Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një vajzë që sapo kam mbushur 28 vjeçe. Jeta ime ka marrë disa drejtime që nuk e di as vetë si t’i shpjegoj. Njëherë më vjen fati e pastaj më largohet papritur. Më vjen përsëri e më le prapë se prapë në mes të katër rrugëve.
Në moshën 20 vjeçare u njoha me një djalë të mrekullueshëm. U dashurova aq shumë pas tij, por fati bëri që ai për tre muaj të sëmurej e të shtrohej në spital ku edhe gjeti vdekjen. Unë pësova një goditje të madhe, mirëpo siç thonë, të gjallët me të gjallët dhe të vdekurit me të vdekurit. Pas gati një viti u njoha me një djalë tjetër. Në fakt, nuk u lidha rastësisht me të. Më lidhi një kushërira ime. Në fillim ngurroja e nuk isha e lirshme me të se ende nuk më kishte kaluar stesi dhe mërzia e humbjes së një viti më parë, kështu që kaluam një kohë të konsiderueshme pa u lidhur tamam. Gjatë kësaj kohe, unë nuk vura re ndonjë të keqe tek ai, kështu që u lidhëm.
Në fillim jetonim të ndarë, po më pas ai më njohu me familjarët e tij dhe ne u fejuam. Ishim një çift për t’u patur zili. Në çdo moment të jetës falënderoja Zotin për këtë mrekulli që më solli. Nuk kishim mundësi të jetonim në një shtëpi tonën, kështu që shkova të jetoja te shtëpia e prindërve të tij. Shkoja shumë mirë me të atin dhe me nënën e tij. Ata më donin shumë dhe unë gjithashtu. Edhe pse të dy kishim punë të mirë, vendosëm të hidhnim llotarinë amerikane. Në fillim, vjehrri dhe vjehrra u mërzitën.
– S’është se e fituam, moj mama. – i thashë.
– Po jeni shumë mirë këtu, pse duhej të hidhnit llotarinë?
Nejse, nuk ishte edhe shumë problem kjo gjë se për pak ditë u harrua. Asnjërit nga ne nuk i shkonte në mendje se do të na dilnin vizat për në Amerikë. Në fakt, mua nuk më doli, por i doli të fejuarit tim. E lexoja dhe e rilexoja përgjigjen time e nuk po kuptoja pse nuk duhej të më kishte dalë mua. Në fillim, i fejuari im u mërzit se nuk më doli mua, por më vonë thoshte:
– Shyqyr, të paktën më doli mua. Tani kemi një dritë shprese edhe për ty…
– Po pse nuk më ka dalë mua? Ne jemi të fejuar. – i thosha.
– Po jo ligjërisht. Duhej të bënim celebrimin, por s’ka gjë se do ta rregullojmë atë punë.
Shkuam në bashki dhe bëmë celebrimin. Futëm një kërkesë që të mund të më pranonin si gruaja e tij. Na kthyen përgjigje se do ta rishikonin kërkesën, por për momentin nuk mund të më jepnin edhe mua vizë. Nuk është e lehtë t’ua hedhësh atyre të ambasadës. Ndoshta e kishin kuptuar se një celebrim aq i shpejtë mund të ishte fallso, ndonëse ne kishim vite që ishim të fejuar dhe për fatin tim të keq, nuk e kishim bërë celebrimin. Takuam një avokat dhe ai na tha se pas 6 muajsh do të më jepnin edhe mua vizë, kështu që duhej të shkonte i fejuari im dhe pastaj do të më dilte viza mua.
U mërzita shumë kur ai iku sepse isha mësuar me të në çdo moment. Edhe prindërit e tij u mërzitën shumë. Ai ishte djalë i vetëm dhe ata tashmë nuk kishin me kë të rrinin. Jo se ishin të vjetër dhe kishin nevojë për hyzmet, por se donin që të kishin njerëz afër.
– Besoj se ti do të rrish me ne. – më tha i ati. – Nuk ke pse të largohesh tani që kemi mbetur vetëm.
– Jo, jo, nuk e kisha aspak ndërmend që të largohesha nga ju. – thashë me gjysëm zëri. E çfarë do të bëja unë aty ku nuk ishte i fejuari im?! Jo se nuk më donin, por unë do të doja të rrija në shtëpinë time.
– Jo, bijë, – më tha babai im. – Nuk bën të ikësh tani që të iku i fejuari.
– Po si do të rri aty ku nuk e kam atë?
– Po ike, do të të lërë e nuk do të të marrë në Amerikë.
