E doja, e doja vërtet shumë, por kisha një ndjenjë dyshimi; nuk e dija sa më donte ai mua. “Nëse nuk do të më donte atëhere, ai nuk do të më kërkonte që ne të bashkëjetonim ose nuk do të zgjidhte të qëndronte këtu dhe të kundërshtonte familjen e tij. Këto zgjedhje i ka bërë i shtyrë nga dashuria”, mendoja me vete. Disa herë e shihja që ai edhe mërzitej sepse kalonte shumë kohë pa e parë familjen e tij dhe sa herë që e shihja ashtu, i lutesha të shkonte të vizitonte prindërit e tij sepse nuk mund të vazhdonte t’u mbante inat atyre. Xhulio më kundërshtonte vazhdimisht me kokëfortësinë që e karakterizonte, por më në fund, arrita ta bindja. Ditën që Xhulio u nis për në Itali, seç ndjeva një shqetësim që nuk e kuptoja. Pasi Xhulio kishte ikur, unë i kaloja ditët para kompjuterit tim, si dhe ndihmoja mamin në ndonjë punë shtëpie. Ai u kthye pas dy javësh. Në fakt, nuk e mendoja se do të qëndronte kaq gjatë, aq më tepër që ai nuk kishte marrëdhënie të mira me prindërit e tij kohët e fundit dhe shkaku i kësaj isha unë.  Mendoja se gjatë kohës që ai kishte qenë atje, marrëdhëniet mes tyre ishin përmirësuar, ashtu si edhe mendimi i tyre ndaj meje. “Më trego gjithçka, të lutem”, i thashë atij sapo erdhi. I bëja aq shumë pyetje sa ai vuri buzën në gaz dhe më tha: “Qetësohu Egla”. E kuptova se isha bërë qesharake në ato momente dhe i kërkova të falur duke qeshur.  Xhulio dukej sikur ishte ripërtërirë pas asaj vizite dy javore që u kishte bërë prindërve të tij. Ndoshta ishte kështu, edhe pse kishte qenë në vendlindjen e tij, nga e cila e kishte shumë të vështirë të ndahej, si çdo njeri tjetër. Është shumë e vështirë të ndahesh nga jeta jote e mëparshme, nga kujtimet e tua dhe nga shoqëria që ke prej vitesh, por kjo tregonte më së miri dashurinë që kishte Xhulio ndaj meje. Mezi prisja pjesën ku ai do të tregonte për prindërit e tij. “Ata vazhdojnë të kenë të njëjtin mendim, Egla, por besoj se një ditë do të të shohin ndryshe”, më tha. E kisha patur gabim kur mendoja se ata do të kishin ndryshuar mendim për mua. Dukej sikur unë për ta mishëroja gjithë imazhin e keq që ishte krijuar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Çuditesha se si disa njerëz si ata, që jetonin në një vend me mentalitet tjetër, kishin këtë mendim dhe nuk e kuptonin dashurinë mes meje dhe djalit të tyre. Xhulio e pa që u mërzita dhe më përqafoi duke më premtuar se do ta kisha në krah përgjithmonë. Ai më jepte shumë shpresa për ta vazhduar jetën me optimizëm, por në momentin që kujtoja se dija gjithçka për Xhulion, mësova se ai kishtë një të fshehtë për të cilën nuk më kishte folur kurrë. Para dy vjetësh, Xhulio kishte dashuruar marrëzisht një vajzë italiane e cila quhej  Stela. Pavarësisht se ata ishin dashur shumë, ndarja mes tyre kishte ndodhur për shkak se babai i Stelës duhej të largohej në Australi për shkak të punës. Xhulio nuk kishte mundur t’i shkonte pas sepse Australia ishte shumë larg dhe ishin ndarë nga njëri-tjetri shumë dëshpërimisht. Kur mësova këtë, natyrisht, nuk më erdhi aspak mirë. Tani, si kurrë më parë isha më tepër dyshuese për marrëdhënien që kisha me Xhulion. Ai nuk ishte treguar tërësisht i sinqertë me mua, ashtu siç isha treguar unë me të. Nuk e dija arsyen pse nuk më kishte folur për këtë lidhje. Kjo më bënte të mendoja se ajo lidhje për Xhulion kishte akoma rëndësi dhe ai nuk e kishte harruar atë vajzë, ose më keq akoma, ndoshta vazhdonte të ishte i dashuruar me të dhe këtë dashuri e quante të shenjtë, pasi edhe mua nuk më kishte treguar asgjë.

“Xhulio, sa herë ke dashuruar në jetë?”, e pyeta një ditë.

“Pse më pyet?”

“Ashtu, kot”.

“Ti je dashuria ime e vetme!”, tha. Nuk e di pse, por nuk e besova. Ndoshta sepse në ato momente nuk m’u duk aq i bindur në atë që thoshte. Për të mund të mos ishte problem t’i thoshte fjalë të tilla një femre. Atë mbrëmje, ai më propozoi të…

“Ti je dashuria ime e vetme!”, tha. Nuk e di pse, por nuk e besova. Ndoshta sepse në ato momente nuk m’u duk aq i bindur në atë që thoshte. Për të mund të mos ishte problem t’i thoshte fjalë të tilla një femre. Atë mbrëmje, ai më propozoi të martoheshim. “Pse pikërisht tani, kur nuk di çfarë t’i them?, pyesja veten. Megjithatë, unë e doja Xhulion, ndaj edhe i thashë, “po”. E vlerësoja edhe faktin që këtë po e bënte në kundërshtim me familjen e tij. Nuk ishte pak kjo për të treguar dashurinë ndaj një femre!

