– Doktoreshë Rezarta, jam 28 vjeçe. Kam disa vite që mbaj syze, por ka disa ditë që sytë më djegin shumë dhe më lotojnë. Veç kësaj, kanë filluar të më kruhen shumë. Para disa muajsh, kam përdorur një ilaç me pika për skuqje të syve, që quhet Betabiotal dhe që më bëri shumë mirë. Dua të di, a më bën mirë ta përsëris këtë gjë dhe pse i kam ato simptoma që thashë më sipër?
Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: – E dashur letërshkruese! Sipas përshkrimit të ankesave që ju më bëni në letrën tuaj, mendoj që po vuani nga një infeksion alergjik akut i syve, ndoshta me origjinë polenoze nga polenet e luleve. Arsyeja që mendoj kështu është kruarja e tepërt e fortë e syve që po ju shqetëson, e cila është e pashoqëruar me sklepa. Nuk mendoj që kjo situatë ka lidhje me faktin që ju jeni me syze. Këto janë dy probleme të ndryshme të cilat janë në sytë tuaj, por nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin. Ju mund të ishit edhe me shikim korrekt, syze dhe të kishit infeksion alergjik, ndërkohë që mund të ishit edhe me syze, me probleme shikimi dhe pa infeksion.
– Trajtimi i kësaj sëmundje me Betabioptal e qetëson shumë situatën, por mendoj se më qetësues do të ishte përdorimi i një antihistaminiku tophal colir, si për shembull Sol-Ketoftil, 3 x 2 pika në të dy sytë, shoqëruar edhe në darkë me një pomadë Ketoptal (trajtë xheli) për të vepruar më gjatë, gjatë natës. Ju rekomandojmë edhe ndonjë antihistaminik sistemik tabletë oral në darkë para buke, të tipit Loratadine 10 mg. për 10 net rresht. Shpëlarja e syve me ujë të ftohtë dhe kompresat me akull para mjekimit në sy e ndihmojnë shumë përthitjen e medikamentit. Të shkuara dhe faleminderit për letrën që më shkruat.
Advertisement