Çdo këngëtar që do të vinte me një këngë si “Bota kalimtare”, ka vëmendjen tonë, sepse të shpenzojmë disa minuta duke dëgjuar dikë që flet fjalë me vend, është diçka për të cilën kemi gjithmonë kohë. Në një punë si kjo e jona, ka intervista që të duhet t’i bësh sepse “duhet”, siç ka edhe të tjera që ti i bën për kënaqësinë që të jep personazhi me botëkuptimin e tij. Gold Ag ose Ariani është i tillë dhe kjo intervistë është për kënaqësinë tonë e nëse e ndajmë edhe bashkë, akoma më mirë. Ndërkaq, lexoni çfarë ka për të thënë në vazhdim dhe nëse ai nuk është një nga personazhet më “me këmbë në tokë” në shoubiz, atëherë na thoni, kush është?!
Alma Buci: – Arian, në ç’rrethana është shkruar teksti i “Bota kalimtare”?
Gold Ag: – Në aeroplan, gjatë fluturimit Prishtinë-Zyrih, disa muaj më parë.
– Çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar në këtë botë kalimtare?
– Të drejtat dhe të gabuarat i bëjnë njerëzit, por shumë herë harrojnë që çdo gjë është kalimtare në këtë botë.
– Në klip shfaqet për herë të parë edhe nëna jote. Cila është këshilla më e vlefshme që ke marrë prej saj?
– Këshillat e saj të shumta më kanë bërë këtë që jam. Shumë herë kam falur gjëra që ndoshta vetë nuk do t’i kisha falur. Ajo është gjëja më e vlefshme në jetën time.
– Si e shikon botën një djalë që në këtë botë ka vetëm nënën pjesë të trungut familjar?
– Si diçka shumë të mirë që mundohem ta bëj të ëmbël me veprat e mia. Zoti i sprovon robërit që i do.
– Sa i kujdesshëm je me muzikën dhe me mesazhet që përcjell? Mendon se ke një mision me këngën?
– Këngët e mia mund të mos kenë asgjë, por mesazhi nuk iu mungon asnjëherë. Ndihem krenar që dëgjuesit e këngës time janë patriotë, falënderues e të përulur para Krijuesit të gjithësisë.
– Ku qëndron Ariani mes këngëve patriotike dhe atyre për dashurinë?
– Edhe patriotizmi në këngët e mia shfaq dashuri të madhe për vendin, ndërsa dashuria si koncept nuk mungon në asnjë këngë timen.
– Je ndoshta këngëtari që ka më shumë bashkëpunime në treg. Të fundit ishin me Gretën dhe më pas me Gretën dhe Enin bashkë, në një kohë mjaft të shkurtër. Pse kaq shumë bashkëpunime?
– Sepse po pëlqehen dhe po i kombinoj më mirë se të tjerët. Do të bashkëpunoj gjithmonë me këngëtarët që ia vlejnë.
– Ka një këngë që ti e do, por që nuk ka marrë vlerësimin e merituar?
– Të gjitha me dëshirë të madhe i lançoj e të gjitha pëlqehen aq sa dëshiroj. Mjafton që aq sa klikohem, aq dëgjohem, edhe pse ka raste kur dëgjohem nga gjeneratat më të moshuara që nuk janë shumë aktivë në rrjetet sociale. E mira e krejt kësaj është që kënga ime është për të gjitha moshat.
– Deri në ç’masë e ke kontrolluar drejtimin që të ka marrë jeta?
– Tani e kam në kontroll shumë të mirë se në moshë të re, rrallë nuk gabon.
– Jeta në thelb është e gjatë apo e shkurtër?
– E shkurtër nëse jetohet mirë, ndërsa e gjatë nëse është e vështirë.
– Njerëzit janë të gjithë të njëjtë apo të gjithë të ndryshëm?
– Po të ishim të njëjtë nuk do të ishte interesante. E mira e krejtve është që as nuk përngjajmë njëri me tjetrin dhe të gjithë kemi gajle të ndryshme. Po të mos ishin të këqinjtë, nuk do të dalloheshin të mirët e po të ishin krejt të mirë, Zoti do të sillte popuj të tjerë që bëjnë gabime dhe pendohen tek Ai.
– Sa mendon se arrin t’i njohësh njerëzit?
– E kam një të metë nganjëherë që u besoj disave me të cilët ndoshta nuk ia vlen as të rrish, por secili e tregon karakterin për mirë apo për keq.
– Kur mendon se del në pah karakteri i vërtetë i njeriut?
– Njeriu është i egër kur ngopet, ndërsa kafsha, kur uritet.
