Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Jetoj për të çuar në fund amanetin e motrës

“Zoti me një dorë të hedh e me një tjetër të pret”, kjo është një shprehje e vjetër që e dëgjoja nga gjyshja ime e më pas nga mamaja ime, por unë them se kjo nuk është e vërtetë…
Kam lindur në fshat dhe jam fëmija e i katërt nga të shtatë fëmijët që patën prindërit e mi. Kemi lindur të gjithë fëmijë të shëndetshëm dhe jeta në fshat na ka mbajtur faqekuqë. Para meje janë dy vëllezër që janë martuar e kanë fëmijë. I madhi jeton në Greqi e tjetri jeton në Itali. Më pas ishte ime motër, krenaria e të gjithë familjes. Nxënëse e shkëlqyer, vajzë shumë e bukur, por më fatkeqja ndër ne. Më pas vij unë, fëmija më trazovaç e pas meje janë dy motra e një vëlla që jeton në fshat. Të gjithë të martuar e secili ka bashkëshortë e fëmijë. Ju thashë për motrën e madhe që ishte krenaria e familjes, por ishte më fatkeqja sepse vdiq kur ishte vetëm njëzet e tetë vjeçe.
Kur unë kam qenë katër vjeçe, ndërsa lozja me fëmijët e fshatit në ara, një nga lopët e komshiut më gjuajti me brirë, duke më hedhur tri metra larg. Nga kjo hedhje unë humba njërën veshkë dhe mu thye e çapëlye nofulla e majtë nga përplasja pas një peme. Mjekët kanë bërë mrekulli për të më shpëtuar në atë kohë. Unë u rrita bashkë me vëllezër e motra pak më e llastuar për shkak të aksidentit. Motra ime e madhe, të cilën e kisha idhull, më mbante më afër se askush. Meqë mësonte, ajo arriti të shkonte në shkollë të lartë për Matematikë dhe kur mbaroi universitetin filloi punë menjëherë në fshatin tonë si mësuese në shkollën e mesme. Ju thashë më lart që jo vetëm ishte nxënëse e mirë, por edhe vajzë e bukur dhe e mirë. Kështu, sapo filloi punë, filluan edhe kërkesat për martesë. Ndër ne fëmijët, i martuar ishte vëllai i madh, ndërsa tjetri punonte me babanë në kovaçhanen tonë. Unë isha vajza që merresha me punët e shtëpisë sepse ishte e vetmja punë që nuk kërkonte forcë fizike, e cila më mungonte për shkak të veshkës gjysmake. Kështu ishim rritur e shpërndarë të tërë në punëra dhe ishim goxha mirë. Ndër kërkesat për martesë që pati ime motër ishte edhe vëllai i nuses sonë, që kishte mbaruar shkollën e lartë për Ekonomik. Meqenëse ishim në rreth krushqie dhe ne i njihnim që ishin familje shumë e mirë, prindërit iu lutën motrës që të vendoste për S.-në.
– Epo, meqë juve ai ju pëlqen më shumë, dakord, – tha motra. – Po të kishte qenë për të zgjedhur vetë, do kisha zgjedhur sa isha në shkollë.
Kështu, motra u fejua kur ishte njezët e pesë vjeçe. Pas një viti u martua dhe i vetmi njeri që u mërzit për martesën e saj, isha unë. Jo sepse ajo ra në familje të keqe, por se unë e kisha si krahun tim të djathtë, më mësonte për gjithçka, më përkëdhelte edhe shenjën që kam në faqe, më ndihmonte të bënim punët “si në shtëpi qyteti”, siç thoshte gjithmonë. Shumë shpejt Zoti i gëzoi me një vajzë dhe motra deshi t’i ngjiste emrin tim, por që mos të ngatërroheshin kur të na thirrnin, e modernizuan emrin e mbesës dhe e bënë Lizeta. E adhurova atë fëmijë qysh në momentin e parë që e pashë. Ishte bebja më e bukur që kisha parë! Kur vajza mbushi gjashtë muaj, motra duhet kthehej në punë dhe ajo me të shoqin u thanë prindërve që unë të shkoja e ta mbaja vajzën për katër-pesë orë, sa të mbaronte motra punën në shkollë.
