Shkulja e dhëmbit dhe gjyshi
– Çfarë do të thotë shkulja e dhëmbit në ëndërr? Kështu më ka parë babai im. Në një rast tjetër, babai ka parë babain e vet të vdekur. Gjyshi sikur i kërkonte raki me këmbëngulje dhe pastaj u rrëzua e u lag. Pres një përgjigje. Faleminderit.
– Ëndrrat me dhëmbët kanë kuptime të ndryshme, por në rastin konkret, ëndrra juaj tregon një vetëbesim të ulët, i cili në këtë rast, prek babain tuaj. Keni diskutuar diçka me babain dhe ju e keni shikuar si figurë të fortë, por në lidhje me ju, ai nuk ndihet edhe aq i fuqishëm. Megjithatë, nuk duhet të shqetësoheni sepse momente pasigurie kalojnë të gjithë, edhe të mëdhenjtë; e rëndësishme është ta marrësh situatën në dorë. Ëndrra e dytë ka lidhje me dobësitë dhe pasiguritë e babait tuaj, por që janë kalimtare, siç ju thashë edhe më sipër.
Aksident dhe engjëlli i vdekjes
– Kam parë në ëndërr sikur isha në udhëtim me të fejuarin tim. Duke ecur rrugës u gjendëm përballë një aksidenti, zbritëm për të parë se kush ishte aksidentuar dhe ishin tre meshkuj, por në krye u qëndronte një femër e veshur komplet me të bardha. I fejuari më tha se ajo ishte engjëlli i vdekjes që kishte ardhur për t’i marrë. Në një moment e fiksova dhe ajo më pa, por më shpërfilli. Më tha: “Akoma s’të ka ardhur koha”, ndërkohë që duart i kishte te duart e atyre që kishin vdekur. Jam shumë në ankth. Ç’do të thotë?
– Udhëtimi me të fejuarin është udhëtimi që do të bëni ju në jetë së bashku. Së shpejti, statusi juaj do të ndryshojë, por kjo s’do të thotë që të trembeni. Do të martoheni dhe jeta, sigurisht, merr një kthesë tjetër, sepse tashmë çdo gjë do ta ndani me të fejuarin. Keni pak frikë nga jeta, keni frikë nga të papriturat e nga e panjohura, sepse do të jetoni me të. Duke jetuar me të, do të zbuloni ndoshta gjëra që nuk do t’ju pëlqejnë, por këto janë të pashmangshme për të gjitha çiftet. Pra, aksidenti dhe personat e aksidentuar s’kanë të bëjnë fare me diçka të tillë, por përfaqësojnë frikërat tuaja në jetë. Vdekja e tyre përfaqëson shndërrimin nga njëri stad në tjetrin. Ju po shkoni drejt një ndryshimi, një niveli të ri në jetë. Engjëlli i vdekjes është ndryshimi për mirë në jetën tuaj. Pavarësisht vështirësive që do të hasni, ju do t’i kapërceni të gjitha. Nuk duhet të jetoni në ankth, ky është mesazhi i ëndrrës suaj. Jetoni çfarë keni dhe përgatiteni veten për të ardhmen në çift.