– Ç’është kjo që po thua, babi? Pse, nga kjo varet bashkimi im me të? Ne e duam njëri-tjetrin dhe nuk do të ketë asgjë që të na ndajë.
– Ashtu qoftë, moj bijë. – më tha babai.
Muaji i parë mezi kaloi. Çdo çast që kalonte, më dukej kohë e kaluar kot. Prindërit e tij më mbanin shumë mirë. Nëna e tij mërzitej shumë, por mundohej ta mbante veten e të mos më mërziste edhe mua. Gjatë këtij muaji, ai na merrte gati çdo natë. Po mundohej të lidhej me ndonjë avokat që ta ndihmonte për të më marrë mua atje.
– Po nuk ka nevojë, më duket se këta të ambasadës ta japin kollaj bashkimin familjar. – i thashë.
– Po nuk na e dhanë pastaj, si do të bëjmë? Nuk e lë në dorë të shqiptarëve. Të dua sa më shpejt këtu.
Këto ishin fjalët e muajit të parë. Muajin e dytë ai filloi punë dhe telefononte më rrallë. Edhe koha nuk i korrespondonte, për shkak të ndryshimit të madh të orës. Nejse, ishte muaji i dytë dhe malli ishte shtuar, por sikur u mësuam pa të edhe unë, edhe e ëma. Pastaj muaji i tretë dhe i katërt ishte totalisht ndryshe nga muaji i dytë e sidomos, nga i pari.
– Lodhem shumë në punë. – thoshte, kur dilte të fliste me ne.
– Po për letrat ç’po bën? E ke takuar më avokatin?
– Më kishte lënë takim këtë të enjte, por nuk shkova.
– Pse?! – u habita.
– Si pse? Isha në punë. Ku të japin leje këta për gjëra të vogla.
– Gjëra të vogla? Pse, gjë e vogël jam unë? Gjë e vogël është bashkimi ynë?
– Ehu, ti gjithçka e merr për keq. Unë nuk po thoja ashtu. Pak stres kam unë këtu e të rri tani të të duroj dhe ty!
Këto fjalë më zemëruan pa masë. Nisa të qaja dhe shkova nga dhoma tjetër, duke e lënë të fliste me të ëmën.
– Ai është shumë i lodhur, – më tha ajo kur erdhi nga dhoma. – Duhet t’i flasësh më me takt. Nuk e kupton sa të vështirë e ka ai atje vetëm? Ne këtu së bashku dhe mërzitemi. Po ai?
– Nëse mërzitet, të mundohet të më marrë atje. – ia ndërpreva fjalën vjehrrës.
Ajo nuk e priti reagimin tim. Ishte mësuar që të bindesha e të pranoja të gjitha fjalët e gjërat që ata bënin, por tani isha lodhur me të shtirura.
– Ua, ç’është kjo e folur, moj bijë? – tha ajo. – Unë për të mirën tënde e kam.
– Vetëm të mirën time? Po e mira e djalit tënd, nuk është? – iu përgjigja gjithë zemërim.
– Je e shqetësuar, prandaj flet kështu. Ti mundohu të jesh e qetë që ai të gjejë qetësi dhe jo mërzi te ti.
Këto fjalë më bënë të mendoja edhe një herë se çfarë bëja unë në atë shtëpi. Të nesërmen shkova te prindërit e mi dhe ia tregova nënës të gjitha ç’më kishin thënë si i fejuari, si nëna e tij.
– Po ndoshta je rrëmbyer pak, moj bijë. Ai është i fejuari yt dhe mund të të thotë ndonjë fjalë.
– Edhe ti mama mendon kështu? Unë erdha te ti që të gjeja një mbështetje.
– Mbështetjen tek unë e ke dhe do ta kesh gjithmonë, por unë kam hallin tënd që të mos mërzitesh. Po sikur ai me këtë sjelljen tënde të mos i bëjë letrat nga inati?
– Atëherë do të ishte më mirë. Do ta kuptoja se ai nuk është i duhuri për mua. Nëse ai më do, do të bëjë çmos të më marrë atje.
– Mirë zemër. Bëj si të duash, vetëm mendoji gjërat mirë e peshoi para se t’i bësh.
Këto fjalë të nënës më bënë të reflektoja. Mu duk edhe mua se u rrëmbeva, ndaj mora në telefon vjehrrën që ta zbusja situatën.
