Të dashur lexues, po ju shkruaj historinë më të dhimbshme që mund të keni lexuar ndonjëherë. Unë quhem Ermira dhe familja ime ka qenë familja më e lumtur në botë. Babai dhe nëna ishin njerëz të mrekullueshëm dhe ata patën tre fëmijë. Pra, ishim dy motra dhe një vëlla. Unë jam e madhja. Pasi mbarova shkollën e mesme, prindërit më çuan për studime në Itali. Në fillim u mërzita në atë vend të huaj, por në vitin e dytë miqësia më bëri ta harroja mërzinë e të jetoja normalisht. Edhe vëllai erdhi tek unë në Itali, por nuk u fut në shkollë sepse nuk i pëlqente shumë shkolla, ndaj filloi punë si mekanik. Shumë shpejt ia mori dorën punës e u bë mjaft i zoti.
Edhe motra mbaroi shkollën e mesme dhe më pas të lartën e bëri në Shqipëri, sepse nuk donte që t’i linte prindërit vetëm. Por edhe në Shqipëri ajo gjeti punë mësuese sapo mbaroi shkollën. Që në universitet ajo kishte shoqëri më një djalë që studionte për Inxhinieri dhe ishte tre vjet më i madh. Ai kur kishte mbaruar shkollën, nuk kishte gjetur dot punë në Tiranë, kështu që e kishin dërguar në një qytet të vogël. Gjatë kësaj kohe, motra ishte në universitet e ende nuk kishte mbaruar, por edhe pse takoheshin rrallë, ata e ruajtën dashurinë e tyre. Motra më kishte treguar se ishte një djalë i mirë dhe se duheshin shumë. Vitin e parë, kur motra punonte si mësuese, ai nuk mundi dot të transferohej në Tiranë. Edhe pse kishte miq të cilët mund ta rregullonin, prapë se prapë nuk e rregulloi dot. Por motra ishte mësuar me këtë. Ata ende nuk e kishin bërë publike lidhjen e tyre. Pas një viti ai filloi punë në një ministri. U fejuan e u martuan dhe ishin mjaft të lumtur. Në fillim jetonin me qira e më pas blenë shtëpinë e tyre, të cilën e kurorëzuan më fëmijën e parë.
– Jam mjaft e lumtur motër! – më thoshte. – Zoti m’i ka dhënë të gjitha, burrin e shkëlqyer, fëmijën tim i cili është një mrekulli dhe nga gjendja ekonomike më ka ecur.
Unë gëzohesha për të sepse ishte njeri i mrekullueshëm, prandaj Zoti i kishte dhënë këtë jetë të lumtur.
– Po ti kur do t’ja bësh bam? – më pyeste shpesh.
– Haha, ka kohë dhe për mua. – i thosha.
Në fakt, ajo ishte më e vogël e duhej të isha martuar unë më parë e vëllai, por unë i isha vënë karrierës e nuk më binte mendja për martesë. Vëllai ishte i lidhur me një italiane, por ende nuk ishte martuar, pra, nuk kishte bërë dasëm.
Prindërit tanë ishin mjaft të kënaqur me ne. Ata ndiheshin krenarë për arritjet tona. Unë e vëllai kujdeseshim për ta nga ana ekonomike e kur vinim, i nxirrnim për të parë vende që nuk i kishin parë më parë, ndërsa motra e vogël kujdesej duke iu shkuar shpesh e mundohej t’ua plotësonte të gjitha ato gjëra për të cilat kishin nevojë.
– Mos i ki merak, mi motra prindërit, jam unë ketu për çdo gjë! – më thoshte gjithmonë ajo.
E në fakt, unë e kisha mendjen të fjetur se e dija që ajo mundohej me mish e me shpirt për ta. Pra, familja jonë ishte e bekuar në çdo aspekt. Ishim të gjithë të stabilizuar dhe të qetë se nuk kishim probleme. Mirëpo mrekullitë nuk ndodhin në tokë, siç duket ato ndodhin vetëm në qiell. Kur erdha për pushime në dimër, pashë se motra nuk ishte shumë mirë.
– Më dukesh pak e zbehtë. Mos je sëmurë?
– Kështu kam qenë. Me grip a nuk e di se çfarë, por nuk kam fuqi për të bërë asgjë.
– Ndoshta të lodh edhe vajza. Ajo tani është bërë shumë e lëvizshme e të mundon duke i shkuar nga pas.
– Ndoshta, por ajo më shumë rri në çerdhe sesa me mua. Pasdite kam plot njerëz që merren me të. – m’u duk se këto fjalë ajo i tha sa për të më larguar e që të mos e pyesja më, por mua më mbeti në mendje ajo ngjyra jo e mirë e fytyrës së saj, edhe pasi u ktheva në Itali. Nuk e di se ç’më ndjente zemra si një sëmbim, sa e herë e shihja në fytyrë kur isha në Shqipëri e sa herë e kujtoja ngjyrën e saj kur shkova në Itali.
– Motra nuk m’u duk mirë këtë herë, – i thashë vëllait sa erdha.
– Pse, çfarë kishte? Mirë m’u duk në telefon kur fola me të.
– Jo, nga zëri, ndoshta mirë është, por në fytyrë ishte pak e zbehtë.
– Po ishte kontrolluar? Çfarë i kishin thënë mjekët?
– Ajo thoshte ndoshta e kishte nga gripi që i kishte rënë. Jo, nuk ishte kontrolluar, se i kishte kaluar tani.
– Po mos u bëj merak se ajo nuk është e vogël më. Tani jemi të gjithë të rritur e nuk ke pse të bësh rolin e të madhes me ne.
