Afro gjysmës së banorëve të Tajvanit u mungon një gjen, i nevojshëm për metabolizmin e duhur të alkoolit. Kjo do të thotë se shumë prej tyre mund të kenë skuqje fytyre, probleme në frymëmarrje, bile edhe një rritje të rrezikut të kancerit kur konsumojnë alkool. Ashtu siç është shkruar në gazetën “China Times”, përqindja e njerëzve që nuk kanë gjenin ALDH2 në Tajvan është më e lartë se në çdo vend tjetër të botës, plot 47%. Deklaratat janë bërë nga Çe-Hong-Çen, një shkencëtar dhe studiues në Universitetin e Stanfordit, Kaliforni. Kjo mungesë është e zakonshme në Azi, me 35% të mungesës së tij në Kinë, 30% në Japoni dhe 20% në Korenë e Jugut.
Evropianëve, shumica e të cilëve e kanë këtë gjen, u thuhet se sasi të vogla të verës së kuqe janë të mira për sistemin kardiovaskular, por kjo këshillë nuk vlen për aziatikët. Atyre që u mungon gjeni mund t’u shtohet rreziku i kancerit, sepse substancat acetaldehide në alkool, të cilat zakonisht metabolizohen lehtë nga njerëzit me gjenin në fjalë, grumbullohen në trup tek ata që nuk e kanë atë. Acetaldehidet janë kancerogjene, gjë që do të thotë se njerëzit që nuk e kanë genin ALDH-2 rrezikojnë 50 herë më shumë të sëmuren nga kanceri i gojës, fytit apo ezofagut nëse konsumojnë rregullisht alkool.
Çeni tha se ata që janë kureshtarë të mësojnë nëse e kanë apo jo genin, mund të lagin një copë gipsi me pije alkoolike dhe ta vënë në lëkurë. Nëse lëkura skuqet pas 20 minutave, kjo do të thotë se u mungon ky gjen. Megjithatë, tajvanezët që duan të pinë alkool, së shpejti mund të kenë një zgjidhje. Çeni tha se një produkt që mund të “aktivizojë” gjenin që mungon mund të hidhet në treg brenda 5-10 vjetëve, gjë që do të thotë se nuk do të shohim më fytyra të skuqura gjatë pirjes së alkoolit në publik.