Ne kishim vendosur të martoheshim pas një muaji dhe unë mezi e prisja atë ditë që do të ishte dita më e lumtur e jetës sime, por ato ditë, më çuditi vendimi i tij për të ikur përsëri në Itali.

“Ka ditëlindjen mamaja dhe unë nuk mund t’i thoja “jo” ftesës së saj”, më tha.

“Po unë nuk do të vij?”, e pyeta.

“Më mirë jo”, tha ai.

“Gjithsesi, mund edhe të ma kishe thënë që mamaja jote ka ditëlindjen”.

“Më fal, zemër, kam harruar”, tha ai dhe pasi më dha një puthje, iku. Ajo situatë nuk më pëlqeu aspak. Xhulio vazhdonte të më distanconte. E dija që mamaja e tij nuk do të donte që unë të isha e pranishme atje, por prisja tjetër reagim nga ai. Mendova se brenda javës do të kthehej sepse martesa po afronte. Gjatë asaj kohe, fillova të merresha me përgatitjet për dasmën. Për këtë, më ndihmuan mamaja dhe motra ime. Gati çdo gjë ishte gati. Edhe tre javë mungonin deri në ditën e martesës, por çudia ishte se Xhulio nuk ishte kthyer akoma dhe as nuk më kishte telefonuar. Kjo po më shqetësonte shumë. Isha tepër e demoralizuar për të vazhduar më tutje me përgatitjet, ndaj edhe lashë gjithçka. Nuk e kuptoja se pse Xhulio po ma bënte këtë. Kisha ditë që isha mbyllur në dhomën time dhe qaja. Ndoshta mamaja e tij ia kishte mbushur mendjen që ai të mos kthehej më. Isha e sigurtë se kjo ishte arsyeja e vetme që e shpjegonte këtë veprim të çuditshëm dhe të papritur të tij. Sa herë mendoja braktisjen, rrahjet e zemrës më shpejtoheshin dhe nuk ndihesha fare mirë. Prisja çdo ditë një reagim prej tij, por një javë para martesës, i humba shpresat se do të kthehej. E kisha mendjen të mbledhur se ai më kishte braktisur dhe kisha filluar ta urreja atë dhe mamanë e tij. Vërtet, ai më kishte braktisur!

Më vonë mësova se e ëma i kishte rezervuar një surprizë mbrëmjen e ditëlindjes së saj. Stela ishte kthyer nga Australia së bashku me familjen dhe atë natë ishte e ftuar në ditëlindje. Xhulio ishte tronditur shumë nga ajo surprizë dhe ishte shumë i lumtur që kishte ritakuar dashurinë e jetës së tij. Pavarësisht largësisë, dashuria e tyre kishte mbetur e paprekur. Më ndodhi ajo së cilës i druhesha që në momentin që mësova për dashurinë e tij të fshehtë. Ai nuk mori as mundimin më të vogël për të më thënë se nuk do të vinte. Do të ishte më e ndershme nga ana e tij, por jo. Xhulio tashmë nuk donte t’ia dinte nëse unë ekzistoja. Mendoja se jeta ime kishte marrë fund me atë zhgënjim. Ishte shumë e rëndë për mua ta suportoja atë gjendje të tmerrshme në të cilën ndodhesha. Vendosa t’i shkruaja një letër në të cilën ai do të lexonte gjithë urrejtjen time ndaj tij dhe familjes së tij, që më kishin sjellë gjithë atë shqetësim.

“Nuk është fundi i botës prandaj qetësohu”, më thoshte motra, por isha unë që po i përjetoja ato ditë tmerri ndaj dhe nuk mund të bëja sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Në letër i shkrova edhe për shumë gjëra të tij personale, për të cilat ai nuk ishte në dijeni se unë i dija. E mbylla letrën me shprehjen: “Guxova të të dashuroja, edhe pse ti ishe nga një vend i huaj. Pranova edhe të fshehtën tënde, dashurinë me Stelën, për të cilën ti nuk më kishe folur kurrë. Arrite të më lëndoje sepse braktisjen nga ti nuk e prisja. Gjithsesi, uroj të jesh i lumtur me Stelën dhe ndoshta është më mirë që ndodhi kështu. Lamtumirë.”  Uroja të mos pendohesha që ia dërgova atë letër, por kjo ndodhi një ditë sepse ai nuk më ktheu asnjë përgjigje. Po e kuptoja gjithnjë e më shumë se isha dashuruar me njeriun e gabuar. Ndoshta për të, isha një mënyrë për të harruar Stelën apo thjesht një dashuri verore që i jepte mundësinë të kalonte çaste të bukura në jetën e tij. Mundohesha ta kuptoja vendimin që ai kishte marrë, por nuk mundesha. Po sillej edhe më keq duke mos më kthyer qoftë edhe një fjalë si përgjigje të letrës që i dërgova…

Ajo braktisje ka mbetur si njollë në jetën time dhe nuk do të mund ta harroj kurrë, sado që të mundohem të bëj të kundërtën. Gjithsesi, i ushqej vetes mendimin se ajo që ndodhi, ndodhi tashmë dhe duhet të shoh përpara për të përmirësuar të ardhmen time, duke mësuar nga e shkuara, sido që të ketë qenë ajo. Përsëri nuk kam frikë të them se ajo histori që përjetova ishte e hidhur dhe e ëmbël njëkohësisht.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Sabri Fejzullahu gati një hit të ri

Next Post

Ditari i një prostitute shqiptare në Greqi! (13)

Advertisement