– Instruktor, kam një pyetje. Për t’u dobësuar, unë kam filluar të përdor laksativë, sepse më kanë thënë që nuk janë të dëmshëm. Kisha probleme me tretjen dhe patologia, mjekja e familjes, ma miratoi si kurë. Po ju si mendoni, a është përdorimi i laksativëve një metodë e mirë për t’u dobësuar? Jam 37 vjeçe.
Mario, instruktor: – E nderuar 37 vjeçare, kjo çështje i përket më shumë fushës mjekësore, sesa fushës sime, megjithatë, po ju them se përdorimi i gjatë i laksativëve sjell efekte anësore të pakëndshme. Ata që kanë përdorur për një kohë të gjatë laksativë, kanë krijuar varësi ndaj tyre, pra, nuk kanë arritur të kenë jashtëqitje normale pa ndihmën e tyre. Pra, siç e shikoni, procesi i jashtëqitjes dëmtohet shumë dhe kjo është një pasojë shumë e rëndë.
– Ndërsa përsa i përket të dobësuarit, mund t’ju them se laksativët zbrazin zorrën e trashë dhe kjo ka pak ndikim në humbjen e peshës. Pra, ata nuk ndihmojnë që të shkrihen dhjamrat sepse në momentin kur laksativët fillojnë punën e tyre, ushqimet dhe kaloritë që konsumoni janë thithur nga zorra e hollë. Veç kësaj, duke përdorur laksativë, ju humbisni lëngjet e trupit, do të ndiheni shumë të dobët fizikisht e do t’ju bjerë shumë imuniteti. Duke humbur lëngje, do të filloni të konsumoni më shumë ujë seç duhet dhe kjo do t’ju bëjë të ndiheni më të fryrë seç ishit. Pra, unë jam totalisht kundra laksativëve. Unë s’e kuptoj se pse duhet të merrni laksativë apo pilula për dobësim. Merruni me palestër apo me vrap. Ata që duan, e gjejnë gjithmonë kohën për një orë në ditë stërvitje. Më mirë të bini në peshë në mënyrë të shëndetshme dhe avash sesa të përdorni metoda të tilla. Pastaj, duhet të dini një gjë: Sekreti për të patur një fizik të mirë dhe për ata që duan të dobësohen është i gjithi tek ushqimi. Nëse ju kontrolloni çfarë konsumoni dhe hani në oraret e duhura, do të bini në peshë. Mjafton të llogarisni kaloritë që merrni. Nuk po themi të vdisni urie, po t’i hani të gjitha nga pak dhe të ulni sasinë e sheqerit në maksimum, të ëmbëlsirave dhe brumrave apo bulmetit. Mjafton kaq dhe të merreni me ushtrime kardio si fillim për dobësim.
Advertisement