– Po, sigurisht. Për punët e shtëpisë këtu do të bëjmë të gjithë nga një gjë të vogël, – tha babai. – Derisa i kemi mundësitë, do ta rrisim mbesën me gjithë të mirat e botës.
Kështu, motra u kthye në punë e ditët e para kur arrija në mëngjes në shtëpinë e saj më porosiste shumë shkurt për vajzën, pastaj rrotullohej e më pyeste:
– Kam mbetur shumë trashaluqe, apo jam mirë?
– Epo, kur qahesh edhe ti për trashaluqe, nuk e di ç’do thonë treçereku i grave në botë, – i thashë një herë. – Mos të të bëhet fiksim, nuk je e shëndoshë. Edhe barku do të të bjerë, ke për të parë. Pastaj, ti gjashtë muaj ke që ke lindur.
Në fakt, pak nga pak e shihja që barku i motrës jo vetëm që nuk ulej, por vetëm sa fryhej.
– Mos je gjë prapë shtatzënë, – i thashë. – Ik bëj një kontroll një herë.
– Jo, – tha, – jam e sigurt që nuk jam shtatzënë, por seç kam një dhimbje që më pret në fund të barkut.
– Epo, të rri unë pa shkuar të vizitohem edhe hahet se fundja një copë katunare jam, po ti që ke mbaruar një kalë shkollë, nuk shkon te mjeku?! – e qortova.
– Ja, do iki brenda kësaj jave, – më tha duke qeshur, më puthi, mbylli derën e iku në punë.
Ajo u vizitua në spitalin e qytetit te një kushëri i burrit të saj, i cili e nisi urgjent për Tiranë te një mjek që e kishte shok. Por kishte qenë shumë vonë. Motra pas asaj fryrjeje që mori për dy apo tri muaj, filloi të dobësohej, sa nga sëmundja e sa nga meraku. Nga dita që e morëm vesh se ç’sëmundje kishte, prindërit më kërkuan që të rrija gjithë kohën në shtëpinë e tyre për t’i ndihmuar e për të mbajtur vajzën.
– Dua të jetoj sa të rritet edhe pak e të më mbajë mend vajza, – më thoshte në ditët e fundit, ndërsa unë kafshoja gjuhën time për të mos i qarë në sy.
Ajo vdiq pas një viti e gjysëm, kur vajza ishte vetëm dy vjeçe e tre muajshe. Ajo s’e mbajti mend të ëmën. Besoj nuk ka burim që të ketë nxjerrë aq ujë sa ç’kam derdhur unë lot për motrën time. Pas vdekjes së motrës, ndërkohë që në shtëpinë e tyre vazhdonin vizitat, vajzën e mora unë në shtëpinë tonë që ta mbaja. Dhimbja ishte e tmerrshme jo vetëm për ne që e kishim tonën, por edhe për këdo që e kishte njohur. Vajza, pasi e kërkoi për dy javë të ëmën, filloi ta harronte e nisi të rrinte vetëm me mua. Me mua ishte mësuar e më njihte. Nuk di t’i kem lënë ndonjë milimetër të trupit pa ia puthuar asaj vajze që na ngushëlloi në atë dhimbje tonën. Burri i motrës vinte herë pas here që ta shihte. Pastaj, një vit pas vdekjes, një herë që erdhi, vajza iu hodh në krahë dhe ndërsa e përqafonte dhe i thërriste “babi” i tha:
– Babi, pse nuk na merr mua dhe mamin në shtëpi, por vjen e vetëm na takon? Të gjithë fëmijët e tjerë rrinë edhe me mamin, edhe me babin.
Pas një heshtjeje, ku fytyra e burrit të motrës sime mori ngjyrë dheu, ai iu përgjigj:
– Për këtë kam ardhur, t’i lutem gjyshit që të na e japë mamin me vete. Edhe unë nuk jetoj dot pa ty. Je dhurata më e bukur që më ka bërë jeta. E për ty do të jepja edhe jetën, do të ndërroja vendin edhe me mamin tënd, po nuk e di se si…
Vajza që nuk mori vesh gjë nga fjalët e tij, nuk tha asgjë, por edhe im atë, që me siguri dinte diçka nga nusja e vëllait, nuk u përgjigj.
