Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Fëmijët e vet ia kanë bërë benë!

Përshëndetje! Unë që po ju shkruaj jam Erisa. Me lejen e dy kushërinjve të mi, sot vendosa të bëj publike historinë e hallës sime të vetme. Ajo është njeriu më i afërt që kam. Është një njeri me shumë vlera, por si gjithmonë, jeta njerëzit e mirë i vë në prova të vështira. Prindërit e mi thonë gjithmonë se fati i femrës është “telebingo” dhe kështu qenka vërtet. Halla ime vuajtjet e saj i nisi që në rininë e hershme, kur ishte adoleshente dhe u dashurua me një djalë që në qytetin tonë njihej si një ndër djemtë më rrugaçë. Por, siç e dini dhe ju, tipa të tillë janë shumë të hedhur dhe mjetin kryesor për të bërë për vete kanë gjuhën e mashtrimit. Kështu, halla ime u dashurua mbas tij. Ai me fjalët të ëmbla ia kishte arritur qëllimit që ta bënte për vete gruan që dashuronte. Halla ishte verbuar aq shumë nga dashuria e tij, saqë nuk i dëgjoi këshillat e prindërve dhe të njerëzve të saj më të afërt; krijoi familjen e saj, lindi edhe dy djem dhe dukej se jeta e saj ecte në rrjedhën normale, si e çdo familjeje tjetër. Të gjithëve nga fisi ynë iu bë qejfi që ajo kishte arritur ta shtronte burrin e saj, nga një djalë që mbahej si “rrugaç” në një djalë që punonte normalisht si gjithë të tjerët, por unë nuk e di me siguri nëse ishte halla që e shtroi apo regjimi socialist dhe politikat e tij. Po nejse, ç’rëndësi ka?! Ajo që dua t’ju them është se halla deri në fazën e ndryshimit të klasave politike, bënte një jetë të qetë dhe të rregullt. Në kohën kur ndryshoi sistemi politik, burri i saj dhe ajo bashkë me të dy djemtë ishin të parët që emigruan. Tani që e mendoj, them se edhe aq, burri i hallës kishte duruar tepër, me atë tip që kishte…

Në Itali, kuptohet, si shumë emigrantë të tjerë, edhe ata patën vështirësitë e tyre, por t’ju them të drejtën, bashkëshorti i hallës ishte një tip shumë i shkathët. Për të arritur atë që donte, ai përdorte të gjitha mënyrat, ishte gënjeshtar, hileqar, ishte ujk dhe dhelpër njëkohësisht. Siç jua thashë edhe më sipër, armë kryesore për të arritur atje ku donte, ai kishte fjalën. Nuk di t’ju them se në çfarë mënyre kishte kishte bërë shumë lek, por di të them se halla ime në Itali ka punuar si kafshë nëpër shtëpitë e italianëve duke bërë çdo lloj pune që i dilte para. Të gjithë lekët i dërgonin në Shqipëri te vëllai i burrit të hallës, që kishte blerë në Tiranë tri dyqane në vende shumë të mira. Këto dyqane i kishin dhënë me qira dhe me lekët që merrte, lante kredinë që ai pretendonte se kishte marrë në bankë. Gjatë kohës që halla jetoi në Itali, ajo kishte një komshie shqiptare, që jetonte me burrin dhe fëmijët e saj. Halla më tregonte se ajo grua i ishte gjendur pranë për çdo gjë, si në të mirë, edhe në të keq dhe halla e donte jo si shoqe, po si motër. Por në këtë botë janë shumë të rrallë njerëzit që e ruajnë miqësinë e sinqertë. Ajo kishte qenë një gjarpër i vërtetë dhe këtë gjë halla e kishte zbuluar një ditë kur kishte ardhur nga puna dhe te dhoma e gjumit nën krevat, kishte parë cepin e një shalli të hollë. Kur e kishte marrë në dorë, menjëherë e kishte kuptuar se ai ishte shalli që mbante shoqja e saj. I shoqi e tradhtonte me mikeshën e saj më të mirë. Halla me të shoqin patën një debat shumë të fortë. Në vend që të kërkonte falje,  ai e akuzonte atë si fajtore, sepse ajo e kishte futur në shtëpi atë lloj femre. Megjithëse halla i kishte kërkuar të ndahej nga dashnorja, ata vazhdonin të komunikonin nëpërmjet telefonit dhe takoheshin fshehtas, por sinjalet e ndryshme nga telefoni, vonesat për të ardhur në shtëpi, justifikimet e kota që ai nxirrte për të qëndruar larg familjes kishin bërë që halla ime të kuptonte se historia e tyre vazhdonte akoma. Ata kishin debatuar përsëri, por ai ia kishte bërë të qartë:

– Unë nuk mund të jetoj pa e takuar atë. Ty të dua shumë, po ajo është diçka tjetër, që nuk arrij ta përjetoj me ty.

