Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Jam me kancer e po jetoj me vdekjen!

Përshëndetje! Unë që ju shkruaj jam Lumturia. Vetëm emrin e kam kaq pozitiv, pasi e gjithë jeta ime është një tmerr i vërtetë dhe kohët e fundit ka qenë akoma më e vështirë, por mundohem ta përballoj me kokën lart, megjithëse është thuajse e pamundur, sepse është gjëja që as armikut tim nuk ia uroj dot. Unë jetoj me vdekjen, ditë për ditë. Sa herë që ngrihem në mëngjes, falënderoj Zotin që jam gjallë, ndërsa kur bie, i lutem të më mbajë gjallë.

E gjithë jeta ime ka qenë një përpjekje për t’u bërë dikushi, për të arritur ato që doja. Kam lindur në një qytet të vogël. Kam studiuar si qeni, ditë e natë, vetëm për të arritur rezultate të mira. Prindërit e mi kanë sakrifikuar shumë që unë të shkoja në shkollë. Ata nuk i kishin paratë e mjaftueshme që të më plotësonin nevojat, por edhe pa bukë kemi ndenjur, vetëm që unë të vazhdoja shkollën. Duke qenë fëmijë i vetëm, unë isha shpresa e tyre e vetme dhe unë asnjëherë nuk ua çova dëm përpjekjet që bënë për mua.

Shkollën e mesme e kam bërë në Tiranë, për Gjuhë të Huaja. Mendoja se aty do të gjeja ndopak shoqëri apo një ambient më të hajrit se në qytetin tim, por nuk ia dola dot. Të them të drejtën, unë nuk hyj te vajzat e bukura, madje, në pamje të parë vetja nuk më ka pëlqyer asnjëherë. E dija që isha e shëmtuar, ama veten e kam konsideruar interesante. Mendoja se kisha aq kulturë sa të hyja në komunikim me dikë e të kisha një shoqëri të mirë, por në klasën time, më evitonin. Nuk donin të rrinin me mua. Në fillim, mendoja se e bënin këtë ngaqë vija nga provinca. Unë nuk jepja përshtypjen e një vajze që kishte lekë apo që mbahej, por si unë, kishte edhe shumë të tjerë aty. Nuk e di pse vetëm unë nuk arrita do të krijoja shoqëri. Kjo gjë më shqetësonte shumë. Nisa të ndihesha e pasigurtë dhe të mendoja se isha unë e paaftë për të zënë shoqëri.

Advertisement

E njëjta gjë më ndodhi edhe në shkollë të lartë. Edhe me shoqet e dhomës nuk kisha ndonjë komunikim të mirë, ndoshta sepse kishim synime të ndryshme. Kur ato dilnim për kafe, unë shkoja në punë. Kur ato shkonin në pabe, unë rrija që mësoja. E tillë ishte jeta ime. Prindërit nuk më ndihmonin dot më dhe shpenzimet e shkollës ishin rritur, kështu që vetëm punoja dhe mësoja.

Pasi mbarova shkollën, sakrificat e mia u shpërblyen. Arrita të mbaroja me nota shumë të mira, madje fitova edhe një master. Koha që kalova jashtë shtetit ishte periudha më e mirë e jetës sime. Shkova në Rumani, ku bashkë me mua ishin edhe katër nxënës të tjerë nga Shqipëria. Aty nisa të jem pak më e lirshme. Shpenzimet i kisha të gjitha të mbuluara, ndaj dhe vetëm duhet të mësoja. Kjo më dha kohë për të dalë me shqiptarët e tjerë, për t’u shoqëruar me ta. Fatmirësisht, ishin njerëz pa paragjykime, ndaj dhe krijuam një marrëdhënie shumë të mirë, që vazhdon edhe sot.

Me njërin prej tyre, Admirin, gjërat nisën të shkonin edhe më tej. Po afroheshim shumë që të dy, por unë nuk kisha pasur ndonjëherë të dashur, nuk dija as se si të puthja një djalë. Isha shumë e pasigurtë në lidhje me djemtë. Kisha frikë se mos isha unë që i interpretoja keq shenjat e tij, mos ndoshta ai nuk më pëlqente dhe unë dilja si budallaqe… Me sa kuptova më vonë, edhe atij i pëlqeja. Më kërkonte që të dilnim, më ftonte për kafe, vetëm ne të dy. Ia kaloja aq mirë me të, sa më dukej e pabesueshme gjithë ajo që po ndodhte. Admiri kishte aftësinë të të bënte të ndiheshe mirë me të. Ishte i thjeshtë, shumë i zgjuar dhe i hapur. Nuk kishte paragjykime se nga vija apo sa para kishin prindërit e mi.

Edhe ai vetë kishte qenë si unë, vinte nga një familje pa shumë të ardhura dhe gjithçka që kishte arritur, e kishte arritur me forcën e tij. Kjo gjë, por edhe të tjera na bashkuan shumë. Ai djalë më zgjoi një besim të jashtëzakonshëm në vetvete. Më bënte të ndihesha e bukur, një femër e vërtetë. Më thoshte se i pëlqeja shumë, se unë isha budallaqe kur mendoja që isha e shëmtuar, se ai ndihej mirë me mua. Fjalët e tij ma bënin zemrën mal. Për sa kohë ishim aty u lidhëm dhe përjetuam periudhën më të mrekullueshme të jetës sonë. I kishim shprehur njëri-tjetrit dashurinë dhe e dinim se ishte e shkruar të ishim së bashku përjetë.

Kur mbaruam masterin dhe po ktheheshim në Shqipëri, ishim të dy të emocionuar. Na priste një jetë e re së bashku. Rrugës, ai më kapi dorën dhe më tha se kur të mbërrinim në Tiranë do të donte të takonte prindërit e mi, për t’u kërkuar dorën time. Iu hodha në qafë, e përqafova me gjithë shpirt dhe me lot në sy.

Ai ishte si një engjëll që kishte zbritur në tokë për të më bërë të lumtur, por unë nuk e dija që planet e Zotit ishin të tjera. Pasi erdhëm në Tiranë u fejuam. Prindërit e tij jetonin këtu, ndaj dhe ai më mori në shtëpinë e tij. Edhe familja ime ishte shumë e lumtur për zgjedhjen që kisha bërë. Ata e donin shumëAdmirin. Ne zumë të dy punë të mira. Më në fund, po jetoja jetën që gjithnjë kisha ëndërruar, por nuk ishte e thënë të zgjaste…

Pas një viti në Tiranë, nisa të ndjeja shqetësime në stomak. Mendova se ishin gjëra që do të kalonin, por kur nisën të bëheshin shqetësuese, vendosa të vizitohesha. Mjekët më thanë se kisha kancer, por u duhej të kryenin një operacion për të parë nëse mund të kishte një mundësi kurimi apo jo. Pas operacionit kuptuan që metastazat kishin avancuar shumë dhe për mua nuk kishte shpëtim. Më kanë dhënë maksimumi, dy-tre vjet jetë. E gjithë kjo, ishte si një rrufe në qiell të hapur. Tashmë asgjë nuk ka kuptim për mua. Ndonëse Admiri më qëndron pranë, kam nisur të ndihem fajtore. Unë nuk mund ta mbaj dot pranë vetes, duke ditur që me mua nuk ka asnjë të ardhme, por nga ana tjetër e dua aq shumë, sa nuk kam forcë për ta larguar. Ai është njeriu që ndryshoi jetën time dhe nuk e kam të lehtë t’i them “Lamtumirë”. Jetoj çdo ditë me frikë. Është kaq e padrejtë. Nuk dua të vdes, por gjithçka është shkruar për mua dhe pikërisht në momentin kur nisa të ndihem për herë të parë e lumtur dhe e realizuar. Kur shoh njerëz që e marrin jetën aq lehtë, mendoj se sa e vështirë është për ta ta kuptojnë vlerën e vërtetë të çdo dite. Unë do të jepja gjithçka për të pasur atë që kanë ata, një copëz jetë për të jetuar…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Horoskopi 28 korrik - 3 gusht

Next Post

E mbajta fëmijën!

Advertisement