Nga fjalët e vëllait e hoqa pak mendjen nga ajo që mendoja më parë për motrën, por kaloi nja një javë dhe më mori mami në telefon.
– Kemi shtruar motrën në spital.
– Çfarë ka?
– Pati një grip i cili e mundoi shumë, po ti mos u bëj merak se do të shërohet shpejt. Gjë kalimtare.
– Mua m’u duk shumë e zbehtë kur isha atje. Mami, të lutem, bëjani të gjitha analizat që ta dimë se nuk ka gjë tjetër.
– Po sigurisht, moj bijë. Unë të thashë që të mos e mbash mendjen se jemi ne këtu.
E mbylla telefonin e seç kisha një ndjenjë e cila më bëri një si gropë në zemër. E mora motrën te telefoni i saj. Nuk doja ta shqetësoja, kështu që nuk i thashë të bënte analiza e gjëra të tjera. Përderisa ishte në spital, do të bënte të gjitha analizat e nevojshme e më pas mjekimet që duheshin, nëse kishte diçka që nuk shkonte. Flisja çdo ditë në telefon për të pyetur se si ishte motra. Mami më siguroi se ishte mirë dhe se po prisnin rezultatin e analizave, por të tretën ditë kur e mora në telefon ajo mezi fliste.
– Analizat i kanë dalë shumë keq. Ka leuçemi… – ajo ia plasi të qarit.
– Si?! Jo, nuk ka mundësi! Po si kështu, mama? – u shokova. Ma kishte ndier zemra.
– Ja pra, edhe më e keqja është akute. Nuk e di moj vajzë, po mjekët nuk na kanë dhënë shpresa. Nuk e dimë në e kalon muajin.
– Ç’thua kështu moj mama? Oh, të shkretët ne. Po sikur ta sjellim këtu në Itali?
– I thamë mjekut, por është e pamundur të lëvizet. Nuk mund ta përballojë udhëtimin.
Kjo ishte gjëja më e tmerrshme që kam kaluar në jetën time. I tregova edhe vëllait dhe të nesërmen u nisëm për në Shqipëri. Për një muaj rresht ne pamë motrën tonë të “shkrihej” para syve tanë. Ajo vdiq fiks një muaj pas diagnostikimit. Kjo për të gjithë ne ishte një gjë e tmerrshme. Ishim mësuar me mirësi dhe tani na ra një bombë që shembi gjithçka. Asgjë nuk do të ishte më si më parë. Nëna dhe babai u shkatërruan fare. Ata ditën e varrimit nuk mund të flisnin me askënd. E si mund të flisnin? Ajo ishte në lule të moshës e për më tepër, kishte lënë një vajzë të vogël e cila donte kujdes të veçantë nga nëna e saj. Edhe i shoqi u mërzit shumë.
Vitin e parë pas vdekjes së saj, vajzën e mbajti mamaja me babin. Donte ta mbante vjehrra e saj, por nëna i tha se të paktën do të hiqte mërzinë me vajzën. Kur u ktheva në shtëpi atë verë, e pashë nënën time të ndryshuar tërësisht. Për një kohë të shkurtër, koka i ishte mbushur me thinja dhe peshonte a s’peshonte 40 kilogramë. Babai rrinte gjithë ditën me disa shokë, gjoja luante domino e kur kthehej në shtëpi, nuk fliste me askënd e dukej si një i vdekur i gjallë. Vajza e motrës ishte mirë. Ishte rritur sikur ta kishe kapur nga flokët.
– Po sikur ta marr unë vajzën në Itali?
– Po pse? – mu kthye mamaja.
– Po ja, që dhe ju të jeni më rehat. Nuk keni fuqi të merreni me të.
Mami për një çast nuk foli.
– Po unë me të shkoj mallin e … – lotët nuk e lanë të mbaronte fjalën.
– E di mama, por më mirë ta marr unë për pak kohë. Bën mirë dhe ti të vish së bashku me babin atje, të jemi të gjithë bashkë.
– Eh, s’di ç’të them. Lëmsh ma bëre kokën. Pastaj, duhet të pyesësh dhëndrrin. Ai e di se ç’mund të bësh me vajzën. Ka kohë që nuk ka ardhur ta shohë. Edhe ai e ndjen shumë mungesën e së shoqes dhe kur shikon vajzën, preket më shumë.
Unë ua mbusha mendjen të gjithëve dhe e mora vajzën me vete në Itali. Edhe pse m’u desh shumë punë, nuk kisha zgjidhje tjetër. Që nga ajo ditë, vajza jeton me mua. Erdhi edhe nëna e babai të cilët shitën shtëpinë dhe filluan një jetë të re në Itali. Kjo është mjaft e vështirë për moshën e tyre, se ata ishin mësuar në vendin e tyre e këtu mezi i shtyjnë ditët, por nuk kishte zgjidhje tjetër për ne. Iu duket sikur jeta e tyre ka mbaruar.
– Vetëm frymë marr! – tha babai një ditë.
– Ç’do të thotë kjo baba? – i tha vëllai.
– Vetëm frymëmarrja më dallon nga të vdekurit. Nuk e jetoj dot jetën kur e di se ime bijë nuk jeton më.
Edhe mamaja po njësoj mendon. Nuk mund ta kapërdijnë këtë fatkeqësi e të shohin para. Besoj se derisa të bashkohen me të në botën tjetër, do të jetë një jetë pa kuptim për ta.
Unë tani po rris vajzën e motrës e nuk më shkon mendja për martesë për vete. Ndoshta një ditë do të martohem edhe unë, por në plan të parë për mua do të jetë vetëm vajza e motrës sime.