Shihni përparimet që ka bërë mjekësia në këta 10 vjetët e fundit, që nga transplanti i parë i fytyrës e deri te pankreasi bionik.
Studiuesit kanë gjetur trajtime revolucionare për sëmundje të tilla si kanceri, sëmundjet e zemrës dhe diabeti. Ata kanë zbuluar gjene kyç të trupit të njeriut, kanë transplantuar fytyrën e njeriut dhe i kanë ndihmuar njerëzit e paralizuar që të ecin përsëri. Ja, 10 hapa të rëndësishme të mjekësisë në këta 10 vjetët e fundit:

Nëntor 2005: Transplanti i parë i fytyrës
Disa kirurgë francezë kanë realizuar transplantin e parë të pjesshëm të fytyrës së një gruaje 38 vjeçare, e cila ishte shpërfytyruar nga sulmi i një qeni. Ata morën mjekrën, buzët e hundën nga një dhurues i vdekur dhe ia vunë ato gruas.
Qershor 2006: Aprovohet vaksina kundër kancerit të qafës së mitrës
FDA (Federata Amerikane e Ilaçeve) aprovon Gardasilin, vaksinën e parë për të mbrojtur vajzat e reja nga papilomavirusi njerëzor (HPV), i cili shkakton pjesën më të madhe të rasteve të kancerit të qafës së mitrës dhe të lezeve gjenitale. Ekspertët thonë se vaksina kundër HPV-së, tani e këshilluar edhe për djemtë, mund të reduktojë me 2/3 vdekjet nga kanceri në qafën e mitrës në botë.
Prill 2007: Identifikohen gjenet që shkaktojnë diabetin 2
Ky zbulim ka ndihmuar shumë shkencëtarët që të kuptojnë faktorët e rrezikut që shkaktojnë diabetin. Që prej asaj kohe, studimet kanë zbuluar më shumë se 70 variante të gjenit që shtojnë rrezikun e diabetit me 30%. Shumë prej tyre ndikojnë në çlirimin e insulinës, hormonit që kontrollon nivelin e sheqerit në gjak.
Tetor 2008: Transplanti i parë i të dyja duarve
Doktorët në Gjermani kryen transplantin e parë të të dyja duarve te një fermer, krahët e të cilit ishin prerë gjatë një aksidenti. Krahët u morën nga një dhurues që kishte vdekur para disa orësh. Pas operacionit, pacienti tha se ndihej si “njeri i plotë” përsëri.
Shtator 2009: Zbulohen gjene të reja që shkaktojnë Alzhaimerin
Studiuesit zbuluan tre mutacione të gjeneve që mund të ndikojnë në sëmundjen e Alzhaimerit. Gjenet mbrojnë trurin nga dëmtimet dhe i ndihmojnë qelizat nervore që të punojnë siç duhet. Zbulimi përfaqësonte një hap të madh drejt testimeve dhe trajtimeve të reja. Studiuesit po studiojnë tani gjene të reja që mund të shtojnë rrezikun e Alzhaimerit.
Korrik 2010: Fillon për herë të parë testimi me qelizat staminale
FDA-ja lejoi për herë të parë studimin te qelizat staminale të embrioneve, për të trajtuar dëmtimet e shtyllës kurrizore. Geroni, kompania që kreu studimin, e ndërpreu atë papritmas në vitin 2011, për t’u përqendruar te kërkimet mbi kancerin. Megjithatë, një shoqëri e re, Asterias Biotherapeutics, deklaroi në vitin 2014 se do të vazhdonte kërkimet në qelizat staminale për riparimin e shtyllës kurrizore…
Maj 2011: Stimulimi i shtyllës kurrizore për të paralizuarit
Një revistë shkencore shkroi se një burrë që ishte paralizuar poshtë gjoksit gjatë një aksidenti, qe i aftë të qëndronte në këmbë, të lëvizte këmbët dhe të bënte disa hapa në tapetin rretullues, kur shtylla e tij kurrizore u stimulua me anë të elektricitetit. Teknika u quajt stimulimi i shtyllës kurrizore epidurale. Tre vjet më vonë, kjo teknikë ndihmoi edhe tre të paralizuar të tjerë që të lëviznin.
Dhjetor 2012: Një grua e paralizuar lëviz dorën e saj protezë
Një grua që ishte e paralizuar nga qafa e poshtë, për shkak të një sëmundjeje degjenerative të palcës kurrizore, ishte e aftë ta bënte “qepalla” me një person tjetër dhe të hante vetë një çokollatë. Doktorët implantuan në trurin e saj dy mekanizma me elektroda që ishin të lidhura me dorën e saj robotike. Me kalimin e kohës dhe me stërvitje, ajo arriti të kryente shumë punë pa ndihmën e kompjuterit.
Shkurt 2013: Doktorët u bënë vizita në distancë pacientëve me anën e robotëve
Doktorët tani mund të bëjnë vizita në distancë në një ndërtesë tjetër, ose në një shtet tjetër. Kjo arrihet me ndihmën e dy llojeve robotësh, RP dhe iRobot, të cilët jua sjellin doktorët në dhomën ku jeni. Roboti ka në majë të tij një ekran, me anë të të cilit doktori mund të ndërveprojë me pacientin dhe ta ekzaminojë atë.
Qershor 2014: Shpiket pankreasi i parë bionik
Shkencëtarët arritën të krijojnë një pankreas bionik, që zbulon nivelin e sheqerit në gjak dhe automatikisht, lëshon sasinë e duhur të insulinës dhe të glukagonit në gjak. Duke kopjuar veprimin e pankreasit të vërtetë, ky mekanizëm mund t’i ndihmojë njerëzit me diabet të tipit 1 që të mos kenë nevojë të monitorojnë vazhdimisht nivelin e sheqerit në gjak dhe të bëjnë injeksione insuline.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *