Në fakt, përpara se ta pyesësh se për kë bën tifo në këtë Botëror, duhet të shohësh videot e hedhura në faqen e tij në Facebook, për të kuptuar se me kë dhe në ç’masë është tifoz ai. Aq tifoz, sa kur bëhet fjalë për Kupën e Botës dhe ekipin e zemrës, Gjermaninë (që ai nuk i shikon dot të ndarë), mund të të flasë për minuta të tëra edhe gjatë shkëputjes nga xhirimet e një seriali, ndërsa drekon në restorant. Por, nëse në gëzimin për Gjermaninë nuk është vetëm pasi Xhensila brohoret për të më shumë sesa ai vetë, finalja e së dielës do të jetë një finale pak e vështirë brenda shtëpisë, meqë do ta vërë përballë të atit, tifoz me Argjentinën. Besnik në dashuri, në skuadrën e zemrës dhe në bindje politike, ai na shfaq në këtë intervistë natyrën e tij sportive, shoqëruar si gjithmonë me batutat e këndshme, pa të cilat nuk do të ishte Besi që njohim të gjithë…
Alma Buci: – Bes, me kë je tifoz në këtë Botëror?
Besart Kallaku: – Me Gjermaninë…
– Nazist, edhe ti?
– Po, po, dhe krenar madje… (Buzëqesh)
– Ke qenë gjithnjë apo u bëre pas “masakrës” me Brazilin?
– Unë jam nga ata njerëz që me atë që bëhem në fillim, me atë mbetem deri në fund, jo një “prostitutë e vogël mediatike”, që ndryshon krah… (Qesh)
– Ke qenë një ndjekës i rregullt i të gjitha ndeshjeve që janë transmetuar?
– I kam përcjellë shumicën e ndeshjeve, sigurisht ato që kanë qenë më të rëndësishme, por kuptohet që shumë më tepër Gjermaninë. Ekipi i zemrës ka patur vëmendjen maksimale.
– Ku i ke ndjekur ndeshjet dhe me kë?
– Ndeshjen gjysëmfinale e kam parë në shtëpi, por gjithë kohës kisha frikë se më ikte tensioni dhe ma linte në mes (Buzëqesh), kurse të tjerat, në Fushë-Krujë, me shoqërinë…
– Xhensilën, me kë e ke?
– Xheni, me Gjermaninë, sigurisht, le të bëhet me ekip tjetër po të dojë…
– Pse, nëse bëhet, çfarë ndodh?
– Skualifikohet… (Qesh)
– Kush nga ju bën më shumë tifo?
– Pavarësisht videove të hedhura në faqen time në Facebook (video që shprehin gëzimin e tij për çdonjërin nga 7 golat e famshëm që Gjermania shënoi në ndeshjen me Brazilin), Xheni kap nota më të larta se unë, në brohoritjen për gjermanët! (Qesh)
– Të ka kapur dalldia e basteve dhe e skedinave?
– Kam vënë disa baste dhe kam fituar. Kurse skedina, jo, nuk jam tifoz i skedinave…
– Cili ishte çmimi?
– Vura bast me Vedat Bajramin e Stupcave në Kosovë… Ai bënte tifo për Francën, unë për Gjermaninë dhe, ose unë, ose ai do t’u jepnim darkë 10 aktorëve. Gjermania bëri të vetën dhe si përfundim, ishte Vedati ai që pagoi. (Buzëqesh)
– Në fakt, mijëra dollarët e shpenzuar për organizimin e Kupës së Botës kanë qenë objekt protestash që i kundërvënë kësaj kostoje, imazhe fëmijësh që vuajnë nga uria në lagjet e varfëra të Brazilit… Të duket e drejtë kjo?
– Është e rëndësishme të kuptojmë që kështu është e ndërtuar dhe funksonon kjo botë. Ne gjithmonë themi pse shpenzojmë kaq shumë për luftrat apo për qejfet tona, ndërkohë që ka uri dhe vuajtje në botë, por duhet kuptuar që kjo botë, kështu është ndërtuar; nuk mund ta ndreqim as unë, as ti.
– Kë ke kundërshtar të fortë në familje?
– Babin me Argjentinën dhe na ka qëllu një finale brenda shtëpisë! Do të jetë pak e dhimbshme këtë herë, si asnjëherë tjetër!
– Beson se gjen vend edhe në Botëror, fenomeni “ndeshje të trukuara”?
– Në Shqipëri e di që nuk shiten ndeshjet, por në Botëror, jam i sigurtë që po! (Buzëqesh)
– Parë objektivisht, cila skuadër gjykon se do ta marrë Botërorin këtë vit?
– Unë besoj se të dielën do të mund të ndjekim një spektakël që do të mbyllet me fjalët: “Dhe në fund, fituan gjermanët”.
– Cili ishte futbollisti më i talentuar, sipas teje?
– Më kanë pëlqyer Rodrigez i Kolumbisë dhe Myler, i Gjermanisë.
– Po të kishte humbur Gjermania, me cilën skuadër do të ishe?
– Me asnjë tjetër! Unë jam besnik i dashurive të mia, si në dashuri, në ekip dhe në parti…
– Kush është çifti më i bukur në Botëror, futbollist–topmodele?
– Nuk para i shoh këto gjëra, mua më intereson futbolli, por tani që po e mendoj, Kristiano Ronaldo dhe Irina, nuk janë keq. (Qesh)
– Ke një ide se pse futbollistët janë kaq të dhënë pas modeleve?
– Futbollistët janë kaq të dhënë pas modeleve sepse modelet janë shumë të dhëna pas futbollistëve. (Qesh) Nuk e di, por mund të them se janë tipa të ndjeshëm të dyja palët. (Qesh)
– Trajneri më i aftë…
– Van Gaal, megjithëse nuk më pëlqeu në fund sepse ndeshjen e parafundit bëri atë që nuk e priste asnjëri, ndërroi portierin, kurse në atë fundit, bëri mirë që nuk e ndërroi se do humbte dhe do thoshte pastaj që, po të kishte lënë atë të parin, do ishte më mirë.
– Ke tentuar të marrësh një vizë braziliane për të parë ndonjë ndeshje live?
– Jo, sepse nuk kam patur kohë, por dëshira nuk më ka munguar. Do kisha patur qejf…
– Nëse do të zgjidhje një skuadër që nuk e ka fituar kurrë Botërorin dhe që ka luajtur aq mirë sa mund ta kishte fituar këtë vit, cila do të ishte ajo dhe pse?
– Për Zotin, Kolumbia më ka surprizuar këtë herë!
– Nëse do të mund të zgjidhje, në vend të cilit prej futbollistëve do të doje të ishe?
– Në vend të Kristiano Ronaldos, por jo për Botërorin, për Irinën. (Qesh) Bëj shaka. Ndoshta portieri i Gjermanisë, Nojer, se vdes ija ime mas atij… (Qesh) por unë jam futbollist vetë, luaj me ekipin e Mamurrasit, në kategorinë e parë. Jam edhe kapiten ekipi, madje! (Buzëqesh)
– Pse nuk thua? Paske të ardhme…
– Futbolli ka qenë gjithmonë pasioni im i dytë, pas atij të parit, aktrimit.
– Do të ishe po aq i apasionuar pas futbollit, nëse ai do të luhej nga femrat?
– Pse jo, por sigurisht që nuk do të ishte e njëjta gjë. Është njësoj si të thuash “kush i jep gji fëmijës më mirë, mashkulli apo femra” (qesh) dhe kur vjen puna në këtë pikë, janë të ndara gjërat.