Lori përshëndetje! Është hera e parë në jetën time që mora guximin për të folur me një psikolog. Unë jam një vajzë 25 vjeçe dhe kjo është vera e dyta që më përsëritet e njëjta situatë me gjendjen e ankthit. Edhe verën që kaloi sapo filloi vapa fillova që të kem djersitje edhe në ambjente me kondicioner, të më mbahet fryma, të filloj të mendoj gjëra negative, më duket sikur do më ndodhin gjëra e sikur jam e pafuqishme. Gjatë stinës së dimrit ndihem shumë mirë dhe nuk kam të tilla shqetësime dhe nuk e kuptoj pse më ndodh kjo? Ju lutem mund të më thoni ndonjë shkak të këtyre shqetësimeve? Vite më parë nuk e kam patur këtë problem vetëm vjet edhe këtë vit. Më duket edhe sikur diçka në fyt më mbyt. Pres përgjigjen tuaj, faleminderit.
Lorela Garuli, psikologe, email lorela_garuli@hotmail.com:- Përshëndetje e dashur! Është gjithmonë gjë e mirë të kërkohet mendimi apo këshilla e një psikologu, sepse në të tilla raste kjo është mënyra më e duhur për të ndihmuar veten dhe mbi të gjitha, për të mos lënë që gjërat të përkeqësohen. Nga këto që tregon, duket se është fjala për përjetimin e një ataku paniku. Episodet e atakut të panikut karakterizohen nga ankthi i cili duket sikur nis papritur, vazhdon të ngrihet në nivele shumë të larta dhe shoqërohet me shqetësime gjithashtu fizike, tipike si ato që ti ke përjetuar. Në fakt, në shumicën e rasteve, ataku i panikut është një simptomë, që do të thotë se ti duhet të përpiqesh të kuptosh me veten se me çfarë mund të lidhet kjo situatë. Është shumë e rëndësishme të hidhet dritë mbi kontekstin dhe shkakun në të cilin ndodh ky shqetësim për ty, për të ditur nëse është një atak i papritur i cili nuk vjen si një përgjigje e trupit dhe mendjes ndaj një stimuli specifik dhe është i palidhur me një situatë konkrete apo është fjala për një atak situacional, pra që ataku ndodh përherë në përgjigje të së njëjtës situatë.