“Komedia që shkon për dreq” është komedia që më shumë së për dreq shkoi dhe shkon për mbarë. Pas mbylljes së sezonit të kaluar u rikthye në sezonin e ri me të njëjtin intensitet duartrokitjesh, pse jo edhe më shumë. Një nga aktoret e kësaj komedie është dhe Alessia Xhemalaj, bukuroshja që rrëmbeu zemrat e publikut edhe tek “Boeing Boeing” një tjetër komedi që mori përmasa turneu nëpër Shqipëri. Alessian e kemi ftuar në rubrikën tonë “Alfabeti i personazhit” në të cilën ajo ka treguar rreth vetes, teatrit, filmit dhe shumë e shumë gjëra të tjera!

 

– Alessia nisim me A, si Artist… Çfarë “emri” ka artisti brenda teje?

-Artisti brenda meje është përherë një fëmijë i vogël dhe i brishtë.

– B, si Besimi…sa besim jep dhe merr nga skena?

– Unë përpiqem të jap gjithë besimin tim kur hipi në skenë. Uroj që kjo të transmetohet gjithashtu tek publiku. Marr nga skena jo vetëm besim, por edhe dashuri të sinqertë.

– D si Dashuria… Cili është emri i përveçëm që mban dashuria jote?(Nëse ka)

– Nuk mund të zgjidhje D, si dëshira? (qesh)

-E si Era… Nëse do të kishe patur mundësi t’i komandoje erërat e kësaj bote, çfarë apo kë do të kishe dashur të zhduknin nga faqja e dheut ato?As këtu s’do të më thuash ndonjë emër të përveçëm?

– Do të kisha dashur të zhduknin mosmirënjohjen, dhe për sa i përket “kë”, janë disa, kështu që kë të të them më parë? (qesh)

– F si film… Më mirë film apo teatër? Çfarë ka filmi që teatri nuk e ka?

– Unë jam nga ato aktore që i dua shumë të dyja. Peshorja ime anon pak më shumë nga teatri. Filmi të jep mundësinë e një duble të dytë për të përmirësuar veten, ndërsa teatri jo.

– G si gëzimi… Cili ka qenë gëzimi më i madh që u ke falur prindërve të tu? Po veten, e ke menduar ndonjëherë në rolin e prindit?

– Ah, këtë nuk e di. Duhet t’i pyes (qesh). Sigurisht që e kam menduar, dhe mendoj se do jetë ndjesia më e bukur në botë, por për momentin është thjesht një mendim.

– I si investim… Të zë ndonjëherë frika se ndoshta ke investuar jo aty ku duhet, qoftë edhe shpirtërisht?

– Nuk do të thoja frikë më shumë sesa një analizë që i bën gjërave apo personave të jetës tënde. Gjërat nuk shkojnë shpesh siç ti do të doje.

– J si Jeta…sipas teje të jetosh do të thotë….!Ç’mendon se mund të kesh qenë në një jetë të mëparshme?

– Të jetosh, sipas meje, do të thotë të mos jetosh për të tjerët. Jetën time e kam unë në dorë, dhe nuk bëj kompromise për askënd. Kur isha e vogël, doja shpesh të isha një zog dhe të fluturoja sa më larg.

– K si “Komedia që shkon për dreq”, rikthehet në skenë pas sezonit të shkuar ku pati jehonë suksesi i saj…çfarë ka kjo komedi që më shumë se për dreq shkon për qejf… 😛

– Dhe ne me njëri-tjetrin e kemi quajtur “Komedia që Shkon për Mbarë”, sepse jemi kënaqur pafund! Është një komedi që të jep mundësinë të komunikosh drejtpërdrejtë me publikun, i cili duhet thënë, është shumë dashamirës. U rikthyem në Teatrin Kombëtar Eksperimental për plot tre net, dhe salla ishte super plot!

– M si mungesa…Çfarë do të doje të mos mungonte kurrë në jetën tënde dhe çfarë do të doje të mos e provoje kurrë në jetë?

– Do të doja të mos më mungonte kurrë dashuria dhe njerëzit e dashur, dhe s’do të doja kurrë të provoja kalimin e ndonjë sëmundjeje.

 

Këtë shkrim mund ta lexoni të plotë në gazetën “Intervista”. Atë mund ta blini në të gjitha pikat e shitjes në Shqipëri si edhe në kioskat ku shitet shtypi i huaj në Greqi. Mund ta blini edhe online, vetëm për  1 euro ne muaj!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *