– Përshëndetje, e nderuar dermatologe! Jam Toni, 41 vjeç. Problemi im ka lidhje me këmbët. Sa herë që vesh çorapet e bardha, ato më bëhen me njolla në ngjyrë kafe në pjesën e shputave. Jam i shqetësuar. Mos është myk këmbësh, apo çfarë? Theksoj se kam edhe pulla në pjesën e barkut, psoriazis versikolor. Jam mjekuar dy herë, por nuk më janë hequr.
Dr. Albana Lufi, Ph.D në Dermatologji: – I nderuar Toni, në lidhje me pyetjen e parë që ka lidhje me infeksionet mykotike, ju them që ato janë patologji mjaft të përhapura të lëkurës dhe mund të prekin flokët, lëkurën dhe thonjtë. Infeksioni mund të merret nga toka, nga kafshët ose nga njerëzit e infektuar. Faktorët shpërthyes që ndikojnë në shfaqjen e infeksioneve mykotike të lëkurës janë të jashtme dhe të brendshme. Format klinike të shfaqjes së infeksioneve mykotike në këmbë janë të shumta, të tilla si:
– Forma skuamoze, e cila karakterizohet me një deskuamim ose rrjepje e shprehur në shputën e këmbës, pa shenja inflamacioni dhe hiperkeratoze. Në format e lehta mund të shfaqet një vatër e vogël e deskuamuar, në formë rrethore. Mund të prekë një këmbë, por mund të shoqërohet edhe me prekje të thonjve.
– Infeksioni mykotik mes gishtave. Lëkura midis gishtave është e zbardhur, djersitja është e zakonshme dhe lezionet janë kundërmuese.
– Tipet vezikulare. Lokalizimet më të shpeshta janë pjesa e brendshme e këmbës, shputa, thembra dhe mollëzat e gishtave. Elementet kryesore janë vezikulat e pustulat dhe mund të kemi edhe mbivendosje të infeksioneve dytësore bakteriale.
Në lidhje me problemin tuaj, për t’ju thënë më saktësi nëse keni apo jo infeksion mykotik, pasi në disa raste të njëjtën pamje klinike jep dhe djersitja e tepërt në këmbë, është e nevojshme vizita te dermatologu. Nëse të dhënat klinike janë të dyshimta për infeksion mykotik, duhet të bëhen analizat bakterologjike të lëkurës për të saktësuar diagnozën. Edhe pitiriasi vesicolor është një infeksion mykotik sipërfaqësor i lëkurës që shfaqet te personat e predispozuar që djersiten shumë ose me lëkurë të yndyrshme dhe ka ecuri kronike. Në disa raste, forma e shfaqjes është e lehtë dhe mjafton vetëm mjekim me lyerje të lëkurës e përdorimi i shampos specifike. Ka edhe raste të tjera kur janë të nevojshme antimykotikët oralë. Pas përfundimit të mjekimit të dhënë, është i rëndësishëm përdorimi i shampove antimykotike për një kohë të gjatë, në mënyrë që të parandalohet rishfaqja e njollave të bardha ose kafe.