Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Pse tentova të vetëvritesha…


Jam një vajzë nga një fshat i Shqipërisë së Mesme dhe dëshiroj të mbetem anonime, ndaj do t’ju lutesha shumë që të ma ruani emrin sekret. Pseudonimin po e vë Perla…

Jam 17 vjeçe dhe kam mbaruar vetëm shkollën tetëvjeçare, pasi prindërit i kam shumë fanatikë dhe nuk donin që unë të shkoja në qytet dhe të vazhdoja shkollën e mesme e më pas të lartën. Unë faktikisht kisha shumë qejf të shkoja në Universitetin e Tiranës, sepse aty kam disa shoqe të miat që janë më të mëdha se unë. Ato më flasin për jetën e tyre studentore dhe kur vijnë fundjavave, unë i shoh me sy dhe plas me zemër.

Advertisement

Ja që kështu që e shkruar për mua, ose më mirë, fatin tim e shkruajtën prindërit e mi, të cilët dhe pse i dua, e pranoj që janë shumë të prapambetur. Faktikisht, ne nuk jemi në gjendje shumë të mirë ekonomike, vëllai im i vetëm shkon herë pas here jashtë shtetit dhe edhe pse është i shëtitur, kur i thonë, prapë së prapë është shumë fanatik për mua dhe më thotë:

– S’ke punë ti të shkosh në shkollë! Duhet të rrish në shtëpi, të mësosh se si gatuhet dhe ta bësh shtëpinë xixë. Do të të gjej vëllai një burrë që të të meritojë.

Unë e kundërshtoj shpesh e i them se “dua që ta gjej vetë burrin e jetës sime”, edhe pse e di që këtu në fshat nuk ka mbetur asnjë djalë, sepse kanë kohë që kanë ikur në emigracion, ose janë fejuar e martuar. Kështu, unë vetë e di që nuk kam nga ta gjej, por prapë së prapë nuk më pëlqen ajo mënyra e prapambetur për të lidhur dy njerëz, shkuesia. Im vëlla më thotë:

– Më shumë se ne të familjes, nuk do të të dojë njeri. Unë jam vetë mashkull dhe i shoh shumë mirë shokët e mi se si tallen me femrat. Nuk do të lejoj që asnjëri të bëjë të nëjjtën gjë me ty. Prandaj, unë do ta gjej më të mirin për ty, ama ta njoh unë mirë e mirë njëherë!

Sa herë që më thotë kështu, më vjen të qaj, të plas. Mbaj mend ç’më ndodhi kur isha vetëm 16 vjeçe, domethënë para një viti. Erdhi vëllai nga Zvicra dhe më tha:

– Motra, të shtunën do të vijë një shoku im, do të ikim të tre në Tiranë që të pimë një kafe dhe ti shikoje a të pëlqen apo jo.

Unë, të them të drejtën, isha dhe kurioze. Nga njëra anë mezi prisja që të dilja me vëllain pasi mërzitem shumë në shtëpi, me punë fshati, ashtu siç mezi pres shoqet që të vijnë nga Tirana dhe të më thonë se si e kanë kaluar javën…

Po ju tregoja për takimin që kishim lënë me vëllain. Mbaj mend që isha shumë e emocionuar dhe vesha një palë xhinse dhe një bluzë që ai sapo ma kishte sjellë. Dolëm me vëllain me makinë, ndërkohë që shoku i tij po na priste te një lokal në qendër të Tiranës. Kur u futëm, vëllai më tha:

– Ja, është ai djali i veshur me të zeza atje te cepi!

Nuk po u besoja syve të mi që vëllai më kishte nxjerrë nga shtëpia për një halabak të tillë. E di që nuk mund të pretendoj një djalë me shkollë e tiranas, por të paktën dua një burrë të pashëm që edhe nëse nuk është në gjendje të mirë ekonomike, të paktën të jetë njeri. Mezi po pres që të kem një shtëpi timen, një familje timen, por jo me një burrë sa për të thënë.

Ai djali nuk më pëlqeu fare dhe mezi po prisja sa të çohesha nga tavolina, ndërkohë që me sa pashë, për të ishte e kundërta. Sa herë që donim të ngriheshim, i thoshte vëllait:

– Po prit o lale se s’kemi mbaruar akoma!

Kur erdhëm në shtëpi, vëllai më pyeti nëse më kishte pëlqyer apo jo dhe unë i thashë:

– Nuk dua t’ia shoh më bojën!

Por ai m’u përgjigj me zë të lartë:

– Si the? Po ai është shoku im, është djalë që ka qëllime serioze dhe do të ketë një familje, do të ketë një grua, fëmijë. Çfarë nuk të pëlqen në gjithë këtë, apo do që të të kalojë jeta duke bredhur dhe duke u tallur çunat me ty?!

Unë vazhdoja ta kundërshtoja, por ai më qëlloi. Këtyre kërcënimeve iu shtuan edhe fjalët e prindërve të cilët mundoheshin të më mbushnin mendjen duke u nisur vetëm nga fjalët e vëllait, edhe pse ata nuk e njihnin fare atë djalë.

Në këtë moment unë u ngrita, mora një thikë dhe vrapova për në banjo. U mundova të prisja damarët, por nuk ia dola dot pasi erdhi vëllai dhe e shqeu derën me forcë. Qaja me dënesë. Nuk e kuptoja ç’po më ndodhte me atë shpejtësi të skëterrshme. Isha vetëm 16 vjeçe dhe jeta për një femër të pafat si unë më dukej aq absurde sa nuk ia vlente ta jetoje.

Nuk më lanë ta ndërtoja vetë fatin. Kam gjithë jetën që rri e mbyllur në shtëpi, bëj punë, laj e shpëlaj si shërbëtore dhe merrem me kafshët që mbajmë e kjo nuk është aspak ajo çka unë ëndërroja!

Tani im vëlla kur vjen nga jashtë mundohet të më gëzojë me ndonjë dhuratë, por as ai e asnjë në shtëpinë tonë nuk e harron dot atë që më ndodhi mua.

E di që në mos sot, nesër do të vijë një tjetër që do të më hyjë shkes, sepse këtu nuk ka mënyrë tjetër për t’u takuar me një djalë e për ta njohur atë. Kështu, jeta ime mori të tatëpjetën qëkur linda, qëkur fati im ishte i shkruar të ishte në këtë vend të humbur, me këtë mentalitet të prapambetur, që kush e di kur do të ndryshojë! Perla

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Astrologia shpjegon...!

Next Post

Ndizen dritat e motorrit

Advertisement