– Kam një pyetje për stomatologun tuaj. Kam herë pas here infeksion me mishrat e dhëmbëve dhe kjo gjë ka filluar të më shqetësojë jashtë mase. Nga se vijnë këto shqetësime dhe si t’i parandaloj apo t’i kuroj? Faleminderit.
Anisa Nasto, stomatologe: – Infeksioni i mishrave është inflamimi i indeve që rrethojnë dhëmbët. Shkak kryesor për formimin e këtyre sëmundjeve është pllaka dentare, e cila përmban disa baktere të cilat shtohen me zhvillimin e sëmundjeve periodontale të cilat ndahen në dy lloje sipas shkallës së infeksionit. Gingivitisi është inflamimi i mishit të dhëmbëve. Ka shume lloje, por në shumicën e rasteve janë të shkaktuara nga pllaka dentare. Periodontitisi ndodh në qoftë se gingivitisi përkeqësohet dhe përparon drejt indeve mbështetëse të dhëmbit, si membrana periodontale dhe procesi alveolar (kocka rreth dhëmbit). Infeksionet e mishrave të dhëmbëve janë shkaktarët kryesorë të humbjes së dhëmbëve apo prishjes së tyre si në moshë të re, ashtu edhe në mosha të vjetra. Ky është po kështu edhe shkaktari kryesor i erës së keqe të gojës. Gjithsesi, e gjitha kjo mund të shmanget dhe është e shërueshme nëse ju keni parasysh këto rregulla: së pari, është higjiena rutinë e gojes, duke përdorur furçën dhe fillin dentar çdo ditë e mundësisht, pas çdo vakti. Dhëmbët duhet të lahen të paktën dy herë në ditë. Përdorni furçë me fije të plota që të jetë në masën e duhur për gojën tuaj, në mënyrë që të futet në të gjithë gojën. Furça si rregull duhet të ndërrohet çdo 3-4 muaj. Përdorni një pastë e cila ka në përbërjen e saj fluorid e cila ndihmon në parandalimin e kariesit. Mirë është që të përdorni edhe një pastë që është posaçërisht për mishrat e dhëmbëve, të cilën e gjeni në klinikat dentare, por edhe në çdo farmaci. Është e domosdoshme që kjo pastë të vihet sipër mishrave të dhëmbëve dhe të bëhet masazh, aq më tepër kur i keni të irrituar, duhet përdorur patjetër. Filli dentar duhet të përdoret të paktën një herë në ditë, pasi të lahen dhëmbët. Është i domosdoshëm filli dentar sidomos tek ata që i kanë dhëmbët shumë të ngjitur njëri pas tjetrit. Edhe nëse ju del gjak gjatë pastrimit të dhëmbëve, mos u shqetësoni, sepse është diçka që duhet të dalë jashtë. Do të ishte shqetësuese nëse keni hemorragji vazhdimisht dhe pas një periudhe të caktuar. Gargarat antiseptike luajnë rol të rëndësishëm në pastrimin e dhëmbëve. Veç larjes së dhëmbëve duhet të pastroni edhe gjuhën, sepse dhe ajo mban mikrobe që infektojnë mishin e dhëmbëve. Në rastin tuaj do t’ju këshilloja një vizitë të drejtpërdrejtë me stomatologun për të parë shkallën e infeksionit sepse nëse është i avancuar, mund të keni nevojë për antibiotikë për shërimin e tij.
Advertisement