– Doktor Evi Dani, a mund të më thoni se çfarë është uretriti, nga se shkaktohet dhe a shërohet përfundimisht? Nga se duhet të kemi kujdes? Jam lexuese e rregullt e kësaj rubrike. Cilat mosha kap më shumë dhe në çfarë periudhe përgjithësisht?
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog: – Uretriti është një nga infeksionet e uretrës. Zakonisht, këto janë infeksione seksualisht të transmetueshme. Shenjat klinike paraqiten me rrjedhje nga kanali i urinës e një sasie sekrecioni pak a shumë të trashë, me ngjyrë në të verdhë. Uretritet janë përgjithësisht gonokoksike dhe jo gonokoksike, varet gjithnjë nga infeksioni dhe nga mikrobi që e shkakton.
– Infeksionet mund të ndodhin 1 deri në 3 javë pas një akti seksual të dyshimtë, për shembull me një partnere të panjohur dhe pa prezervativ. Infeksioni mund të kalojë nga uretra në teste, duke dhënë epidedimus. Në këtë rast, ju duhet mjekimi me antibiotikë sa më shpejt të jetë e mundur dhe antibiotiku i përzgjedhur do t’ju ndihmojë të shëroheni patjetër.