Advertisement

Nga gjykimi im, fakti që halla ia fali, ishte gabimi më i madh që bëri ajo në jetën e saj. Kur e fal një herë tradhtinë, tjetri mendon se do ta falësh gjithmonë. Halla i propozoi të shoqit që të ktheheshin në Shqipëri dhe ai pranoi. Arsyen e pranimit të tij nuk e di, por unë mendoj se ishte pasuria që ata kishin vënë dhe frika nga një divorc i mundshëm që do ta ndante pasurinë në mes. Kur u kthyen për të jetuar në Shqipëri, ata ishin mbi pesëdhjetë, çunat e tyre kishin nisur studimet e larta në Itali dhe bënin jetën e tyre. Periudhën e kthimit të familjes së hallës në Shqipëri e njoh shumë mirë sepse vuajtjet e saj i kam përjetuar në çdo moment.

Ata u vendosën në Tiranë, blenë një shtëpi me kredi dhe filluan të merreshin me biznesin e tyre. Të trija dyqanet që i kishin dhënë me qira i morën për t’i punuar vetë, punësuan edhe punëtore, një ndër të cilat isha edhe unë. Ky ka qenë kulmi i historisë së trishtuar të hallës sime; ajo me duart e saj i bëri varrin vetes. Në kohën kur punoja si shitëse, pashë fytyrën e vërtetë të bashkëshortit të hallës; njeriu më dinak që kam njohur në jetën time. Unë nuk e di se çfarë i kishte bërë hallës që ajo e donte aq shumë dhe i përkushtohej totalisht atij. Ndoshta e bënte edhe nga frika se ai mund të ishte i pakënaqur me të dhe ta linte nga momenti në moment, por me veprimet e saj, ajo e dënoi më shumë veten e vet. Ajo e trajtonte burrin sikur e kishte fëmijë të vogël, i shërbente dhe kuronte te ai edhe detajin më të padukshëm, duke menduar se ashtu, do të ishte gruaja ideale për të. Disa herë e kisha parë që ia sillte ushqimin në dyqanin tim, i sillte edhe këmishën të larë dhe të hekurosur e ia vishte aty, sepse mund të ishte djersitur. Edhe i shoqi ia kthente në të njëjtën mënyrë, duke i folur me fjalët më të ëmbla që kishte fjalori. Në sytë mi, ai e puthte në ballë, në sy, në faqe dhe mua më bëhej zemra mal që i shikoja aq të lumtur. Edhe unë isha e martuar, po t’ju them të drejtën, im shoq, jo se nuk më donte, por nuk e shprehte aq shumë dashurinë e tij. Por, siç e thotë edhe populli “dardha e ka bishtin mbrapa”. Mbas atyre fjalëve të bukura dhe puthjeve hipokrite, fshihej një tradhti e radhës, që do ta nxirrte kokën shumë shpejt. Ai kishte filluar një lidhje dashurie me shitësen e dyqanit të turnit të paradites te dyqani im. Kjo grua e poshtër, me kalimin e muajve kishte filluar të bënte shefen në dyqanin e hallës sime, madje kishte filluar të më jepte edhe urdhra, për të vendosur rregull mbi artikujt që ne tregtonim. Menjëherë fillova të kuptoja se kishte diçka që nuk shkonte, që ajo ndjehej aq superiore ndaj meje. Disa herë e kisha dëgjuar bashkëshortin e hallës t’i thërriste asaj “zemër”, por ai e justifikonte këtë duke thënë se “kështu u them njerëzve që bëhen të afërt me mua”. Kisha filluar të dyshoja, derisa dyshimet e mia u bënë reale. Një ditë, ndryshe nga ditët e tjera, shkova në dyqan një orë para. Ishte ora dy e drekës, ishte një vapë e madhe dhe pashë që dera e dyqanit qe e mbyllur. Hapa derën dhe u futa brenda. Në dhomën e provës po shikoja perden që po tundej në një mënyrë të shfrenuar dhe dëgjoja pëshpërimat e tyre. Si duket, ata kishin dëgjuar kërcitjen e derës dhe po mundoheshin të justifikoheshin. U hap perdja. I pari doli ai dhe më pas ajo, e cila po mundohej të rregullonte rrobat e trupit, ndërsa atij i kishte shkuar kollarja mënjanë dhe këmisha ishte gjysmë e zbërthyer. Si i gojës që është, e gjeti menjëherë një justifikim, duke më thënë se po ndihmonte kolegen time për të provuar një fustan. Mbas asaj skene që pashë, i thashë hallës të tregohej e vëmendshme me burrin e saj, po ajo nuk e besonte, sepse i shoqi hiqej si shumë i dashuruar me të. Po ta shikoje burrin e hallës do të thoja se ishte me plot gojën një plak i shëmtuar, po lekët dhe fjalët që përdorte, e bënin atë tërheqës në sytë e femrave. Mbas asaj që i tregova hallës, ajo e hoqi kolegen time nga puna, por kjo nuk i shërbeu për asgjë sepse më shumë u përkeqësuan gjërat. Ajo i tha:

– Ti mund të më heqësh nga puna, por jo nga zemra e tij. Ne e kemi krijuar çerdhen tonë prej shumë kohësh. Nëse je kurioze, mund të pyesësh në pallatin përballë shtëpisë tuaj.

Ishte e tmerrshme të mendoje se si ligësitë e atij njeriu mund të arrinin deri aty, sa kishte marrë shtëpi me qira për dashnoren e tij mu përpara hundës së gruas. Vetëm unë e di se çfarë vuajtjesh dhe ofendimesh ka hequr ajo grua nga bashkëshorti i saj. Ai kishte arritur deri aty sa i kishte thënë:

– Ti tashmë nuk më dhuron asnjë lloj kënaqësie si grua. Me ty më duket vetja sikur jam një plak i rëndomtë, ti më je bërë si nëna ime që përveç përkujdesjes, nuk të dhuron asgjë tjetër.

Të gjitha këto halla m’i tregonte me lot në sy, por ajo nuk e merrte guximin të ndahej prej tij, sepse mendonte se çfarë do thonin njerëzit. Mendonte si do të reagonin djemtë e saj. Sigurisht, ata do thoshin: “Tani e kuptuat ju se nuk ishit për njëri-tjetrin?”. T’ju them të drejtën, ai njeri nuk të ngjallte gjë tjetër përveç neverisë. Nga të gjitha ato histori dhe detaje që më kishte treguar halla ime, unë kisha filluar ta urreja dhe një ditë nuk e përmbajta dot veten e i thashë:

– Të gjitha këto vuajtje që po i shkakton asaj gruaje, një ditë do t’i paguash shumë shtrenjtë, ajo të mban e të trajton si një fëmijë dhe ti, ja si ia shpërblen!

Ai, pa iu dridhur qerpiku dhe pa pikë turpi, ma ktheu: – Nuk kam nevojë për mama, po për grua, që të ndjehem një mashkull i vërtetë.