– Pse rrjedhin lotët e një burri?
– Nga shpirti i vrarë dhe nga dashuria e madhe që shndërrohet në dhembje.
– Në një kamera të fshehtë që t’u bë, qëndrimi yt aty ishte për t’u admiruar ndërkohë që kishte nga ata që mendonin se është e sajuar…
– Le ta provojnë me raste të tilla sa herë që të duan. Ai jam edhe kur zgjohem nga gjumi, edhe kur bie në gjumë.
– Çfarë nuk do të pranoje kurrë të thuhej për islamin apo për muslimanët?
– Çfarëdo që të thuhet e keqe për islamin apo muslimanët, ajo gjë do t’u bëjë keq atyre që e flasin, sepse islamin e ka garantuar dhe e mbron Allahu. Ndërsa muslimani, kur e njeh veten, nuk e ka problem për atë që flasin të tjerët.
– Kush është armiku i shqiptarëve sot?
– Tradhtarët e kombit.
– Cila është pjesa më e neveritshme në lëmin e politikës?
– Hajdutët janë shumë herë politikanë e politikanët janë gati çdo herë hajdutë.
– Je për femrat në poste të rëndësishme në politikë?
– Po, femra duhet të mbrohet dhe duhet t’i jepet fjala për të kërkuar të drejtat e veta.
– Çfarë të bën nostalgjik?
– Presheva.
– Bën pjesë te njerëzit që u pëlqen vetmia apo që nuk e durojnë dot atë?
– Vetmia më pëlqen vetëm në disa raste, jo shpesh.
– Nëse do të doje të ktheheshe te të 20-at e tua…
– Do të isha po i njëjtë, vetëm se 9 vite më i vogël.
– Pse themi se islami është feja që e respekton më shumë femrën kur në Kuran shkruhet se femra mund të rrihet nga mashkulli nëse nuk bindet?
– Ndoshta për këtë do të jepte një përgjigje më të saktë ndonjë hoxhë i mirë, si për shembull te ju në Tiranë, Ahmed Kalaja.
– Pse thuhet se dëshmia e një gruaje vlen sa gjysma e dëshmisë së një burri?
– Vlen e njëjta përgjigje që dhashë më lart.
– Do të martoheshe me 4 gra?
– Njëherë me një e për 3 të tjera nuk them pa i pas.
– Do të martoheshe me një vajzë që të pëlqen shumë, por që nuk është e virgjër?
– Nëse është penduar sinqerisht tek Allahu, po, se edhe ajo është vajzë dhe motër e dikujt e nesër nëna dhe gruaja e dikujt.
– Si thotë Ariani “Të dua”?
– Vetëm shqip.
– E humb njeriu veten në një realitet si ai i shoubizit?
– Shoubizi të humb nëse nuk di të jesh i matur me famën, se fama shumë herë është mallkim për njeriun dhe besa, një sprovë e madhe.
– Nëse vargjet e tua do të ishin grushta, kujt do t’i drejtoheshin ato?
– Tradhtarëve të kombit shqiptar.
– E nëse do të ishin puthje, kujt?
– Të gjithë atyre që e duan Shqipërinë etnike.
– Ti thua “jam i vetmi reper që më vijnë në koncerte pleq me mustaqe dhe me plisa”… Ndonjë episod të bukur që vlen të shkëpusim gjatë koncerteve?
– Ka raste të shumta… Një e di, se Arian nuk bën më nëna në këtë drejtim e unë lutem që këshillat e mia të vazhdojnë brez pas brezi.
– Cilat kanë qenë ditët e tua më të këqija?
– Gjatë kohës së luftës ‘98-‘99.
– Ke ndonjë konflikt të hapur tani që flasim?
– Jo.
– Cili është projekti yt i radhës? Pritet ndonjë këngë tjetër që të përbëjë shkelje të kodit penal, siç ishte “Shqiptar”?
– Kënga nuk shkel asnjë kod, edhe po t’më vrasin, gojën nuk do të ma mbyllin. Priten këngë të shumta në këtë muaj.
– Çfarë e bën unik një shqiptar?
– Lashtësia.
– Çfarë të sjell gëzim në shpirt?
– Namazi.
– Ajo që di të bësh më mirë në jetë?
– Dashuria për njerëzit e varfër.
– Thirrja e kujt do të të bënte të dilje në mesnatë nga shtëpia?
– E secilit që e dua me zemër.
– Çfarë është dhembje e çfarë dashuri për ty?
– Dhembje është diçka që e dua shumë e dashuri, diçka që më dhemb shumë nëse nuk e kam.