– Doktor Evi, jemi një çift i ri. Unë kam shumë vështirësi për të ngelur shtatzënë, sepse provoj dhe nuk ngel. Po bëjmë një vit e gjysëm, jemi vizituar dhe na kanë thënë që nuk kemi asnjë problem as njëri dhe as tjetri. A mund të më thoni ju lutem cila është periudha më e mirë për të ngelur shtatzënë, sepse nuk jam shumë e informuar? Siç ju thashë, jemi të rinj të dy dhe nuk kemi eksperiencë në këtë punë. Ju shkruaj nga një provicë në Jug të Shqipërisë. Pres një përgjigje këtë javë, nëse është e mundur. Faleminderit.
Dr. Evi Dani, seksolog-androlog: – Të nderuar! Së pari, duhet të qetësoheni psikologjikisht dhe shpirtërisht, në mënyrë që trupi juaj të përgatitet për këtë shtatzani kaq të dëshiruar. Për sa kohë mjekët ju kanë thënë që nuk keni asnjë problem, nuk keni pse të shqetësoheni, do të ngeleni shtatzënë atëherë kur nuk e prisni. Në këtë mes ndikon shumë gjendja psikologjike. Duke qenë shumë të dëshpëruar për një fëmijë, fiziku juaj reagon në të kundërtën, ndaj qetësohuni, mos e mendoni fare, bëni dashuri lirshëm dhe pa u ruajtur.
– Ndërsa përsa i përket pyetjes tuaj në lidhje me periudhën kur mund të ngelni shtatzënë, ju shpjegoj si më poshtë: Një femër ka ciklin e saj menstrual kryesisht prej 28 ditësh. Ka edhe femra që kanë një cikël më të shkurtër apo më të gjatë, 25 apo 30 ditësh. Cikli menstrual nis nga dita e parë e gjakderdhjes deri në ditën e parë të menstruacionit pasaardhës. Kjo periudhë i korrespondon një ndryshimi në mënyrë të vazhdueshme të organit riprodhues, që përsëritet çdo muaj deri në moshën 40 vjeçare. Ndryshimi i organit riprodhues te femrat i korrespondon shtimit në mënyrë graduale, ndryshimit të disa hormoneve, trashjes së murit të uterusit, sekretimit të përgatitjes së qafës së mitrës, përgatitjes së një veze dhe daljes së saj nga ovari për në tubat e fallopit, ku do të bëhet fekondimi. Dalja e vezës apo pjekja është momenti më i rëndësishëm kur femra mund të arrijë një shtatzani. Kjo gjë ndodh çdo muaj në periudhën e ovulacionit, që i korrespondon ditëve të 13-të dhe 14-të të ciklit menstrual, duke filluar nga dita e parë e ciklit. Dua të theksoj ditën e parë të ciklit për arsye se shumë femra në mosha të reja mendojnë se periudha e ovulacionit është direkt pas përfundimit të menstruacioneve, ndërkohë që mundësia më e madhe për të ngelur shtatzënë është dita e 13-të dhe e 14-të e ciklit menstrual. Edhe në ditën e 10-të dhe ditët e 15-të dhe 16-të, ekziston një mundësi. Për të gjetur një mesatare, mund të themi se, nga dita e 10-të e deri në ditën e 18-të të ciklit, i rekomandohet çiftit që të bëjë akt seksual një herë në dy ditë. Kjo llogaritje, sigurisht, nuk vlen për ato që e kanë ciklin 25 ditësh, të cilat mundësitë më të mëdha i kanë në ditët 10-11 apo 30 ditësh, në ditët 15-16. Këto janë ato që ndryshe quhen ditët më të nxehta për femrën. Ju uroj të bëheni me fëmijë sa më shpejt.