Fjalët e tij ishin aq acaruese saqë midis nesh filloi një debat i madh dhe mbas asaj zënke, ai më përzuri nga puna, por jo nga jeta e hallës sime. Ajo çdo ditë vinte tek unë dhe qante për hallin e saj. Halla më tregoi se mbas ikjes sime, ai kishte punësuar një grua rreth të dyzetave. Në atë periudhë, bashkëshorti i kishte kërkuar të falur hallës për gjitha vuajtjet që i kishte shkaktuar dhe i ishte betuar për jetën e djemve të tyre se në jetën e tij nuk do kishte më njeri tjetër përveç gruas së tij. Në atë kohë, halla më dukej sikur kishte rigjetur lumturinë, ajo dukej sikur kishte rilindur, ai përsëri po e trajtonte si princeshë. Çdo ditë dilnin për darkë, shkonin për pushime, i blinte dhurata të shtrenjta dhe shumë gjëra të bukura po ndodhnin në jetën e saj. Ndërsa ajo më tregonte, unë i trembesha shumë një zhgënjimi të radhës, sepse vetëm atij njeriu nuk mund t’i zihej besë. Edhe herë të tjera kishte përdorur të njëjtat mënyra për ta mashtruar. Si duket, kjo ishte një lojë e tij për të arritur atë që donte. Ia kisha frikën hallës dhe gjithmonë e këshilloja të bënte kujdes e të mos u besonte lojërave të tij, por edhe mendoja se ndoshta ai njeri kishte vënë mend, sepse tani ishte gati gjashtëdhjetë vjeç dhe nuk kishte më moshë për këto aventura. Nëpërmjet kolegeve të mia që punonin në dyqanet e tjera kisha marrë veshë se me dashnoren e tij i kishte dhënë fund, madje ajo nuk jetonte më në Tiranë. Nuk e di se çfarë kishte ndodhur midis tyre që ai e kishte braktisur, ose ndoshta e kishte braktisur ajo, prandaj u kthye përsëri te halla ime. Njëqind mendime më vinin në mendje, po nuk kisha fuqi të zbuloja më shumë. Kishin kaluar gati gjashtë muaj dhe halla dukej sikur e kishte gjetur qetësinë në çift. Një ditë ajo më tha se kishte prerë biletën për të shkuar disa muaj te djemtë e saj që kishin sezonin e provimeve dhe ajo donte që t’u rrinte pranë. Nga bisedat telefonike që kisha me hallën, ajo më tregonte se gjërat vazhdonin të shkonin mirë, bashkëshorti i saj vinte i vizitonte, rrinte dy-tre ditë dhe kthehej për punët e biznesit, por si një njeri dinak që ishte, ai kishte filluar përsëri me poshtërsitë e tij. Unë nuk futesha më te dyqani i hallës ku kisha punuar, por me koleget që punonin në dyqanet e tjera ruaja marrëdhënie shumë të mira. Një ditë, njëra prej tyre me tha:

– A e ke parë zëvendësuesen tënde? Ajo është shtatzënë…

Duke qeshur, e pyeta se pse po ma tregonin këtë. Po me të qeshur, ato ma kthyen:

– Nuk ta merr mendja se me kë e ka fëmijën?

Menjëherë më shkoi mendja tek ai maskarai, por prapë e mblodha veten se mendoja se nuk do ishte në gjendje të arrinte deri në këtë pikë. Ato më treguan se kjo mund të jetë e vërtetë, pasi ata shoqëroheshin shumë bashkë. Nuk di ç’t’ju tregoj më shumë…

Mbas tre muajsh u kthye halla nga Italia, por atëherë ishte shumë vonë… As ju nuk do ta besoni, por ja që është e vërtetë; ai me një avokatin e tij i kishte bërë gjërat ashtu siç i kishte dashur qejfi. Ai kishte bërë ndarjen me gjyq nga halla ime, duke falsifikuar firmën e saj. Gjithashtu, gjithë pasurinë e kishte hedhur mbi vete dhe hallës i kishte lënë vetëm shtëpinë, për të cilën nuk kishin shlyer akoma kredinë. Dyqanet i kishte dhënë përsëri me qira dhe ai së bashku me gruan (që ishte shitësja që më zëvendësoi mua) ishin zhdukur si “sëpata pa bisht”. Të gjitha këto informacione halla i mori nga avokati i tij. Halla qante si një fëmijë në krahët e mi, por unë e ndjeja veten të pafuqishme për të bërë diçka për të. Ai është njeriu më i ulët që kam njohur në këtë botë, ai i rrëmbeu çdo gjë hallës time dhe e la atë në mes të katër rrugëve, tamam si jetime. Për shumë kohë ajo u kurua nga depresioni, kishte arritur deri aty sa tentoi të vriste dhe veten, por djemtë, kur e morën vesh, erdhën dhe e morën të ëmën e tyre në Itali. Ata janë betuar se një ditë do e gjejnë babanë dhe do ta bëjnë të paguajë çdo pikë lot që mamaja e tyre ka derdhur për të.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (1) View Comments (1)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Më është fryrë shumë barku...

Next Post

Ta marr ilaçin e diabetit?

Advertisement