– Nuk bëre mirë që ike pa më thënë. – më foli shumë ashpër. – Unë të kam mbajtur në shtëpi e të kam trajtuar më mirë sesa të të kisha vajzën time. Kështu e ka kjo punë… Sa më mirë të sillesh me njerëzit, aq më keq ta bëjnë!
– Ç’po thua kështu? Unë erdha te mami që të rrija pak, asgjë nuk ka këtu për t’u hidhëruar.
– Asgjë nuk ka për ty, por kur Genci e mori vesh, u revoltua dhe tha që kishte patur të drejtë kur mendonte se sa të ikte ai, ti do të ndryshoje.
– Genci të tha kështu? Po për ndryshimin e tij, nuk tha gjë Genci? – ia ktheva me të njëjtin ton siç më foli ajo.
– Po ja, ashtu si bëre, e gjete. – kur tha këto fjalë m’u duk se kisha jetuar me të sa vite e nuk po e njihja aspak. Atë e kisha dashur e trajtuar më mirë se nënën time. Madje kur vija te mami, nuk bëja asnjë punë, kurse për vite me radhë unë nuk e lashë atë të bënte as kafenë e saj.
– Këto nuk janë muhabete që bëhen në telefon, – i thashë. – Ja, të vij te shtëpia e flasim.
– Unë tani po dal e nuk do të jem kur të vish ti. Unë s’kam asgjë për të të thënë, se nuk më përkasin mua këto punë. Fol me Gencin më mirë.
“Po kjo punë?! Nuk më dashka në shtëpi tani! Për një gjë të vogël më hodhi tej të gjitha ato që kam bërë për të”, mendova. I bëra një telefonatë të fejuarit, por ai nuk u përgjigj. Ndoshta ishte në punë. I lashë mesazh se doja të flisja urgjentisht me të. Në darkë vonë, ai më mori.
– Je sjellë shumë keq me prindërit e mi, – më tha, pa më lënë të flisja. – Nuk e prisja këtë nga ti.
– Nuk e prisje? Po ti, i ke thënë nënës tënde se e dije që kështu do të bëja, apo jo? Të paktën kështu më tha ajo. Kush po gënjen e kush po thotë të vërtetën tani, se nuk po kuptoj?
– Pse merresh me llafe? Nuk e kupton se ke bërë një gabim të madh?
– Unë nuk kam bërë asnjë gabim, por kuptova se mund të bëja një gabim nëse do të rrija dhe pak me atë grua.
– Ej, e di se për kë po flet kështu?
– Po, e di shumë mirë. Nëse ajo nuk më do, as unë nuk e dua. Nëse ajo mundohet të flasë çdo lloj fjale për mua, s’kam pse të rri me të.
– Po si mendon se do të martohesh me mua kur flet kështu për prindërit e mi?
– Të martohem me ty? Po si do të martohem kur ti je në anën tjetër të botës? A i ke mbaruar ti letrat që të më marrësh mua?
– Me këtë sjelljen tënde, nuk e meriton të vish këtu. – këto fjalë më bënë të ulërisja me të madhe.
E mbylla telefonin dhe prita të më merrte përsëri që të më qetësonte, por ai nuk më mori. As ditën tjetër nuk i ra telefonit. Të tretën ditë, i rashë unë. Për çudi, ai e hapi menjëherë.
– Si ke qenë? A je lodhur? – i thashë sikur nuk kishte ndodhur asgjë.
– Nga pak. Po prisja telefonatën tënde. Doja të të thoja…
– S’ka gjë, se unë u qetësova tani. E kuptoj se ishim të nxehur që të dy. – ia preva fjalën duke menduar se ai po kërkonte të pajtohej më mua. – Ne kemi dhënë prova që jemi një çift i bërë për të qenë bashkë gjithmonë.
– Në fakt, nuk doja të thoja këtë. Tani e kuptoj se jemi nxituar me fejesën tonë. Të mendojmë dhe pak e më pas marrim një vendim.
– Ç’është kjo? Po më kërkon të ndahemi? Tani që shkove atje, më dhe duart?
– Mos e merr për keq. Është e vështirë të të marr këtu. Ti vazhdo…
Ia ndërpreva fjalën në mes dhe ia mbylla telefonin. S’kisha nevojë të dëgjoja më tepër. Ai po mundohej të më thoshte se po ndahej me mua, por unë nuk doja ta dëgjoja këtë. Prita të më telefononte, por ai nuk e bëri.
Kjo ishte historia ime e cila të bën të jesh pesimiste dhe të mendosh se jeta është shumë, shumë e vështirë.
Advertisement