– Ka gjashtë muaj që syri i djathtë më loton shumë. Patologia më tha se kam probleme me kanalin e lotëve dhe se duhet të bëja masazh rreth syrit, mirëpo nuk ka patur sukses. Si të veproj? A duhet ndonjë ndërhyrje apo çfarë? Jam 28 vjeçe.
Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: – E dashur letërshkruese! Sipas përshkrimit që ju bëni në letrën që më keni dërguar për patologen tuaj, kam përshtypjen që bëhet fjalë për këtë lloj diagnoze që po jua shpjegoj më poshtë: Me fjalë të thjeshta, ky nga i cili vuani është bllokimi i pjesshëm ose i plotë i kanalit të lotit dhe si pasojë, loti, i cili prodhohet normalisht nga gjëndrra e lotit, e projektuar nën vetullën e djathtë, nuk eleminohet poshtë mbrapa në hundë, përmes kanalit të lotit. Arsyet e bllokimit të kanalit të lotit mund të jenë të ndryshme. Përqindja më e lartë e bllokimit të kanalit të lotit është me origjinë të lindur dhe vihet re nga nëna te fëmija i saj, që në fëmijërinë e hershme.
– Raste të tjera të bllokimit të kanalit të lotit mund të vijnë nga shkaqe patologjike në kockën e lotit (os lacrimale). Arsye tjetër lotimi mund të jetë edhe superprodhimi (prodhimi i tepërt) i lotit nga ndikime të ndryshme të patologjive të syrit në gjëndrrën e lotit. Ky lot i tepërt, i mbiprodhuar, nuk ka mundësi eleminimi normal në kanalin e lotit dhe derdhet jashtë (në faqe). Duke qenë se ju jeni 28 vjeçe dhe keni 6 muaj me lotim, mundësia më e madhe është që keni një bllokim të plotë të kanalit të lotit dhe ky kanal loti i bllokuar duhet hapur me provë dhe mjekim, duke bërë më parë një vizitë të hollësishme te mjeku okulist. Medikamentet në këtë rast, në përgjithësi, nuk janë të suksesshme. Shpresoj t’ju kem ndihmuar për të zgjidhur problemin tuaj. Faleminderit që më shkruat.