Irene Zhuri, është një këngëtare e re në moshë dhe në profesion, por këto nuk e kanë penguar që të realizojë ëndrrën e saj, të bëhet pjesë e muzikës, sidomos e asaj live. Ajo ka ndërmend që të realizojë një klip, klipin e saj të parë për të qenë sa më afër publikut të saj.
Fabjola Kuburi:- Irene, a mund të bësh një prezantim për lexuesit e gazetës tonë…!
Irene Zhuri:- Përshëndetje, unë jam Irene por në muzikë njihem si Eni Zhuri. Unë kam disa vite që merrem me muzikë, saktësisht tre vjet dhe që atëherë nuk jam ndarë asnjë ditë prej saj.
-Eni, ti këndon në Shqipëri apo edhe jashtë saj?
-Unë të them të vërtetën këndoj edhe në Shqipëri edhe jashtë saj dhe jam gjendur po kaq mirë në të dyja. Mikëpritjen e bëjnë njerëzit dhe e tregojnë po ata, kështu që nuk ka të bëjë nëse këndon brenda vendit apo jashtë saj.
– Pse kjo zgjedhje?
– Sepse duke qenë se unë muzikën e kam nisur si pasion dhe më pas u kthye në profesion, mendova që ta zgjeroja aktivitetin tim artistik edhe jashtë.
-Ku ke kënduar saktësisht?
– Kam kënduar kryesisht në Zvicër, Gjermani dhe Belgjikë. Ndërsa në Shqipëri kam grupin tim muzikor që performoj edhe nëpër dasma apo evente të tjera e gëzime familjare.
-Pra mund të themi që baza e zhanrit tënd muzikor është e lidhur me muzikën popullore shqiptare?
– Po, absolutisht po, sepse përveç faktit që unë jam e ftuar në dasma shqiptare ku detyrimisht do këndohet muzikë popullore sepse ajo është edhe tabani jonë, por edhe jashtë vendit kudo ku kam kënduar dhe ka shqiptarë më kanë kërkuar muzikën popullore. Ne kemi muzikë tradite të mirëfilltë dhe është e bukur sa ajo është e kërkuar kudo. Krijon atmosferë, është e përshtatshme për tematikën e dasmave tona.
– Po këngët patriotike janë në preferencat e tua?
– Faktikisht përveç se i kam të shumëkërkuara nga publiku ku unë këndoj janë edhe preference ime dhe i këndoj me shumë dashuri. E kemi patriotizmin në gjak.
– Cili ka qenë komplimenti më i bukur që ke marrë deri sot profesionalisht?
– Mbaj mend që një nënë në martesën e djalit të saj, më ka uruar me gojën plot “Të këndoftë zemra moj bijë, se na kënaqe shpirtin”. Është e mrekullueshme kur të urojnë për zërin.
– Marrdhëniet me klipet si i ke?
– Ah, mirë që më dole këtu, unë jam në përgatitje për realizimin e klipit tim të parë që uroj të dalë sa më shpejt sepse e shikoj të domosdoshme për të qenë sa më pranë publikut tim.
-Lamë diçka pa thënë?
– Nuk mund ta mbyll këtë intervistë, pa falendëruar familjen dhe publikun tim, mbështetësit e mi kryesorë. Faleminderit edhe ju që promovoni ata që kanë më shumë nevojë sot, të rinjtë.