Albina Shyti, e njohur me emrin artistik Albi, është një vajzë e re shqiptare por që ka lindur dhe jeton në Danimarkë. Ajo tashmë ka nisur rrugën e saj drejt ndërtimit të një karrierë muzikore në vendin ku jeton.
Prindërit e saj kanë emigruar që herët në Danimarke, ku edhe vazhdojnë të jetojnë, ndërsa vajza e tyre tashmë dëshiron të jetë një përfaqësuese e denjë e Kosovës në botë përmes muzikës.
Albina kohë pas kohe sjell cover-a të ndryshëm të këngëve që ajo ka për zemër, por për t’u prezantuar para një publiku më të gjerë dhe duke dashur që zëri i saj të dëgjohet edhe në skenë, ajo ka vendosur të marrë pjesë në X Factor në Danimarkë.
Prezantimi i saj i parë para jurisë vlerësuese të kësaj gare, ka bërë që Albina të shkëlqejë me performancën e saj dhe të marrë kritika pozitive nga juria.
Me një kitarë në dorë ajo është ngjitur në skenë për të interpretuar këngën e Katy Perry “The One That Got Away”, çka ka pasuar edhe me kalimin e audicioneve të kësaj gare të madhe.
Albina, synon që kësaj gare t’i shkojë deri në fund. Pritet të shohim rrugëtimin e vajzës shqiptare në këtë garë.
Në një listë të publikuar nga vetë Albi, shihet që performanca e saj është renditur e para ndër më të pëlqyerat nga fansat.