– Merre vajzën e kaloni matanë, më mirë vëre në gjumë, – më tha mua.
Unë mora Lizetën, e vura në gjumë megjithëse ishte shumë herët dhe ndërsa shkova në kuzhinë për të bërë drekën, ai më tha:
– Jo, lëre drekën se do të na e japë nëna jote. Në të tre duhet të flasim. Dhëndrri ka ardhur të flasë me ty… Nga halli e bëjmë të gjithë… – E kuptova se për çfarë bëhej fjalë. E kisha parë burrin e motrës vetëm si vëlla e nuk mund të martohesha me të, por im atë ia filloi i pari: – Do të ta them vetëm me dy fjalë se po më dhemb shpirti, por nuk kam zgjidhje. Nëse ti e do me gjithë mend Lizetën, duhet të vendosësh që ajo të rritet edhe me baba e jo vetëm me dashurinë tënde. Ajo të thërret “mami” e duhet ta vazhdosh këtë detyrë derisa të rritet e t’i tregojmë…
Në atë kohë, ndërhyri edhe burri i motrës: – Ishte edhe dëshira e motrës tënde. Ajo ma ka lënë me amanet që të mos e rris vajzën me njerkë tjetër. Pastaj… edhe unë s’e kam të lehtë. Nuk mund të martohem me një tjetër e të përziej fëmijët, ndonëse, edhe në dashtë Zoti që të përzihen, ti prapë do ta duash vajzën, – tha dhe e kuqja e mbuloi fytyrën e tij që dukej sikur do të plaste në vend.
Pas dy javësh, unë u martova me burrin e motrës. Ai është një djalë i shkëlqyer, por nuk ishte zgjedhja ime. Ishte vetëm zgjidhja për Lizetën. Kur shkuam në shtëpinë e tij, Lizeta pa foton e motrës në mur dhe pyeti se kush ishte ajo gruaja e bukur.
– Është mamaja jote, – i tha i ati. – Aty kemi dalë para se të rrëzohej e të vritej në faqe. E shikon që kam zgjedhur grua të bukur?
Vajza mu afrua e më përkëdheli shenjën në faqe, ashtu siç kishte bërë e ëma dikur dhe më përqafoi fort: – Epo, unë e dua mamin tim edhe me shenjë; ajo prapë është e bukur, – tha, ndërsa rrinte mbështjellë pas meje. Qava jo vetëm atë ditë bashkë me burrin tim, por edhe sa herë ajo na pyeste për ndonjë gjë që mezi i gjenim përgjigje.
Tani, Lizeta është bërë dymbëdhjetë vjeçe. Neve na dha Zoti një djalë që i vumë emrin Damian, të njëjtin emër që motra ime kishte menduar nëse do të lindte djalë.
Vajza ime, siç jam mësuar t’i thërras Lizetës, është bërë yll e bukur si e ëma, është nxënëse e shkëlqyer dhe ia kalon mirë me të vëllanë. Ata shkojnë bashkë në shkollë çdo mëngjes. I bëjnë bashkë detyrat mbasditeve. Lizeta kujdeset për Damianin ashtu si ime motër kujdesej për mua. Ime motër sa ishte gjallë u kujdes të më përkëdhelte gjithë kohën shenjën që kam në fytyrë nga fëmijëria e tani Lizeta kujdeset për të vëllain që të mos rrëzohet apo sëmuret. Dhimbja kalon me vitet, por mua më duket sikur e ndiej çdo ditë e më shumë në shpirt peshën e humbjes së motrës. Edhe pasi ne i treguam Lizetës se si qëndronte puna, se kush ishte mamaja e vërtetë, ajo më sheh në të njëjtën mënyrë, kujdeset për të vëllanë me të njëjtën mënyrë. Lërmë Zot të jetoj derisa fëmijët të mbushin të tetëmbëdhjetat e të bëhen të zotët e vetes e më pas më bashko me time motër. Unë ia plotësova amanetin! Dritën e syve të saj e rrita sikur të ishte imja…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (3) View Comments (3)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Çfarë procedurash të ndjek për të studiuar në universitetet italiane?

Next Post

Fili: Nuk jam unë shpëtimtari i Partizanit!

Advertisement