Nëse hyni ndonjëherë në Parlamentin Britanik, kujdesuni që të mos vdisni aty, sepse diçka e tillë ndalohet me ligj. Dhe, nëse jeni në Oklahomë, mos e lini gomarin tuaj të flejë në vaskë pas orës 7 pasdite. Këto janë disa nga ligjet më të çuditshme të botës, të cilëve ia vlen t’u hedhim një sy.
- Në ishujt Samoa konsiderohet krim që dikush të harrojë ditëlindjen e gruas. Meqë ra fjala, ligji do të ishte mirë të respektohej edhe në vendet e tjera të botës.
- Në Tajlandë është e paligjshme që dikush të shkelë me këmbë paratë (le të shpresojmë se kjo vlen edhe për gjëra të tjera).
- Nëse keni gjel dhe doni të udhëtoni me të në një ballon, në Zelandën e Re nuk duhet ta bëni, përndryshe mund të keni probleme me policinë.
- Në Kanada është e detyrueshme që një në 5 këngë që luhen në radio, të jetë e një këngëtari kanadez.
- Shoferët në Nju Jork duhet të mendojnë 2 herë para se t’i bien burisë pa arsye, sepse kjo konsiderohet e paligjshme.
- Në Danimarkë, të gjitha mjetet që qarkullojnë në rrugë duhet t’i kenë dritat e ndezura gjatë gjithë ditës. Pa shiko, ky ligj më kujton diçka…
- Ju pëlqen të fishkëlleni? Në qytetin Petrolia, në Ontario të Kanadasë, mund ta bëni këtë deri në orën 11 të natës. Nga ora 11 e deri në orën 7 të mëngjesit, është e ndaluar.
- Në Çikago konsiderohet e paligjshme të hash në një shtëpi që ka marrë flakë. A thua se, në një shtëpi që digjet, ushqimi të ishte gjëja e parë që u vjen njerëzve në mendje!
- Në Kanada, është e ndaluar që çiftet të tregojnë afërsi në publik të dielën. Këtë ditë, ata e kanë pushim.
- Në Francë është e ndaluar që pronarët t’u vënë derrave të tyre emrin “Napoleon”.
- Në Kanada, është e paligjshme të vrasësh një njeri të sëmurë, duke e trembur. Shpresojmë të jetë e paligjshme të vriten njerëzit në përgjithësi.
- Në San Antonio të Teksasit, ndalohet flirti. Me sa duket, duhet shkuar drejt e në thela!
- Nëse një shofer me dosje penale të hapur do të hyjë në Uashington, ai duhet të ndalojë në kufijtë e qytetit dhe t’i telefonojë policisë, duke e lajmëruar se po hyn në qytet. Lind pyetja nëse ka telefonuar ndonjëri deri më sot.