Përshëndetje, jam 23 vjeçe. Vitet e
fundit kam patur ca eksperienca të pakëndshme me fytin. Nuk kam vuajtur kurrë
as nga bajamet as nga ndonjë gjë tjetër, madje s’kam qenë kurrë në spital.
Mirëpo, së fundmi kam patur ca probleme. Më saktë, më ngec çdo gjë që kaloj, po
hëngra më ngec, po piva më shkon keq. Ka raste kur më bllokon frymëmarrjen plotësisht
deri edhe në 10 sekonda. Kjo gjë më ndodh në çdo kohë….pak më parë gati vdiqa
nga një gllënjkë çaj. Më kanë thënë që është emotive, por këtë version e hedh
plotësisht poshtë. Do ju isha shumë mirënjohëse nëse dikush do të më tregonte ndonjë
gjë rreth këtij problemi, pa shkuar tek doktori. Pse ndodh? Çfarë e shkakton? A
mund të parandalohet, etj. Ju faleminderit.
Anjeza Kuçi, otorinolaringologe, Poliklinika Qendrore, tel 0674090843:- Rrugët e tretjes ndahen nga rrugët e frymëmarrjes nga epigloti që është një kërc tek i laringut. Në momentin e gëlltitjes ai mbyll rrugët ajrore dhe hap rrugët e tretjes dhe anasjelltas. Pacientes i kalojnë në larings lëngje si çaj, ndonjëherë mund të mbytet edhe me pështymën e vet që gabimisht kalon në rrugët ajrore. Ekzaminimi i parë që bën mjeku ORL është laringoscopia me pasqyrë ose me fibra optike për të pareë funksionimin e laringut dhe të kordave të zërit, pasi në momentin e mbytjes kordat e zërit spazmohen, mbyllen dhe ndalohet frymëmarrja. Një arsye mund të jetë një laringit posterior nga refluxi gastro ezofageal pra kthimi mbrapsh i lëngjëve të stomakut në fyt dhe për këtë duhet bërë edhe një konsultë me mjekun gastro-hepatolog dhe ndoshta edhe fibrogastroscopia për të eleminuar probleme të tjera të stomakut. Një arsye tjetër mund të jetë edhe një laringit me natyrë alergjike dhe një konsultë me mjekun alergolog. Duke qenë se janë përjashtuar problemet ORL ashtu siç pacientja referon do të këshilloja të bëheshin edhe këto dy konsulta të tjera! Të shkuara!